Futboll

Bajerni vë në rrezik titullin, policia e Mynihut bën gafë

Siguri nuk ka asnjëherë dhe asnjëherë nuk mund t’i bësh llogaritë pa matematikën. Edhe titulli i Bajern Mynih nuk është i sigurt dhe urimi zyrtar nuk duhet bërë para kohe. Bundesliga 2018-2019 është në fundin e saj dhe po përjeton emocionet më të mëdha në këto 10 vitet e fundit. Jo rastësisht, për herë të parë pas vitit 2010, titulli do të vendoset javën e fundit. Bajerni humbi një shans të artë të shtunën, kur barazoi 0-0 me Lajpcigun dhe tani diferenca me Borusia Dortmund është 2 pikë. Rezultati i fundit i Bajernit ka bërë që edhe policia bavareze të bëjë një figurë të shëmtuar në rrjetet sociale.

Mjaftonte fitorja në ndeshjen e së shtunës që skuadra e trajnerit Kovaç të shpallej zyrtarisht kampione, pavarësisht rezultatit të rivalëve. Tri pikët dukeshin të sigurta për Bajernin, pasi kundërshtari e kishte siguruar vendin e tretë, por ndeshja u mbyll pa gola, duke bërë që Borusia Dortmund, që fitoi 3-2 në fushën e saj, të afrohet në 2 pikë. Policia e Mynihut ishte e sigurt se Bajerni do të festonte titullin të shtunën dhe për këtë bëri një postim në Facebook, ku uronte ekipin kampion: “Çfarë? Sërish kampion i Gjermanisë, i dashur FC Bajern?! Atëherë, urime!” Ky ishte postimi i bërë para se të përfundonte ndeshja dhe që u fshi menjëherë dhe u zëvendësua me një tjetër, ku shkruhej: “Do të gëzonim shumë për titullin e Bajernit këtë fundjavë, por nuk u bë gjë”. Ndoshta edhe në Gjermani ka barcoleta me policë...

Postimi i policisë bavareze

Problemi është se tani titulli nuk është i sigurt as për javën e fundit të kampionatit. Bajernit i mjafton edhe barazimi në ndeshjen e fundit me Eintrahtin, pasi edhe në rast barazimi me pikë me Borusian, fiton falë golaverazhit. Eintrahti ka nevojë për pikë dhe do të luftojë për fitore, sepse synon pjesëmarrjen në Champions League. “Nuk kam frikë, javën e ardhshme do të jemi kampionë”, - tha për “Sky Deutschland” Rumenige, një nga drejtuesit më të lartë të klubit bavarez. Te Borusia Dortmund besojnë se mund të ndodhë mrekullia javën e fundit, kur kjo skuadër luan në fushën e Borusia Mënshengladbah.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë