Futboll

Bajern Mynih me president të ri, Uli Hënes vendos të largohet

Ndryshime te Bajern Mynih. Klubi bavarez do të ketë një president të ri në muajin nëntor, pasi Uli Hënes ka vendosur të mos rikandidojë në asamblenë e përgjithshme. Numri 1 i Bajernit, në fillim lojtar për 9 vite me këtë ekip dhe më pas drejtues për 40 vjet, ka menduar të heqë dorë nga detyra e presidentit të këshillit drejtues të klubit.

Hënes ishte konfirmuar në këtë detyrë deri në vitin 2022, por sipas “Bild”, vetë presidenti i bavarezëve ka zgjedhur tashmë edhe pasuesin e tij në këtë post të rëndësishëm. Ai është Herbert Hainer, ish-numri i Adidasit dhe aktualisht pjesëtar i këshillit drejtues të Bajernit. Dorëzimi i stafetës do të bëhet në nëntor.

Më parë është bërë e ditur se edhe Karl-Hainc Rumenige do të largohet nga klubi bavarez në vitin 2021 dhe që vitin e ardhshëm ai do të punojë bashkë me ish-portierin Oliver Kahn, të cilit do t’i delegojë postin që mban në kupolën drejtuese të Bajernit. Me sa duket, ka ardhur koha që drejtuesit legjendarë të ekipit të madh gjerman t’u lënë vendin më të rinjve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë