Rend dhe Ligj

Balla: Nuk ka pasur asnjë kopjim nga sistemi TIMS. Përjashtim për policët me akses në ‘EncroChat’ apo ‘Sky’

Gazeta Si- Dyshimet se në sistemin TIMS ka pasur rrjedhje të dhënash, si për shtetas shqiptarë, ashtu edhe të huaj, nuk janë të vërteta.

Konfirmimi vjen nga Komisioni për Çështjet Europiane, ku ministri i Brendshëm Taulant Balla deklaroi se “sistemi është i fortifikuar”.

Gjatë raportimit, Balla paralajmëroi se të gjithë efektivët që kanë pasur akses në rrjete komunikimi “EncroChat” apo “Sky”, do të përjashtohen nga Policia e Shtetit.

Në lidhje me të dhënat e sistemit TIMS, sipas tij gjithçka ka qenë një spekulim. “Rezulton se s’ka pasur asnjë rrezik, kopjim apo akoma më keq, kur balta kthehet në piedestal, që të ketë përdorim të këtyre të dhënave. Është e pamundur, do vij sa herë të më kërkoni”, tha ministri Balla.

Ai u shpreh se sistemi është 100% funksional dhe se çështja po hetohet nga Prokuroria e Tiranës.

“Lidhur me pretendimet për rrjedhje të informacionit në sistemin TIMS, garantoj çdo shqiptar dhe të huaj se të dhënat e tyre janë 100% të mbrojtura. Nuk ka asnjë të dhënë që ka rrjedhur nga ky sistem i fortifikuar, falë asistencës së partnerëve tanë të huaj. Sistemi është 100% funksional, pretendimet për një çështje të operimit të brendshëm, nuk janë shqetësim për rrjedhje të dhënash”.

Balla shpjegoi se për këtë problematikë i ka kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe Drejtorit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, përfshirjen e menjëhershme të Prokurorisë AntiKorrupsion.

“Por ata sugjeruan që çështja të ndiqej nga Prokuroria e Tiranës. Kjo e fundit ka regjistruar një procedim, e mbështes dhe në çdo rast duhet të vendosim një standard që kur Prokuroria nis hetimin ne duhet të heshtim”.

Ministri theksoi se, ashtu siç ndalohet rreptësisht që një punonjës i Policisë së Shtetit të ulet në kafe apo restorant me person me precedentë kriminal, e njëjta gjë vlen edhe për takimet virtual me botën e krimit.

“Çdo punonjës policie shteti që rezulton që ka pasur akses në rrjetet e komunikimit qoftë EncroChat apo SkyECC do përjashtohet nga Policia e Shtetit edhe nëse në atë komunikime rezulton se s’ka aktivitet kriminal. Vetëm fakti që ka aksesuar në një rrjet të tillë, por lidhet ne kodin etik”, u shpreh ai, duke iu referuar operacioneve policore për goditjen e grupeve kriminale.

Ministri Balla shton se edhe në rastet kur nuk rezulton që punonjësi i policisë të ketë pasur komunikime për aktivitete kriminale në këto rrjete, përsëri do të jetë në fuqi masa për përjashtimin e tij, vetëm sepse ka pasur aksese në “Sky” apo “EncroChat”.

Ndërsa shtoi se së shpejti do të ketë zhvillime, pasi sipas ministrit, SPAK po zhvillon hetime mbi bazën e të dhënave nga Europol.

Sipas Ballës, të përfshirë ka gjasa të jenë dhe punonjës policie, ndërsa shtoi se kështu do të mundësohet dhe pastrimi i kësaj strukture.

"Nëse policët ulët në kafe apo restorante me grupe kriminale, do të zbatohen masa. Prokuroria, këtu i referohem SPAK, po vazhdon hetime të thelluara mbi bazën e të dhënave nga EUROPL dhe shumë shpejt do të kemi rezultate konkrete ku do të ketë dhe punonjës të policisë (të përfshirë), ku do të vetëpastrohet policia por dhe shoqëria”, - tha Balla.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë