Futboll

Avaz i vjetër , kaosi financiar largon lojtarët e Flamurtarit

Është bërë zakon tashmë që Flamurtari të jetë një ekip pretendent deri në janar, kur nis gjysma e dytë të sezonit, sepse më pas gjithçka shkon keq. “Rregullit” nuk i ka shpëtuar as këtë sezon, ku pagat për lojtarët ka sjellë një situatë mjaft të vështirë. Klubi vlonjat është në kaos total dhe gjithçka ishte e paralajmëruar. Ekipin po braktisin lojtarët më të rëndësishëm dhe “hemorragjia” vështirë të ndalet.

Kapiteni Tomisllav Bushiç dhe maqedonasi Goran Siljanovski e kanë mbyllur aventurën e tyre në Vlorë. E kanë bërë të qartë vendimin e tyre, madje i pari ka firmosur me Teutën tashmë. Mund të ketë të tjera largime, ndërkohë që braziliani Danilo Alvesh e shpalli i pari divorcin dhe në merkaton e dimrit nuk u bë asnjë përforcim. Trajneri Ilir Daja e ka shumë të vështirë të punojë në këto kushte, kur futbollistëve u ka sosur durimi sa i takon çështjes së pagave. Administratori Sinan Idrizi është në konflikt me bashkinë e qytetit, pasi kërkon prej saj më shumë se 400 mijë euro që ka paguar për borxhe që nuk i takojnë atij.

Tomisllav Bushiç, kapiteni kroat i Flamurtarit, tashmë i larguar

Gjithçka ndodh para ndeshjes së parë të fazës së tretë dhe në këtë situatë e vuan skuadra, që duket se edhe këtë radhë, si vitet e fundit, do të luftojë thjesht për të mos rënë nga kategoria në gjysmën e dytë të kampionatit. Është për të ardhur keq, sepse Flamurtari ishte një nga skuadrat që luan futbollin më të mirë në këtë sezon. Problemet financiare dhe ato ligjore e kanë dëmtuar shumë klubin vlonjat sezonet e fundit, duke sjellë pakënaqësi të madhe te tifozët, të cilët tani e kanë humbur edhe ata shpresën se skuadra e tyre e zemrës do të fitojë një trofe apo do të luajë në kupat e Europës. Dhe ç’është më e keqja, situata po precipiton keq e më keq.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë