Irena Beqiraj

Autobusi falas i Belos


Një i ri gjerman i cili kishte përshkruar me transportin publik me biletën 9 euro në muaj, në tre muaj 11.500 km, -një politikë kjo shumë popullore e ndërmarrë nga Kancelari Gjerman në vigjilje të luftës në Ukrainë, - pyeti në gusht të vitit të kaluar ministrin gjerman të Financave Christian Lindner, se përse po i jepte fund një prej politikave më të përkrahura në Gjermani: biletës më të lirë të transportit publik që kishte pasur Gjermania?

Përgjigja që mori nga Lindner ishte e ftohtë e prerë dhe e drejtpërdrejtë  - “11.000 km vetëm me 27 euro? Kjo është thjesht e paqëndrueshme!”

Transporti publik falas kohët e fundit është paraqitur si ilaçi kurues i disa prej sëmundjeve shoqërore që shqetësojnë njerëzimin duke filluar tek mbrojtja mjedisore, trafiku i rënduar apo edhe pabarazia sociale.

Në një përpjekje për “t’u shëruar sa hap e mbyll sytë” nga të gjithë këto sëmundje, rreth 97 qytete në mbarë botën i kanë bërë sistemet e tyre të transportit publik pa pagesë.

Përtej debatit pa ndonjë vlerë politike se sa kushton një vendim i tillë, se në politikë petullat bëhen vetëm me ujë, pyetja më interesante është si do të ndikonte transporti publik falas në përditshmërinë e qytetarit.

Në Kryeqytetin e Talin të Estonisë, 460.000 qytetarët e tij kanë udhëtuar falas me autobusë, tramvaje dhe trena që nga viti 2013. Vitin e kaluar Auditimi Kombëtar i Estonisë ka bërë një vlerësim të kësaj politike gati 10 vjeçare edhe gjetjet janë për t’u mos u humbur.

Së pari, sipas të dhënave të mbledhura në 9 vjet, sistemi i transportit falas nuk ofroi reduktim të trafikut të automjeteve personale. Pjesa e udhëtimeve me makinë u rrit nga 42% në 48%. Si rrjedhim dhe ndikimi në uljen e ndotjes mjedisore nga transporti nuk u arrit.

Së dyti, transporti publik falas rriti me 25%  numrin e pasagjerëve por zhvendosja erdhi kryesisht nga këmbësorët dhe përdoruesit e biçikletës, dhe jo nga njerëzit që zakonisht përdornin makinat. Ndërkohë që transporti publik falas inkurajoi përdorimin e panevojshëm dhe të tepruar të shërbimit falas në kurriz të buxhetit të bashkisë.

Ndërkohë që niveli edhe rrjeti i shërbimit të transportit  publik në Talin nuk u zhvillua më që kur trasporti u bë falas.

Asnjë linjë e re tramvaji nuk u ndërtua, dhe asnjë linjë urbani nuk u shtua që prej vitit 2013, megjithëse qyteti u zgjerua duke ndikuar negativisht në përvojën e përdoruesve të trasportit për shkak të mbipopullimit dhe vonesave.

Ndaj edhe 1700 pasagjerë me të ardhura të ulta të cilët ishin përdorues të trasportit publik në një anketë theksuan se më shumë se tarifa 0 , ishin të interesuar për cilësinë, shpejtësinë dhe rrjetin e  shpërndarjen në gjithë territorin të transportit publik. Në 9 vite ishin qartësuar mbi kostot e larta të tarifës 0.

Siç tha Lindner thjesht një politikë e paqendrueshme ekonomikisht.

Është mëse e dukshme tanimë që brezi i ri i politikanëve një gjë e ka mësuar më mirë dhe më shpejt seç duhet, që një votues e ka shumë më të lehtë të identifikojë përfitimin personal ekonomik i cili bëhet i disponueshëm për një kohë të shkurtër sesa të evidentojë  interesin personal i cili kalon nëpërmjet zhvillimit të interesave të qytetit apo vendit.

Ndaj nxitimthi (pa studime mirfilli) pa u menduar dy herë, nuk ngurojnë, të ekzaltuar të artikulojnë politika ekonomike që i përgjigjen fletëve të votimit, të cilat çojnë në pasoja të dhimbshme, ndonjëherë qesharake dhe të stërprovuara.

 Pikërisht kjo mendësi shoqëron kryq e tërthor premtimin e transportit publik falas

E pra në një vend që flitet vetëm për shërbime falas, të cilat kanë vetëm një problem që na kushtojnë shtrenjtë, ku qëndron ndryshimi nëse flasim edhe "gëzojmë" edhe për “autobusin falas të Belos”?!


Copyright © Gazeta “Si”