Analize

Austria, Sllovenia dhe Kroacia do japin garanci për lirimin e Thaçit, Veselit e Selimit. A do ta bëjë këtë edhe Shqipëria?

Ish drejtuesit më të rëndësishëm të Kosovë pas luftës, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kreu i Partisë Demokratike dhe ish Kryeparlamentari Kadri Veseli, ish Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, si edhe ish komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi ndodhen prej shtatë muajsh në paraburgim në Hagë nën akuzat për krime lufte.

Edhe pse avokatët mbrojtës kanë kërkuar disa herë lirimin me kusht të tyre, Gjykata Speciale ka hedhur poshtë mundësinë. Veseli është i vetmi që ka marrë tri ditë lirie për të takuar babin e sëmurë në Mitrovicë, ndërkohë që ish-presidenti Thaçi ka festuar së fundmi ditëlindjen në qelinë ku qëndron prej 5 nëntorit të vitit të kaluar. Megjithatë, për ish udhëheqësit e Kosovës duket se është  shfaqur së fundmi një dritë në fund të tunelit.

LEXO EDHE:
Dy dekada më parë, kur Thaçi kërkonte lirimin e Kurtit nga burgu. Sot, cilat shtete do futen garant për ish drejtuesit e UÇK?

Kroacia, Sllovenia dhe Austria mësohet se kanë dalë garantë për lirimin e tyre me kusht dhe pritet t’i çojnë së shpejti një kërkesë zyrtare Gjykatës së Hagës. Lajmi u bë i ditur nga ish-komandanti i UÇK-së në Zonën e Koshares, Hisen Berisha, i cili tha se tre vendet anëtare të Bashkimit Europian e morën këtë vendim pasi Gjykata Speciale u komunikoi avokatëve të Thaçit, Veselit dhe Rexhepit se për lirimin e tyre duhet të dilte garant një shtet i tretë.

“Presidenti kroat u tregua i gatshëm të bëhet garant për lirimit me kusht të të arrestuarve të UÇK në Hagë’, thekson Berisha. “Pas Kroacisë edhe Austria dhe Sllovenia vendosën të ofrohen garant të lirimit me kusht të të arrestuarve në Hagë. Kjo nuk do të ishte as hera e parë dhe as e fundit që një zytar i akuzuar nga Haga lirohet me kusht pas garancisë së dhënë nga shteti amë se ai nuk do të arratiset, madje është një praktikë e njohur për vendet e ish-Jugosllavisë. Por duke qënë se Kosova nuk njihet nga të gjitha vendet e BE-së dhe Serbia, Haga kërkon ndërhyrjen e një vendi të tretë.

Thaci. Veseli dhe Selimi gjatë një seance të Gjykatës Speciale

Duke folur për mediat, Berisha i bëri thirrje Shqipërisë t’i bashkohet sa më parë Kroacisë, Austrisë dhe Sllovenisë, në mënyrë që lirimi me kusht i tre zyrtarëve të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur. “Shqipëria të veprojë institucionalisht sa më parë të jetë e mundur”, thotë ish-komandanti i UCK-së.

Ai i drejtohet po ashtu me një thirrje të veçantë presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, për të ofruar garancinë e tyre dhe sipas tij për të treguar “integritet personal”.

“Përfaqësuesit institucional të Kosovës duhet të bëjnë kërkesën zyrtare në emër të tre shteteve që ofrojnë garanci dhe të nisë procedurat formale në Hagë. Institucioni i Presidentes, Kryeministrit dhe Krye parlamentarit duhet që të parashtrojnë kërkesën zyrtare. Udhëheqësit aktualë nuk duhet të harrojnë se ai po gjykohet është lidershipi shtetëror dhe ai i UÇK-së. Kurti të moa harrojë kërkesën e Thaçi për lirimin e Kurtit specifikisht. Ju duhet të veproni si institucione, gjë për të cilën obligoheni ligjërisht”, shkruan Hisen Berisha.

Ai zbulon se ka qene presidenti i Kroacisë, Zoran Milanovic ai që u ka kërkuar Austrisë dhe Sllovenisë të japin po ashtu garancinë për lirimi ish-presidentit Thaçi, Selimit dhe Veselit, në mënyrë që ata të mbrohen në liri.

Megjithatë sipas analistëve, Kosova nuk është e vetmja që duhet të hidhet në veprim. Analsti Ehat Miftaraj thotë se reagimi i Shqipërisë është po aq i nevojshëm.

Jo vetëm Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, por edhe Presidenti shqiptar, Ilir Meta dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mund të garantojnë për lirimin me kusht të ish-presidentit Hashim Thaçi nga Haga. Nëse kjo nuk garantohet nga Kosova, mund të garantohet nga Shqipëria, nga Presidenti Meta apo Kryeministri Rama”, u shpreh Miftaraj.

Deri më tani, nga Tirana zyrtare nuk ka asnjë reagim. Kryeministri Edi Rama ka shkëmbyer së fundmi një letër me ish-presidentin Thaçi, ku e uronte për ditëlindje, ndërkohë që ky i fundit i kërkonte të kujdesej për Kosovën dhe e uronte për fitoren e mandatit të tretë.

Paneli i Gjykatës së Apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë shprehur qëndrimin se ekzistenca e një Shteti të Tretë mund të shihet si “ofertë” vendimtare brenda kornizës së lirimit me kusht.

“Një ofertë e tillë mund të jetë më precize dhe konkrete në rastet e ardhshme dhe mund të jetë një argument i fortë në favor të lirimit me kusht. Sigurisht, vendimi konkret është gjithmonë specifik për çështje dhe oferta e Shtetit të Tretë në asnjë mënyrë nuk e garanton do të jepet lirimi me kusht. Por ajo duhet të konsiderohet seriozisht nga gjyqtari i procedurës paraprake ose kolegji kompetent”, thuhet në vendimin e Dhomës së Apelit të nënshkruar nga gjyqtari Judge Kai Ambos, në lidhje me apelimin për lirimin me kusht të ish-presidentit, Hashim Thaçi.

Në rastin e apelimit për lirim me kusht të Kadri Veselit, paneli i Dhomës së Apelit thotë se garancitë nga shteti i Kosovës mund të kenë peshë të konsiderueshme në mbështjetjen e një aplikimi për lirimin e përkohshëm.

“Gjyqtari i procedurës paraprake ende duhet të vlerësojë peshën që duhet të jetë dhënë për garanci të tilla dhe më shumë në garancinë e siguruar nga Policia e Kosovës”, thuhet në vendimin e panelit të Apelit.

Gazetari Agron Halitaj kujton se si ish-kryeadministratori i Kosovës, Soren Jessen-Petersen, kishte shprehur garanci për lirim e ish-kryeministri Ramush Haradinaj, i cili po gjykohej për krime lufte në Hagë.

“Kur merret si shembull rasti i lirimit të Ramush Haradinajt nga Gjykata e Hagës për t’u mbrojtur në liri, dhe përmendet vetëm garancia e ofruar nga liderët institucional të asaj kohe në Kosovë, më në krye ish-presidentin Ibrahim Rugova, por edhe qëndrimi i Soren-Jessen Petersen. Nuk duhet harruar se asokohe ky burrë ishte kryeadministrator i Kosovës, dhe si i tillë ishte autoriteti numër një në vendin tonë. Me të shkuar Haradinaj në Hagë, ai pati deklaruar menjëherë publikisht se ishte i gatshëm të ofronte garanci nëse ish-kryeministrit do t’i ofrohej mundësia që të mbrohet në liri”, thotë ai.

Gazetari thekson se historia politike e pasçlirimit të Kosovës i mban në mend Thaçin e Kurtin si dy kundërshtarët më të mëdhenj politikë. “Ata shpesh e kanë akuzuar njëri-tjetrin edhe për të bëmat gjatë dhe para luftës, por shpresoj që Kurti të lërë pas inatet e të shkuarës dhe të kuptojë se parësore është interesi kombëtar dhe imazhi i Kosoëvs”, thotë gazetari.

Të njëjtën thirrje ka edhe analisti Fitim Salihu, i cili kujton të gjitha rastet kur politikanët e Kosovës kanë shpëtuar bashkëkombësit e tyre nga burgimi në Hagë, duke mbrojtur historinë e Kosovës. 

“Ibrahim Rugova ka garantuar për lirimin me kusht të Ramush Haradinajt. Nexhat Daci ka garantuar për lirimin me kusht të Fatmir Limajt. Burrështetasi dallohet prej politikanit të zakonshëm e të mllefosur nga aftësia për të dalë mbi inatet ditore në momente kur preket historia kapilare e kombit. Krerët aktualë të shtetit nuk e thanë asnjë fjalë për krerët e UÇK-së që sot po gjykohen. Po gjykohen për luftën e tyre për lirinë e Kosovës. Asnjë garanci nuk ka ardhur  nga institucionet tona për lirimin e tyre me kusht. Gjykata Speciale tha se ju nuk keni shtet që garanton për lirimin e tyre me kusht. Në Prishtinë, si përgjigje, shteti heshti. Heshtja është aprovim. Smira e mllefi mbytën historinë dhe lirinë", thotë Saliu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë