Fluturimet nga Shqipëria drejt Italisë dhe anasjelltas do të vijojnë normalisht. Autoriteti i Aviacionit Civil ka bërë të ditur për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se disa lajmet që kanë qarkulluar këtë të dielpër pezullimin e fluturimet nga Italia drejt vendit tonë dhe anasjelltas, për shkak të koronavirusit të ri, që ka detyruar qeverinë e drejtuar nga kryeministri Konte të izoloi në 14 provinca me 16 milionë qytetarë, nuk janë të sakta.
Sipas Autoritetit, nuk ka asnjë vendim për pezullim fluturimesh nga Italia në Shqipëri dhe anasjelltas. “Është vendim i një kompanie për shkaqe operacionale, jo për shkak të virusit. Dinamika e ngjarjes të indukton të mendosh se mund të ketë lidhje me çështjen e koronavirusit, por e vërteta është se kompanitë e tjera janë duke kryer normalisht fluturimet e tyre drejt Italisë dhe anasjelltas”, thanë për zyrtarë të AAC.
Aviacioni Civil gjithashtu bënë të ditur se janë disa arsye kur një kompani njofton se ka anuluar fluturimet për “arsye operacionale”. Arsyet operacionale mund të jenë nga problemet në staf, problemet në logjistikë, problemet teknike, vonesat e avionëve, kushtet atmosferike…etj
Në faqen zyrtare të aeroportit të Rinas njoftohet për tre fluturime të anuluara me Italinë nga “Air Albania”, një në Romë, Milano dhe Bolonja. Ndërkohë që fluturimet vijojnë normalisht, në orën 11:10 dhe 12:20 janë nisur dy avionë nga Rinasi në drejtim të Milanos, të dy kompanive të tjera.

Top Channel raportoi gjatë ditës se një nga pesë kompanitë e fluturimit me Italinë, ka anuluar të dielën fluturimet me Romën, Milanon dhe Bolonjën, si edhe fluturimet anasjelltas. Burime zyrtare nga aeroporti i Rinasit, i thanë këtij televizioni, se anulimet janë bërë për arsye operacionale të kompanisë.
Megjithatë, nga kompania ende nuk ka pasur një reagim zyrtar për arsyet që e çuan drejt anulimit të gjashtë fluturimeve. Ndërkaq në aeroportin e Rinasit, njësia e inspektimit shëndetësor, vijon me kontrollet e pasagjerëve që vijnë nga vendet të cilat kanë qytetarë të prekur me COVID-19, siç është Italia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




