Shkencë

Bakteri që ushqehet me plastikë do të shpëtojë detet dhe oqeanet

Ndotja e lartë në oqeane është një problem i madh në planet. Sipas hulumtimeve të fundit, ka të ngjarë që në vitin 2050 të gjejmë më shumë plastikë se sa peshq në ujërat e deteve dhe për këtë arsye ka shumë njerëz që punojnë për të gjeneruar zgjidhje.
Risia aktuale mes gjetjeve shkencore është një bakter, i cili është zhvilluar në kushte laboratorike nga studentet Jeanny Yao dhe Miranda Wang nga universiteti British Columbia, të cilat kanë zhvilluar këtë projekt që nga vitet e tyre të shkollës dhe sot po korrin frytet e tij. Ato tashmë kanë patenta shkencore dhe kanë marrë një financim prej 400 mijë dollarësh për të filluar zhvillimin e produktit. Ato kanë fituar pesë çmime me këtë projekt dhe më së shumti u bënë të njohura pasi fituan çmimin e shkencës "Perlman". Puna e tyre bazohet në disa baktere të vogla, që janë të afta për shkatërrimin e plastikës në dyoksid karboni dhe në ujë. Sipas studenteve, kjo gjetje mund të përdoret edhe për të pastruar plazhet e ndotura dhe gjithashtu, për të prodhuar lëndët e para për veshje.

Studentet Miranda Wang dhe Jeanny Yao

“Ishte praktikisht e pamundur që t’i bëje njerëzit të ndalojnë përdorimin plastikës, kështu që ne kishim nevojë për këtë bakter që të shpërbënim plastikën në det, duke bërë gjithçka të bio-degradueshme,” u shpreh Miranda Wang.
Studentet tregojnë se zhvillimi kësaj teknologjie është i ndarë në dy pjesë. Fillimisht plastika shpërndahet dhe enzimat që mbeten, dalin në breg të detit dhe pastrohen nga mirëmbajtësit. Më pas këta përbërës do të vendosen në një stacion biodegradues, ku do të jenë njësoj si mbetje ushqimore. Projekti i cili mendohet se zgjat vetëm 24 orë është shumë premtues dhe mund të na shpëtojë nga plastika në ujë. Duke mos dhënë detaje të tjera studentet deklarojnë se do të shfaqin përsëri, njoftime për efikasitetin e bakterit. /Sience And Space/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë