Kosova

Avokatët e Hashim Thaçit në Hagë tërhiqen nga mbrojtja, shkak mospagesa. Ministria e Drejtësisë së Kosovës: Nuk kryejmë pagesa për avokat privat

Gregory Kehoe, Joe Reeder, “Greenberg Legal Associates” dhe anëtarët e kësaj kompanie, kanë kërkuar të tërhiqen nga mbrojtja e Hashim Thaçit në Gjykatën Speciale.

Si shkak në kërkesë është përmendur moskryerja e obligimeve ndaj tyre.

“Z.Thaçi nuk ka përmbushur detyrimin ndaj Gregory Kehoe, Joe Reeder, Associates Greenbuerg Legal dhe anëtarëve të ekipit mbështetës dhe z.Thaçit i është dhënë një paralajmërim i arsyeshëm se do të kërkonin përfundimin nëse nuk u është përmbushur detyrimi”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Në njoftim është përfshirë kërkesa zyrtare e mbrojtjes së Thaçit, ndërsa thuhet se sipas rregullores, kur të caktohet grupi tjetër i mbrojtjes, avokatët paraprak duhet të vazhdojnë të bashkëpunojnë “në një periudhë prej jo më shumë se 45 ditë”.

Në një reagim të saj për mediat, Ministria e Drejtësisë së Kosovës thotë se ka kryer të gjitha detyrimet e saj apo kompensimin e mbrojtjes së ish-presidentit nga viti 2020, deri në 2023-in, në një total që shkon deri në 3.566.401.41 euro.

Por Ministria e Drejtësisë së Kosovës, thekson se realizon pagesa vetëm me avokatët me të cilët ka marrëveshje, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

“Aktualisht, Ministria e Drejtësisë, ka Marrëveshje me avokatin mbrojtës të Hashim Thaçit, Luka Misetiq, të cilit në përputhje me marrëveshjen, i realizon të gjitha pagesat me kohë. Ndërsa për avokatët e tjerë potencial, qoftë edhe privat, të cilët angazhohen nga z. Thaçi, Ministria e Drejtësisë nuk ka marrëveshje dhe nuk mban përgjegjësi për realizmin e pagesave”, - thuhet në njoftim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë