Futboll

Bajerni thyen arkën për Sané, goditje prej 200 milionë eurosh

Leroi Sané hyn në historinë e Bajern Mynih. Është blerja më e shtrenjtë e të gjitha kohërave për klubin bavaraz, në total një operacion prej 200 milionë dollarësh, nga të cilat gjysmat shkojnë për Mançester Sitin dhe gjysma tjetër për lojtarin.

Drejtuesit e Bajernit kanë mbyllur gjithçka dhe pritet vetëm zyrtarizimi i sulmuesit anësor gjerman. Sipas prestigjiozes “Kicker”, në arkat e Mançester Sitit do të paguhen pak më shumë se 100 milionë euro. Sulmuesi i lindur në vitin 1996 do të bëhet lojtari më i paguar në historinë e klubit të famshëm gjerman, duke thyer rekordin e Lukas Hernandez, i blerë po këtë verë nga Atletiko Madrid për shumën e 80 milionë eurove. Tani pritet vetëm njoftimi zyrtar i Bajernit për këtë transferim të bujshëm, të mbyllur pas bisedimesh të gjata me klubin anglez dhe lojtarin.

Leroi Sané me fanellën e Mançester Sitit. Gazeta Si, 2 gusht 2019

Sané ka vendosur ta pranojë ofertën e Bajern Mynih dhe do të nënshkruajë një kontratë 5-vjeçare me këtë klub. Gjithmonë duke iu referuar “Kicker”, sulmuesi i kombëtares gjermane do të përfitojë rreth 20 milionë euro në vit, 100 milionë euro për 5 vjet, ndërkohë që një shumë e caktuar do t’i jepet lojtarit në momentin e firmosjes së kontratës në formë bonusi, duke ulur kështu pagën e tij vjetore. Për momentin, më i paguari në ekip është Robert Levandovski, me 16 milionë euro në sezon. Operacioni për të sjellë Sané në Mynih i ka kushtuar Bajernit 200 milionë euro në total. Dhe të mendosh që disa vite më parë mund ta kishte marrë nga Shalke 04 këtë futbollist, duke paguar një shumë modeste.

Bajernit i duhej patjetër një sulmues anësor, pas largimeve të Roben, Riberi dhe Hames Rodriguez, dhe pas dëmtimit të Koman në “Audi Cup”. Bavarezët kanë për momentin vetëm dy sulmues krahu, ku veç Komanit është edhe Gnabri, por ata nuk mjaftojnë për skemën 4-2-3-1 të trajnerit Kovaç. Sané, i kërkuar me ngulm edhe nga shumë lojtarë të Bajernit, mund të bëjë edhe sulmuesin kryesor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë