Sociale

Avioni rrëzohet pas nisjes nga Teherani, 176 viktima

Një avion Boeing 737-800 me 167 pasagjerë dhe nëntë pjesëtarë të stafit u rrëzua pak pas ngritjes nga aeroporti i Teheranit në Iran, duke u marrë jetën që të gjithë personave në bord.

Autoritetet ukrainase konfirmuan ngjarjen tragjike, duke deklaruar se pjesa më e madhe e viktimave janë iranianë dhe kanadezë.

Rrëzimi i avionit në një kohë kur forcat iraniane sulmuan me raketa dy baza amerikane në Irak ngriti dyshime mbi shkaqet. Por, televizioni shtetëror iranian përjashtoi mundësinë se avioni ukrainas është rrëzuar nga shkaqe të jashtme. Sipas Iranit, avioni është rrëzuar për defekt teknik.

Megjithatë, as ky pretendim nuk bind. Avioni i rrëzuar është prodhuar në pesë vitet e fundit nga kompania “Boeing” dhe i testuar disa herë para se të merrte licencën për fluturim dhe kontrollin e fundit teknik e kishte kaluar më 6 janar.

Autoritetet ukrainase thanë se po bëjnë gjithçka për të zbardhur shkaqet e rrëzimit të avionit, ndërsa ambasada e Kievit në Teheran tha se një defekt në motor dyshohet se ishte shkaku i tragjedisë.

Agjencia iraniane e lajmeve, IRNA raportoi se piloti kishte humbur kontrollin e avionit pas shpërthimit të një zjarri në njërin prej motorave.

Hetimet vazhdojnë dhe ajo që pritet të zbardhë shkaqet e tragjedisë janë “Kutitë e zeza”, që janë marrë nga autoritetet iraniane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë