Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, i është përgjigjur interpelancës së thirrur nga përfaqësuesit e bizneseve që kanë instaluar fotovoltaikë për vetkonsum.
Sipërmarrësit kërkojnë nxjerrjen e akteve nënligjore për miratimin e procedurës së lehtësuar për lidhjen në sistemin e shpërndarjes të projekteve të vogla të energjisë së rinovueshme.
“Ne e njohim shqetësimin tuaj dhe për këtë arsye kemi nisur një proces i cili ka disa javë, ashtu siç kemi deklaruar edhe në tryezën e ekspertëve që është bërë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Jemi duke punuar me këtë proces dhe kryesisht mbi metodologjinë e cila ka qenë e munguar”, u shpreh ministrja Balluku.
Për t’i dhënë zgjidhje shqetësimit që ekziston mes sipërmarrësve, ministrja Balluku kërkoi ngritjen e një grupi të përbashkët pune me përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, OSHEE dhe grupet e interesit.
“Ky grup duhet të nisi punën menjëherë, në mënyrë që si ju që keni nevojën dhe dëshirën për ta nxitur dhe përfunduar këtë proces, dhe ne që duam të shkojmë drejt përfundimit, të zbardhim aktet nënligjore, sepse askush nga ne nuk ka dëshirë që të jemi në kushtet e vonesës”, tha Balluku.
Pjesë e interpelancës ishin edhe ekspertë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe përfaqësues të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, të cilët ju përgjigjën pyetjeve të adresuara nga prodhuesit e energjisë së rinovueshme si dhe shpjeguan në detaje problematikat që duhen zgjidhur për të mbërritur më pas te dalja e udhëzimit të ministrit që rregullon ligjërisht këtë proces.
Vetëprodhuesit e energjisë së rinovueshme, janë klientë që prodhojnë përmes teknologjisë fotovoltaike një pjesë ose të gjithë energjinë që nevojitet për nevojat e tyre dhe kërkojnë të injektojnë energjinë e tepërt të prodhuar në rrjetin publik të shpërndarjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.