Treg

Autoriteti i Konkurrencës mbyll hetimet për tregun e karburanteve. “Kompanitë me pozitë dominuese nuk kanë bërë shkelje”

Autoriteti i Konkurrencës në Shqipëri ka mbyllur hetimin e thelluar në tregun e karburanteve duke mos konstatuar asnjë shkelje në bazë të ligjit për mbrojtjen e konkurrencës.

Hetimi i thelluar u hap në qershor 2021, kur do të hetohej tregu i ngarkim-shkarkimit, importit, depozitimit, shitjes me shumicë të karburanteve, për periudhën kohore nga 1 Janari 2017 deri në 30 Tetor 2020.

Tre kompanitë që ishin nën monitorim janë tre të vetmet që dominojnë këtë treg. Petrolifera Italo-Albanese, PIA, që kryen aktivitetin në tregun e ngarkim-shkarkimit dhe depozitimit të karburanteve në portin Vlora-1, kompania Romano Port zotëron pozitë dominuese për kapacitetin deri në 20 mijë tonë në tregun e ngarkim-shkarkimit të anijeve që transportojnë karburante në zonën bregdetare Porto Romano, Durrës, ndërsa kompania Porti MBM zotëron pozitë dominuese për kapacitetin mbi 20 mijë tonë dhe me zhytje mbi tetë metra në tregun e ngarkim-shkarkimit të anijeve që transportojnë karburante, po në zonën bregdetare Porto Romano, Durrës.

Përveç se aktivitetit monopolistik, shqetësuese për këto kompani ka qenë dhe struktura e tyre vertikale si ndërmarrje, ku aksionerët e porteve janë njëkohësisht të pranishëm edhe në hallkat e tjera të importit dhe tregtimit me shumicë dhe pakicë të karburanteve

Sipas hetimit, karburantet që importohen në Shqipëri janë 80% naftë dhe 20% benzinë, ku mbi 90% kryhet vetëm në Portin e Durrësit dhe pjesa jetët në atë të Vlorës.

Por sipas AK-së, asnëjra nga këto kompani nuk ka abuzuar me rolin dominues në treg dhe për asnjërin nuk do të ketë masa ligjore.

“Referuar lidhjes aksionare në Porto Romano Durrës, rezulton se ekziston një lidhje integrimi vertikal e shoqërive koncesionare dhe shoqërive që kanë depozitat në këto koncesione, si dhe me tregtarët me shumicë në tregun e karburanteve, duke i dhënë ndërmarrjeve koncesionare një fuqi tregu, e cila duke patur parasysh pozitën e koncesionarëve në treg, mund të çojë në lidhjen e marrëveshjeve të ndaluara gjë që bie në kundërshtim me nenin 4 të ligjit “Për mbrojtjen e Konkurrencës”, nëpërmjet vendosjes së kushteve të padrejta të tregtimit dhe për pasojë në abuzim me pozitën e tyre në treg,”- thuhej në dokumentin e hapjes së hetimeve nga Autoriteti i Konkurrencës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë