Politike

Balla kërkon mbështetjen e opozitës parlamentare për shkarkimin e Metës dhe këshillon PD

Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla ftoi deputetët e të ashtuquajturës “opozitë parlamentare” që ta mbyllin me dinjitet mandatin e tyre si deputetë dhe të mbështesin propozimin e socialistëve për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.

“Është në dinjitetin e këtij Kuvendi që të veprojë ndaj atij Presidenti që vetëm Presidentin nuk ka bërë”, tha Balla.

Sipas Ballës, provat e depozituara nga PS justifikojnë masën ekstreme.

“Në atë kërkesë është çdo provë juridike për të justifikuar procedurën e shkarkimit dhe argumentuar domosdoshmërinë e shkarkimit”, tha ai.

Kreu i grupit parlamentar socialist hodhi poshtë akuzat se pas nismës për shkarkimin e Metës qëndron ambicia e PS-së për ta kontrolluar këtë institucion.

“Kushdo që mendon se është dëshirë për ta kapur këtë institucion e ka gabim. Ne nuk kemi asnjë interes që të kapim institucionin e Presidentit të Republikës. Duam një President mbi palët dhe që të punojë me të gjitha forcat politike. Nuk duam President që të jetë ditën President dhe natën kryetar shtabi elektoral partie politike”, u shpreh ai.

Nga foltorja e Parlamentit, Balla, që më 25 prill ishte deputeti më i votuar duke lënë pas edhe Ramën e Bashën dha disa këshilla për Partinë Demokratike.

“PD të distancohet nga këto ngjarje dhe nga grupet e armatosura. PD të pranojë rezultatin e zgjedhjeve dhe të pranojë ftesën tonë të sinqertë për një reformë të thellë politike në vend”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë