Ekonomi

Banka Botërore pret që ekonomia e Shqipërisë të rritet me 3.3% në 2024

Nga Gazeta 'SI' - Në parashikimet për vitin 2024, Banka Botërore vlerëson se rritja ekonomike e Shqipërisë parashikohet të jetë 3.3%, përballë kushteve të shtrënguara financiare në tregjet ndërkombëtare dhe rritjes së kufizuar ekonomike në Europë. Gjithsesi BB thekson se turizmi dhe ndërtimi do të jene nxitësit kryesorë të ekonomisë.

BB shton se “një faktor kyç në qëndrueshmërinë e Shqipërisë ndaj goditjeve ka qenë afërsia e saj me BE-në, që është një burim i investimeve dhe remitancave dhe një treg kryesor për eksportet e vendit. Turizmi është shfaqur si një nxitës kryesor i rritjes ekonomike, duke ndihmuar në përmirësimin e disbalancave të jashtme dhe duke kontribuar pjesërisht në një mbiçmim të qëndrueshëm të lekut në vitet e fundit.”

Banka Botërore vlerëson se kontribuesit kryesorë të rritjes në anën e ofertës ishin tregtia, turizmi dhe aktivitetet e pasurive të paluajtshme, të ndjekura nga ndërtimi dhe prodhimi i energjisë. Në anën e kërkesës, komponentët kryesorë që nxitën rritjen ishin kërkesa e brendshme private dhe eksportet neto.

BB vlerëson gjithashtu se punësimi u rrit me 1.2% në terma vjetorë në tremujorin e tretë të vitit 2023, ndërsa rritja e pagave dhe punësimit nxitën pjesëmarrjen në forcën e punës (mosha 15+), e cila arriti në nivelin më të lartë prej 76.1 për qind.

Gjithashtu, BB konstanton se “duke marrë në konsideratë rritjen e fortë të PBB-së për frymë në vitin 2023, shkalla e varfërisë vlerësohet të jetë ulur me 1.8 pikë përqindjeje duke arritur në 21.7 për qind”.

Qeveria shënoi një pozicion të përmirësuar fiskal në vitin 2023, si rezultat i rritjes së fortë të të ardhurave si dhe shpenzimeve më të ulëta. Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin, të ardhurat personale dhe kontributet e sigurimeve shoqërore u rritën, duke reflektuar rritjen e pagës minimale së detyrueshme dhe rritjen e pagave në sektorin privat, theksohet më tej në raport.

Banka Botërore vlerëson se “ekonomia shqiptare ka treguar një qëndrueshmëri të konsiderueshme ndaj goditjeve të njëpasnjëshme gjatë viteve 2019-2022, të cilat përfshinin tërmetin e vitit 2019, pandeminë dhe krizën ekonomike pasuese, si dhe pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Politikat e kujdesshme makroekonomike mbështetën një rimëkëmbje të fortë ekonomike, me një rritje reale të PBB-së mesatarisht me 6.9 për qind në vitet 2021 dhe 2022, dhe PBB-ja e vitit 2022 tejkaloi nivelin e saj para pandemisë.”

Rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor parashikohet të jetë më e lartë në vitin 2024, dhe të përshpejtohet edhe në vitin 2025, duke u kthyer në nivelet mesatare të parapandemisë. Vendet e rajonit duhet të vijojnë me zbatimin e reformave me qëllim ngushtimin e hendekut të zhvillimit me vendet e Bashkimit Evropian dhe përmirësimin e standardeve të jetesës. Kjo përfshin rritjen e investimeve për qytete më të gjelbra, duke u dhënë atyre mundësi të kontribuojnë në mënyrë më efikase në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, thuhet në Raportin e ri Ekonomik të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, të publikuar sot.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë