Politike

Balla: S’do ketë ndryshime rrënjësore në qeveri, Lleshaj ministër në zgjedhjet 2021

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla, nuk sheh arsye për ndryshime thelbësore në qeveri, duke lënë të hapur mundësinë e ndonjë ndryshimi vetëm në një dikaster, pasi të bëhet analiza e brendshme e gjithësecilit prej ministrave nga elektorati socialist.

Në këtë vorbull thashethemnaje për largime, me shumë gjasë nuk do të përfshihet pozicioni i Sandër Lleshajt, për të cilin, Balla tha se ka bërë një punë të lavdërueshme. Edhe vetë Lleshaj, në një prononcim për mediat, u shpreh dy ditë më parë se ai do të jetë ministër në zgjedhjet e 2021-it.

“Lleshaj është në krye të kësaj ministrie prej dy vitesh tashmë dhe ka përballuar me sukses disa prej sfidave.

Gjej rastin ta vlerësoj dhe mbështes. Asnjë ministër nuk punon vetëm në atë detyrë, është një mbështetje efektive e kryeministrit por janë dhe të gjitha ekipet e tjera që kompozojnë suksesin e përbashkët. Fakti që në Ministrinë e Brendshme nuk do të jetë një drejtues qarku politik por një ministër që do të jetë i fokusuar në procesin e administrimit zgjedhor është i rëndësishëm.

Qeveria jonë është tejet politike. Zoti Lleshaj ka qenë deri pak kohësh drejtues politik i një qarku. Në kushtet e zgjedhjeve të 25 prillit, kryeministri e ka lehtësuar z. Lleshaj nga ky pozicion. Unë vlerësoj se në këto sektorë kemi persona të duhur në vendin e duhur. Nuk është larg momenti kur ne do të marrim besimin për mandatin e tretë dhe në formësimin e qeverise së re 2021-2025 mund të kishte edhe ndonjë ndryshim tjetër. Por kjo vendimmarrje i takon kryeministrit...”, tha ai.

Ai u pyet disa herë në studio nëse do të ketë ndryshime të tjera në qeveri. “Ne jemi në aleancë vetëm me qytetarët e zakonshëm ndaj dhe duam të përfshijmë në këtë proces vlerësimin e qytetarëve për ministrat dhe deputetët... Cdo hap do të merret në kohen dhe momentin e duhur...

Unë  nuk gjej arsye që të mendoj për ndryshime të thella në qeveri nuk do të gjeja arsye për ta bërë një gjë të tillë...Pra

nuk shoh arsye për të pasur ndryshime rrënjësore në ekipin e ministrave që në përgjithësi bëjnë një punë shumë të mirë”, tha Balla.

 Ai vlerësoi mjaftueshëm edhe emërimin e Evis Kushit në krye të ministrisë së Arsimit.

“Një ministre si Kushi që vjen nga bota akademike, prej 7 vitesh nuk e ka ndërprerë komunikimin dhe gjej rastin që të vlerësoj përzgjedhjen që ka bërë Rama edhe brenda grupit parlamentar. Sepse ky grup përmban personalitete të vlerësuara në shumë fusha të jetës ndaj dhe padiskutim nga grupi parlamentar do  të përzgjidhej një ministër shumë i mirë i Arsimit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë