Ushqim

Bananet dhe salmoni ndihmojnë kundër efektit të kripës në dietën e femrave

Studimet kanë treguar se konsumimi i lartë i kripës rrit presionin e gjakut, sidomos te femrat dhe sipas një hulumtimi të fundit, ngrënia e ushqimeve si bananet, avokadot dhe salmoni mund të ndihmojnë në reduktimin e efekteve negative të kripës në dietën e femrave.

Studimi zbuloi dhe një herë tjetër se dietat e pasura me kalium ishin të lidhura me presionin e ulët të gjakut, veçanërisht te gratë që konsumojnë shumë ushqime me kripë.

“Dihet se konsumi i lartë i kripës lidhet me presionin e lartë të gjakut dhe një rrezik të shtuar të sulmeve në zemër dhe goditjeve në tru”, tha autori i studimit, Profesor Liffert Vogt nga Universiteti i Amsterdamit, në Holandë.

“Këshillat shëndetësore janë fokusuar në kufizimin e marrjes së kripës, por kjo është e vështirë të arrihet kur dietat tona përfshijnë ushqime të përpunuara. Në studimin tonë, kaliumi në dietë ishte i lidhur me përfitimet më të mëdha shëndetësore tek femrat”.

Studimi përfshiu 11,267 burra dhe 13,696 gra të moshës 40 deri në 79 vjeç.

Të gjithë plotësuan një pyetësor mbi zakonet e stilit të jetesës, u mat presioni i gjakut dhe u mblodh një mostër e urinës.

Studiuesit analizuan lidhjen midis marrjes së kaliumit dhe presionit të gjakut dhe zbuluan se konsumi i kaliumit (në gram në ditë) ishte i lidhur me presionin e gjakut tek gratë.

Në përgjithësi, ata zbuluan se njerëzit që kishin konsumin më të lartë të kaliumit kishin një rrezik 13% më të ulët të problemeve kardiovaskulare krahasuar me ata që merrnin më pak natrium.

Sasia e kripës në dietë nuk ndikoi në marrëdhënien midis kaliumit dhe problemeve kardiovaskulare tek burrat ose gratë, zbuluan studiuesit.

"Marrëdhënia midis kaliumit dhe problemeve kardiovaskulare ishte e njëjtë pavarësisht nga sasia e kripës, duke sugjeruar që kaliumi ka mënyra të tjera për të mbrojtur zemrën”.

Mjekët rekomandojnë që të rriturit e moshës 19 deri në 64 vjeç kanë nevojë për 3500 mg kalium në ditë dhe duhet ta marrin këtë nga dieta e tyre.

Ushqimet e pasura me kalium përfshijnë perimet, frutat, arrat, fasulet, produktet e qumështit dhe peshkun.

Tracy Parker, dietologe në Fondacionin Britanik të Zemrës, tha se ky hulumtim mbështet këshillat aktuale se reduktimi i marrjes së kripës dhe ngrënia e më shumë ushqimeve që përmbajnë kalium mund të jetë receta për një zemër më të shëndetshme.

“Një mënyrë e thjeshtë për të rritur marrjen e kaliumit është duke ngrënë pesë porcione frutash dhe perimesh në ditë. Ushqime të tjera si bishtajoret, peshku, arrat, farat dhe qumështi janë gjithashtu të pasura me kalium dhe me pak kripë.

Gjetjet janë publikuar në Gazetën Europiane të Zemrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë