Futboll

Bajerni i frikshëm dhe pa Levandovskin, 6 gola në startin e Bundesligës

Gazeta Si - Bajerni mbetet gjithmonë Bajern. Edhe pa Robert Levandovskin, i cili kaloi te Barcelona, bavarezët janë shfaqur frikshëm në ndeshjen hapëse të Bundesligës. Ata kanë mundur thellë, 1-6, Eintrahtin e Frankfurtit. Debutim me gol për Mane.

Rezultati flet qartë për dominimin e skuadrës së Nagelsman. Vetëm 5 minuta lojë dhe Kimish zhbllokoi shifrat për Bajernin. Ndeshja u mbyll që në pjesën e parë, pasi bavarezët shënuan edhe 4 gola të tjerë me Pavard, Mane, Musiala dhe Gnabri.

Në pjesën e dytë, Eintrahti shënoi golin e nderit me Muani, por ishte një dhuratë e portierit Nojer. Ai tentoi të driblonte sulmuesin kundërshtar, që ia rrëmbeu topin dhe e dërgoi në rrjetë.

Musiala shënoi edhe golin e 6-të dhe të dytin personal në këtë ndeshje. Me fanellën e Bajernit të Mynihut debtuoi mbrojtësi De Ligt, i cili e nisi nga stoli dhe u fut në fushë 10 minutat e fundit.

bavarezët festojnë një nga golat ndaj Eintrahtit. Gazeta Si, 5 gusht 2022

Bajerni e nis Bundesligën aty ku e la, me një fitore tenistike. Një sinjal i qartë se bavarezët nuk kanë rivalë në Gjermani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë