Politike

Autostrada Milot – Fier, PD: Qytetarët do të paguajnë 17.4 euro vajtje-ardhje

Nga aksi rrugor pranë Rrogozhinës, Sekretari për Burimet Njerëzore në PD, Ervin Minarolli, tha se koncesioni për rrugën e re Milot Fier duhet të anulohet. Minarolli argumentoi edhe arsyet se pse.    

“Nga Miloti në Fier janë 115 kilometra dhe sipas koncesionit korruptiv qytetari duhet të nxjerrë nga xhepi 17.4 euro . Kjo është një shifër stratosferike dhe vjedhja është skandaloze.

Strategjia e rrugëve me pagesë, e miratuar në 2016-ën nga e njëjta qeveri, rekomandon vlerën maksimale prej 3.5 cent për km ose 3.5 Euro për 100 km. Pra, krahasuar edhe me dokumentet që vetë kanë miratuar, kostoja që duhet të paguajë qytetari për rrugën është thuajse dyfishuar.

Me këtë koncesion qytetarit i duhet të nxjerrë nga xhepi 17.4 euro për të udhëtuar në të gjithë gjatësinë e autostradës, e cila është gjysmë e gatshme.

Nga 115 kilometra, 62 prej tyre janë rrugë ekzistuese. Tani jemi në një segment të tillë që ka nevojë vetëm për rikonstruksion, për të rritur cilësinë e rrugës. Për ne, është e papranueshme që koncesioni ta trajtojë këtë si një rrugë që ecën në një gjurmë të re, duke fryrë koston dhe, bashkë me të, edhe faturën që paguan në fund qytetari”, tha ai.

Në PD, ky projekt vjen era korrupsion.

“Rruga më e re e përfunduar kohët e fundit është bypass i Fierit. Është një rrugë që e nisëm ne 7 vjet më parë. Ne siguruam fondet  dhe lamë gati një procedurë ku 1 km rrugë ka kushtuar 1.8 milionë euro. Ndërsa qeveria në ikje e Edi Ramës po kërkon ta tenderojë rrugën Milot-Fier me rreth 20 milionë euro kilometri, po të llogaritet që 62 kilometra te saj janë rrugë ekzistuese.

Pa asnjë dyshim që kjo është vjedhja më e madhe e qeverisë në ikje. Edi Rama dhe Belinda Balluku kanë shumëfishuar kostot për të rritur çmimin e kalimit të udhëtarëve. 

17.4 euro për një udhëtim vajtje-ardhje e bën këtë rrugë të papërballueshme dhe shumë të shtrenjtë për shumicën e qytetarëve.

Edi Rama dhe Belinda Balluku duhet t’u shpjegojnë shqiptarëve çfarë i detyron të ndërtojnë 1 kilometër rrugë 20 milionë euro.

Partia Demokratike e ka bërë të qartë: Ne nuk do të njohim asnjë vendim të marrë nga kjo qeveri 12 muaj para zgjedhjeve, pa iu nënshtruar më parë ligjshmërisë së vendimit. Në rastin e Milot-Fier gjithçka vjen era korrupsion!”, tha ai


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë