Treg

Azia, importuesi kryesor i automjeteve në Shqipëri, shtohen elektriket

Nga Gazeta ‘Si’ – Azia mbetet rajoni dominues në tregun e automjeteve të regjistruara në Shqipëri, duke kryesuar listën e origjinës së mjeteve për periudhën janar-prill 2026.

Sipas DPSHTRR, gjatë periudhës, Republika e Koresë kryeson listën e vendeve të origjinës së automjeteve të regjistruara në vend, me 24.1% të totalit. Në vend të dytë renditet Kina me 18.3%, ndërsa Gjermania zë pozicionin e tretë me 12.4%.

Më tej, Italia përfaqëson 11.9% të regjistrimeve, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës kontribuojnë me 7.6%. Në listën e vendeve kryesore përfshihet edhe Zvicra, me 7.1% të totalit.

Të dhënat tregojnë gjithashtu një rritje të dukshme të kërkesës për automjete elektrike në tregun vendas. Gjatë katër muajve të parë të vitit 2026, janë regjistruar 4,155 mjete “all-electric”, duke shënuar një rritje prej 225% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Po ashtu, vihet re një zgjerim i peshës së automjeteve “km 0”, ku thuajse gjysma e tyre (49.6%) në periudhën janar–prill 2026 rezultojnë të jenë elektrike, duke shënuar një rritje prej 102% në raport me vitin 2025.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë