Futboll

Bajerni pushon nga puna magazinierin historik për sjellje raciste ndaj 2 lojtarëve

Gazeta Si - Klubi i Bajernit të Mynihut ka pushuar nga puna një nga magazinierët e tij historikë, pas një episodi racizmi të tij ndaj dy futbollistëve Serzh Gnabri dhe Erik Maksim Çoupo-Moting.

Sipas lajmit të “Bild”, ditët e fundit magazinieri kishte ftuar vajzën e tij në qendrën sportive të klubit bavarez dhe në një moment, kur po shkëmbehej me dy futbollistët në fjalë, ka thënë: “Ja, ata si puna e këtyre të dyve mund t’i evitosh dhe të mos m’i sjellësh në shtëpi".

Foto ilustruese. Bajerni ne stervitje. Gazeta Si, 7 mars 2022

Një fjali, që punonjësit e tjerë e kanë dëgjuar dhe e kanë raportuar te drejtuesit e lartë të klubit, duke e cilësuar atë si një sjellje raciste.

Asgjë nuk është bërë publike, por sipas shtypit gjerman, bavarezët kanë vendosur të procedojnë me seriozitet maksimal, duke larguar magazinierin, pavarësisht viteve të shumta të punës që ai kishte në klub.

Një episod i ngjashëm ka ndodhur edhe më parë, gjithmonë në shtëpinë e Bajernit. Gjatë një kampi veror në 2020-shin, një trajner moshash është gjobitur dhe më pas pushuar nga puna, sepse kishte përdorur fjalë raciste për disa futbollistë gjatë një bisede në grup.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë