Kombetarja

Balaj rrëmben skenën në Austri, gol fitoreje në transfertë

Menjëherë protagonist Bekim Balaj në kampionatin austriak, ku kaloi vetëm pak ditë më parë. Sulmuesi i Kombëtares kuqezi i dha fitoren (0-1) Shturm Gracit, skuadrës së tij të re, me një gol të shënuar që në minutën e 6-të të ndeshjes në transfertë me Volfberger. Futbollisti shkodran goditi saktë me të djathtën në qendër të zonës, duke e përcjellë topin në rrjetë.

Goli i Bekim Balajt i dha fitoren e dytë radhazi Shturmit në po kaq ndeshje të kampionatit. Skuadra e sulmuesit 28-vjeçar e ka nisur mbarë këtë sezon, ku pas dy ndeshjesh ka pikë të plota. Shkodrani firmosi për Shturmin para pak kohësh, pasi la rusët e Akhmat Groznit. Trajneri i Shturmit i ka besuar përvojës së futbollistit kuqezi dhe e ka aktivizuar titullar, pavarësisht kohës së paktë që Balaj kishte në skuadër.

Balaj feston golin e fitores për Shturmin. Gazeta Si, 5 gusht 2019

Sigurisht që ky gol është një lajm i mirë për trajnerin Reja në prag të ndeshjeve të radhës të Kombëtares. Përveç Balajt, në fundjavë shënuan edhe Sindrit Guri, - vendimtar me dy golat e tij në fitoren e Osetendes në Belgjikë, - dhe Ermir Lenjani, i cili realizoi golin e parë në fitoren e Sionit në kampionatin zviceran.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë