Futboll

Ballkani në grupe, Ilir Daja shkruan historinë europiane edhe në Kosovë

Gazeta Si – Historike për futbollin kosovar. Ballkani, ekipi kampion e Kosovës, është kualifikuar për fazën në grupe të Ligës së Konferencës. Data 25 gusht do të shkruhet në analet e historisë për këtë ekip, por edhe për trajnerin Ilir Daja.

Festë e jashtëzakonshme në ‘Fadil Vokrri’ për këtë sukses të madh të ekipit të Ballkanit.

Ilir Daja, kur drejtonte Skenderbeun. Gazeta Si, 25 gusht 2022

Atë që bëri me Skënderbeun pak vite më parë, duke shkuar në grupet e Ligës së Europës, trajneri Ilir Daja e ka bërë edhe me kampionët e Kosovës. Askush si ai, dy herë në grupet e kompeticioneve europiane me dy ekipe të ndryshme.

Ballkani fitoi edhe ndeshjen e kthimit ndaj Shkupit, tjetër ekip shqiptar, por nga Maqedonia e Veriut. Meriton Korenica shënoi edhe në këtë ndeshje, ashtu si një javë më parë në Shkup, duke vulosur fitoren 1-0.

Ndeshja u bë më e lehtë për Ballkanin, pasi vetëm pas 2 minutash kundërshtari mbeti me 10 lojtarë. Abdulla u ndëshkua me karton të kuq si lojtar i fundit. Kosovarët e dominuan ndeshjen dhe e merituan fitoren dhe kualifikimin historik.

Pankarta e tifozeve te Shkupit ne 'Fadil Vokrri'. Gazeta Si, 25 gusht 2022

Stadiumi ‘Fadil Vokrri’ ishte i tejmbushur për këtë ndeshje të rëndësishme. Ata që duhen komplimentuar janë edhe tifozët ultras të Shkupit, ‘Shvercerat’, për pankartën e shpalosur që në fillim të ndeshjes, ku shkruanin: ‘Në tokën tonë, në tokën e Adem Jasharit’.

Për Ballkanin do të flitet gjatë, ai ka tashmë një status të ri edhe në futbollin europian, jo vetëm atë kosovar. Kurse për Ilir Dajën fjalët janë të tepërta, të gjithë duhet të përulen para tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë