Komunitet

Autorja e “Fifty Shades”: Burrat shqiptarë kriminelë, femrat skllave seksi!

Ndërkohë që po përgatitet për hapjen e sezonit turistik, Shqipëria është portretizuar nga autorja e “Fifty Shades of Grey” si “parajsa e kriminelëve dhe gangsterëve”, ndërkohë që gratë shqiptare i krahason me ato të vendeve të botës së tretë.

Romani i fundit erotik i autores britanike EL James ka angazhuar edhe diplomacinë, pasi Ambasadori i Shqipërisë në Britani reagoi ashpër në një intervistë me mediat atje.

Libri i ri i librit i autores së “Fifty Shades of Gray”, i titulluar “The Mister”, përshkruan historinë e një pastruese të varfër shqiptare, e cila është viktimë e gangsterëve dhe trafikimit seksual dhe dashurohet me një aristokrat britanik.

Qirjako Qirko, ambasadori shqiptar në Londër, tha se libri i portretizonte bashkatdhetarët tanë imagjinar si kriminelë primitivë dhe krijonte 'perceptime negative' për Shqipërinë.

Duke folur për gazetën britanike “The Telegraf”, ai tha se portretizimi i shqiptarëve në këtë libër ishte 'krejtësisht jorealist'.

"Më vjen keq që ekziston një roman i tillë që krijon perceptime të tilla negative për vendin tim. Shqiptarët janë njerëzit më të mirë që mund të takoni në jetën tuaj”, deklaroi ambasadori.

Qirjako Qirko

Kryefjala e “The Mister” duket se është romanca midis një aristokrati anglez Maxim Trevelyan dhe pastrueses së varfër shqiptare, Alesia Demaci.

Alesia është viktimë e trafikimit seksual në Britaninë e Madhe nga kriminelët shqiptarë. Ajo ikën prej tyre dhe merret me forcë në fshatin e saj nga i fejuari, një bandit tjetër i dhunshëm i cili kërkon që ajo të bëhet "një grua tradicionale shqiptare". Alesia detyrohet të martohet me të nga i ati.

Libri e paraqet Shqipërinë si një vend të botës së tretë dhe Alesian si një vajzë aq të prapambetur sa i referohet celularëve si "telefona të zgjuar". Madje kur sheh Maksimin të paguajë diçka me kartën e kreditit, Alesia thotë e mrekulluar: "Karta jote është magjike".

El James

I revoltuar, ambasadori shqiptar thotë se këto përshkrime janë "krejtësisht joreale".
“Realiteti i Shqipërisë është krejtësisht i ndryshëm dhe problemi i imazhit të vendit tim është një nga prioritetet e mia”, deklaron Qirko. “Shqiptarët janë njerëz miqësorë. Vitin e kaluar numri i turistëve u rrit me 32 për qind", thekson ai.

Qirko nuk e ka lexuar librin, i cili e përzien gjendjen e Alesias me skenat seksuale për të cilat James është e famshme. Por ai tha se ishte i pikëlluar të mësonte se personazhet shqiptare janë ose autorë ose viktima të krimit.

"Ka një komunitet prej 120,000 shqiptarësh në Britani të Madhe, kryesisht në Londër. Në një komunitet kaq të madh, natyrisht ka disa njerëz që kryejnë krime. Por ata janë vetëm disa individë, "tha ai.

Ambasadori shqiptar në Britani duket se nuk është kritiku i vetëm i autores së “Fifty Shade of Grey”. Një sërë komentuesish, shumica e të cilëve britanike, kanë komentuar në shkrimin e "The Telegraph" duke thënë se Shqipëria është një vend i mrekullueshëm me qytetarë mjaft mikëpritës.

Një nga shkrimet e para mbi librit, revista amerikane “Entertainment”, kritikon po ashtu autoren britanike James për përforcimin e klisheve për gratë e Europës Lindore. Po ashtu ajo i paraqet të gjithë burrat shqiptarë në roman si banditë të pamëshirshëm që rrëmbejnë Alesian (diçka që ndodh disa herë rresht).

Në një intervistë me “New York Times” për të folur për publikimin e librit, James tha se bëri kërkime të gjera mbi vendin tonë, duke vizituar dy herë Shqipërinë dhe duke blerë një fjalor shqiptar dhe një libër mbi krimin e organizuar. Ajo shtoi se bashkëshorti i saj kishte mësuar të bënte disa gatime tradicionale shqiptare. Ajo e ka përshkruar "The Mister" si "historinë e një Hirusheje në shekullin 21".

Libri u botua vetëm një javë pasi Shqipëria publikoi një fushatë turistike, bazuar në filmin “Taken”, duke i bërë thirrje Liam Neeson të vizitojë vendin tonë.

Vetë gazetat britanike shkruajnë se përtej perceptimit që mund të krijosh nga filma si “Taken” në realitet, Shqipëria ka një natyrë të bukur që njihet për mikpritjen dhe traditave të përjetshme.

Të pyetur nga “Daily Mail”, zyrtarët britanikë të turizmit këmbëngulin se reputacioni i Shqipërinë është 'tërësisht i pavërtetë', duke thënë se vendi ynë është tepër i sigurt për tu vizituar dhe jetuar". Duke iu referuar bukurisë së natyrës shqiptare, ata e cilësojnë vendin tonë si parajsën e fundit të Europës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë