Kombetarja

Balaj: Më mirë me dy sulmues, rikthimi i Cikalleshit i bën mirë ekipit

Prej se dielës, Kombëtarja është zhvendosur në Frankfurt, ku do të stërvitet deri një ditë para ndeshjes me Islandën, që zhvillohet më 8 qershor në Rekjavik. Kuqezinjtë humbën seancën e parë stërvitore, për shkak se udhëtimi zgjati më shumë nga sa ishte parashikuar dhe futbollistët ishin të lodhur, kështu që të dielën pasdite bënë vetëm disa ushtrime shkrythëse. Trajneri Edi Reja, pasi mungesave të Gjimshitit, Strakoshës, Binakut, Memushajt dhe së fundi Grezdës, do ta përqendrojë punën te moduli i lojës për dy ndeshjet e radhës.


Në konferencën e parë të shtypit në Frankfurt kanë dalë sot sulmuesi Bekim Balaj dhe mbrojtësi Frederik Veseli. Shkodrani ka pohuar se atmosfera në grup është mjaft e mirë dhe objektivi për pikët maksimale është i mundshëm. Sipas tij, për sulmuesit është më mirë, nëse trajneri zgjedh të luajë me dy lojtarë në repartin e avancuar: “Çdo gjë po shkon mirë në Kombëtare. Prej disa ditësh jemi grumbulluar dhe po bëjmë maksimumin në stërvitje që gjërat të shkojnë mirë në këto ndeshje të radhës. Reja? Trajnerët ndryshojnë, është e kuptueshme që secili ka mënyrën e vet të punës. Për ne ka rëndësi që të gjithë ndihemi të lumtur dhe po punojmë që të jemi plotësisht gati për Islandën. Trajneri po bën provat e veta për skemën e lojës që do të aplikojë në këto ndeshje. Ai ka hedhur opsionin 3-5-2, pra me dy sulmues, por nuk është i vetmi. Ne po i provojmë të gjitha variantet. Rëndësi ka që të japim më të mirën në çdo ndeshje.

Bekim Balaj në aksion me Kombëtaren

Prej vitesh kemi luajtur me një sulmues. Kjo ka qenë strategjia që kanë zgjedhur trajnerët që e kanë drejtuar Shqipërinë. Tani pritet të luajmë me dy sulmues dhe mendoj se do të jetë më mirë për këdo që do të luajë në sulm, që të ketë edhe një partner në repartin e tij. Ne jemi këtu për një interes të përbashkët, që Shqipëria të marrë maksimumin e pikëve dhe të arrijë objektivin e saj në këto eliminatore Rikthimi i Cikalleshit patjetër që i bën mirë ekipit”, - ka thënë futbollisti shkodran gjatë konferencës për shtyp. Sulmuesi 28-vjeçar, autor i 4 golave me fanellën kuqezi, është në kërkim të një ekipi të ri, pasi mbylli aventurën me Akhmat Groznin në Rusi. Me shumë mundësi, karriera e tij do të vazhdojë në kampionat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë