Kosova

Banka e Kosovës: Ekonomia do të rritet 9.9%

Guvernatori i Bankës Qendrore, Fehmi Mehmeti tha se ekonomia e Kosovës në vitin 2020 ka pësuar rënie prej 5.5%. Por, sipas tij ekonomia pritet të rritet në 9.9% gjatë këtij viti. Ndërsa borxhi publik është rritur në 1.5 miliardë euro.

Ekonomia e Kosovës pritet të rritet 9.9% gjatë vitit 2021, pas një rënie prej 5.3% vitin e kaluar.

Këtë deklaroi guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, duke shtuar se gjatë vitit të pandemisë COVID-19, ka pasur rënie të shërbimeve të udhëtimit.

“Sipas vlerësimeve, ekonomia e Kosovës gjatë vitit 2020 ka shënuar rënie prej 5.3%. Efekti i rënies së ekonomisë është manifestuar përmes sektorit të jashtëm. Ndalimi i udhëtimit ka bërë që të ulet në mënyrë drastike numri i mërgimtarëve dhe rënien e eksportit të shërbimeve të udhëtimit që në vitin 2020 zbriti në mbi 628 milionë euro, krahasuar me vlerën prej 1.3 miliardë eurosh që ishte një vit më parë”.

Sipas tij, në pjesën e parë të vitit 2021 ka pasur shtim të aktivitetit ekonomik prej 10.5 për qind.

“Projeksionet e BQK-së tregojnë se aktiviteti ekonomik do të rikuperohet me një ritëm mjaftë të shpejtë të rritjes prej 9.9% për vitin 2021. Vetëm në gjysmën e parë të vitit 2021 është shënuar një aktivitet i shtuar ekonomik prej 10.5%”, ka vijuar ai.

Mehmeti gjatë raportimit ka treguar se vlera e kredive të shtyra për vitin 2020 ka qenë 1.2 miliard euro, ndërsa kreditë e ristrukturuara kanë qenë 376 milionë euro.

“Vlera e kredive të shtyra për vitin 2020 ishte 1.2 miliard euro apo 42% në total të portofolios së kredive të sektorit bankar, prej të cilave 357 milionë euro apo 27% të kredive të shtyra ishin të ekonomive familjare, pjesa tjetër ishte e kredive të bizneseve. Vlera e kredive të risktrukturuara 376 milionë euro apo 12% të kredive të sektorit bankar, prej të cilave 9 milionë euro ishin të kredive të ekonomive familjare”, ka përfunduar ai.

Këtë raport të guvernatorit, anëtari i këtij komisioni nga radhët e LVV-së, Eman Rrahamani e quajti të gjenaralizuar dhe pa ndonjë llogaridhënie konkrete.

“Që në ditët e para të masave kufizuese BQK është koordinuar me gjitha institucionet financiare për të siguruar marrjen e masave adekuate karshi nevojave të ekonomisë. Vështirësitë ekonomike u reflektuan edhe në sektorin fiskal. Borxhi publik ka arrit në 1.5 miliardë euro”, tha ai.

Tutje ai foli edhe për moratoriumin për shtyrje të pagesave të kredisë për personat dhe bizneset e prekur nga pandemia.

“Kemi marrë moratorium për shtyrje të kredive nga kredi marrësit të cilët janë goditur nga pandemia. 370 milionë euro është shuma e kredive të rikontrukturuara”.

Ai foli për vendimet e BQK-së për revokim të licencave të disa kompanive të sigurimit, ku tha se kjo gjë është bërë me vonesë.

“Është ngrit si çështje puna ime si z.Guvernator, unë raportoj para jush dhe e kam për detyrë. Një gjë e kam të sigurt se kur është në pyetje zbatimshmëria e ligjit, ka zero tolerancë. Është e vërtetë se i kemi tërhequr licencën një kompanie”.

Ndërsa, Banka Botërore thotë se rritja e konsumit me ardhjen e mërgatës ka kontribuar në rritjen ekonomike të Kosovës për vitin 2021. Sipas raportit të BB-së, deri në fund të këtij viti, kjo rritje do të jetë 7.1%, kundrejt një tkurrje prej 5.3% që ishte vitin e kaluar.

“Aktiviteti ekonomik në vitin 2021 pritet të zgjerohet me 7.1% kundrejt një rikthimi të mërgatës, masave mbështetëse fiskale dhe rritja e huadhënies. Modeli i rritjes së Kosovës është kryesisht i bazuar në konsum, me një mbështetje të konsiderueshme nga mërgata”, thuhet raport.

BB thekson se rritja ekonomike është rikthyer në territor pozitiv gjatë tremujorit të katërt 2020.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë