Ngjarje

Babai i Lear Kurtit akuzon policinë: E kanë mbytur! Nuk e kam parë trupin e djalit

Gazeta Si – Babai i të riut Lear Kurti, i cili ka humbur jetën në rrethana të paqarta pas ndalimit të policisë në Komisariatin nr 3, hedh akuza të rënda nga punonjësve të policisë.

Artur Isai thotë se 32-vjeçarin, të cilin e ka marrë vetëm 2 vjeç nga Shtëpia e Fëmijës për ta birësuar dhe marrë në shtëpinë e tij, e kanë mbytur.

I interesuar për të parë trupin e pajetë të të birit, ai është në pritje të një përgjigjeje nga autoritetet e morgut të Tiranës për ekspertizën mjeko-ligjore, e cila do të zbardhë dhe shkakun e vërtetë të vdekjes.

“Nuk e kam parë trupin e djalit. Kam qenë gjithë natën jashtë morgut dhe sot dhe nuk më kanë dhënë asnjë lloj shpjegimi”, – pohon ai për Top Channel.

Pyetjes nëse ka pasur kontakt nga autoritetet, ai i përgjigjet: “Cilat autoritete? Ato që e kanë mbytur?! Ku ka këtu shtet. Gjeta ata të AMP-së aty, më thanë nuk dimë gjë, kur të bëhen ato… nga ora 10 ose 11 do të të themi. Nuk më kanë dhënë asnjë përgjigje”.

Isai thekson se djali i tij ka qenë në punë të tij dhe mohon që ai të ketë pasur probleme shëndetësore.

“Ai ka qenë në rrugë të Zotit. Nuk ka qenë asnjë person i rrezikshëm për ta trajtuar në ato lloj formash. Probleme shëndetësore? Jo asgjë. Djali ka qenë 2 metra si luan”, – shton babai.

Sipas Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, në momentin kur është shoqëruar në ambientet e Komisariatit, Kurti ka filluar të shfaqë probleme shëndetësore.

Në këtë moment është lajmëruar ambulanca, por për shkak se është vonuar, efektivët e kanë dërguar me makinën e policisë me urgjencë në spital, ku dhe ndërroi jetë.

Megjithatë vdekja e tij vijon të mbetet e paqartë, pasi dyshohet se mjekët e Spitalit të Traumës nuk e kanë ekzaminuar kur kanë konstatuar se i riu ka mbërritur pa puls, duke e përcjellë në morgun e Tiranës.

Nëse versioni nga Trauma do të ishte i vërtetë, atëherë ai bie ndesh me atë të policisë, sipas së cilës Kurti u dërgua në spital pasi shfaqi probleme dhe ndërroi jetë aty.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore njoftoi se nën drejtimin e Prokurorisë është ngritur një grup hetimor, i cili po kryen veprimet e para hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Sakaq pritet edhe ekspertiza mjekoligjore për të përcaktuar shkaqet e vërteta të vdekjes së Lear Kurtit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë