Podcast

Audio-Lajme shkurt 9 tetor 2019

Rama: Disa prokurorë dhe gjyqtarë pa vetting po luajnë keq
Akuzat e Kryeministrit Edi Rama se një pjesë e prokurorëve dhe gjyqtarëve që nuk kanë kaluar ende vettingun po “luajnë keq”, megjithëse u bë në anglisht, tingëlloi shumë shqip. Gjatë një takimi me temë “Fund dhunës ndaj grave”, kreu i Qeverisë fajësoi sistemin e drejtësisë se nuk e ka trajtuar as seriozisht dhe as profesionalisht këtë fenomen në shoqërinë shqiptare. Rama foli për prokurorë dhe gjyqtarë që janë të vetëdijshëm që nuk e kalojnë vettingun dhe që sot nuk zbatojnë ligjin, por “luajnë që t’i kenë të gjitha”. Pak më vonë, Rama foli nga foltorja e Kuvendit. Rama i cilësoi këta persona me inicialet “KÇK”, që nënkuptonte “Kap Ça të Kapësh”. Sipas kryeministrit, “KÇK” duhet të shpallet në kërkim nga Parlamenti, ndërsa deputetët duhet të ushtrojnë funksionin e tyre dhe jo të presin përfundimin e vettingut.

Kushti që shmang veton e Holandës për negociatat
Holanda nuk do të vërë veton ndaj Shqipërisë nëse vendet e tjera të Bashkimit Europian bien dakord për hapjen e negociatave me vendin tonë.
Gjatë një seancë parlamentare, ministri i Jashtëm holandez deklaroi edhe njëherë se fillimi i negociatave me Shqipërinë do të ishte i parakohshëm pasi sipas tij, vendi ynë nuk i ka plotësuar kushtet e vendosura nga Brukseli zyrtar.
Duke debatuar për Shqipërinë, shumica e ligjvënësve holandezë kundërshtuan të japin dritën jeshile, duke përmendur dy kushtet kryesore që duhet të përmbushë vendi ynë, reformimin e strukturave gjyqësore dhe përmirësimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Disa parti, si të Gjelbrit, favorizuan vendimin e Bundestagut gjerman, i cili muajin e kaluar mbështeti hapjen e negociatave me Shqipërinë, duke vendosur nëntë kushte.

Një portugeze i zë vendin Flenckenstein si raportuese për Shqipërinë
Eurodeputetja portugeze Maria Isabel Santos pritet të zgjidhet raportuesja e re për Shqipërinë, në Parlamentin Europian, duke pasur kështu gjermanin Knut Fleckenstein.
Isabel Santos u zgjodh si Anëtare e Parlamentit Europian këtë vit dhe është një figurë e njohur politike në Portugali.
Ajo ishte anëtare e delegacionit Portugez në OSBE, e cila ka lehtësuar përgjatë javëve të fundit dialogun për reformën zgjedhore në Shqipëri.
Si raportuese e Parlamentit Evropian për Shqipërinë, ajo do të jetë përgjegjëse për hartimin e raporteve vjetore mbi vendin tonë, i cili do të diskutohet më pas në seancat plenare. Ajo pritet të nxjerrë në pah çështjet për të cilat BE-ja shqetësohet më shumë lidhje me Shqipërinë.

Shtyhet vendimi për Kopshtin Botanik, Veliaj kërcënon
Pas vendimit të qeverisë për të kaluar Kopshtin Botanik në pronësi të Bashkisë së Tiranës, studentë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës shkuan sot para Gjykatës Administrative për të protestuar dhe kërkuar që Kopshti Botanik të qëndrojë në pronësi të Universitetit të Tiranës.
Seanca në Gjykatën Administrative, ku do të shqyrtohej padia e Universitetit të Tiranës ndaj vendimit, u shty për në datën 20 tetor.
Dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Spiro Drushku, në një prononcim për mediat tha se është i zhgënjyer nga Ministria e Arsimit, pasi Kopshti Botanik nuk është park.
Ndërsa, kryebashkiaku Erjon Veliaj në mbledhjen e Këshillit Bashkiak lidhur me Kopshtin Botanik hodhi akuza mbi Partinë Demokratike, duke deklaruar se PD e ka vjedhur një pjesë të tij, duke i futur autostradën mespërmes. Kryebashkiaku hodhi akuza edhe për rektorin Mynyr Koni, i cili më herët pati theksuar se VKM-ja në fjalë ishte në shkelje të plotë. Veliaj tha se Konit i kanë mbetur dhe pak ditë në krye të Rektoratit.

Kopshti Botanik, opozita e cilëson grabitje të pronës
E ndërkaq, opozita konteston kalimin në pronësi të Kopshtit Botanik te Bashkia e Tiranës, duke e cilësuar si një akt të qeverisë që synon të tjetërsojë truallin në pallate ndërtimi. Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi dhe ish-deputeti i PD-së, Luçiano Boçi e cilësuan si një grabitje të pronës. Sipas tyre, vendimi i qeverisë së Edi Ramës grabit 15 hektarë të Kopshtit Botanik me synimin për të pastruar aty në fushën e ndërtimit me miliona euro para të pista. Vendimi i marrë sipas tyre eliminon krejtësisht punën kërkimore shkencore në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe i jep një goditje fatale procesit akademik.
Universiteti i Tiranës ka hedhur në gjyq vendimin e qeverisë dhe se Gjykata Administrative e shtyu dhënien e vendimit më 20 tetor.

Do të hiqen lejet mjedisore për bizneset e vogla
Pas debateve në distancë me kryebashkiakun Erjon Veliaj për lejet mjedisore, i cili kërkonte që t’u kalonin bashkive, ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi ka prezantuar sot një nismë të re, që kërkon heqjen e plotë të lejes mjedisore të tipit C. Sipas tij, ndotësit e vërtetë të mjedisit nuk janë bizneset e vogla, që janë poshtë pallateve, dhe ministria që ai drejton do të fokusohet te lufta me ndotësit e vërtetë të mjedisit. Klosi, gjatë takimit me grupet e interesit, ka bërë me dije se tani e tutje shkeljet mjedisore do të trajtohen nga ana e Ministrisë së Rendit, dhe në asnjë pikë nuk sheh të vlefshme ndërhyrjen e bashkive.
“Duam të heqim kategorinë e lejeve C. Është fakt duhet ta pranojmë unë i pari kokëulur, inspektorët merren me një lavazh, dhe harrojnë ndotësit e vërtetë. E kemi shpallur nismën tonë. Shkeljet mjedisore do t’i kalojnë Ministrisë së Rendit”, tha Klosi.

Vjosa i thotë “PO” Albinit!
Kandidatja e parë për kryeministre në Kosovë, Vjosa Osmani ka pranuar publikisht sot ftesën e Vetëvendosjes për të bashkëqeverisur Kosovën.
Duke folur pasi iu refuzua kërkesa për rinumërimin e votave, kandidatja e LDK-së për kryeministre është shprehur se rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit ka treguar që qeverinë e ardhshme duhet ta udhëheqin dy partitë që kanë qenë deri dje në opozitë,
Ajo ka thënë se tashmë e vetmja sfidë për të është arritja e koalicionit me Vetëvendosjen. Deklarata e Osmanit vjen edhe pas ultimatumit të Albin Kurtit që nëse nuk arrihet koalicionin me Lidhjen Demokratike të Kosovës atëherë vendi do të shkojë përsëri në zgjedhje.
Kurti është shprehur se partia e parë që do t’i trokasë në derë për koalicion është LDK-ja, e cila udhëhiqet nga Isa Mustafa.
Por analistët parashikojnë bisedime të vështira për të arritur koalicion qeveritar, pasi Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë parti diametralisht të kundërta . LDK është parti e djathtë, ndërsa Vetëvendosje është parti e majtë.

OKB s’ka para për rrogat, Guterres: Faji i vendeve anëtare
Arka e Organizatës së Kombeve të Bashkuara mund të mbetet bosh në fund të këtij muaji, duke rrezikuar që në nëntor pagat për 37 mijë punonjësit e saj të mos derdhen në kohë. Alarmi është dhënë nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres përmes një letre të shpërndarë ditën e hënë për të gjithë administratën e organizatës. Letra është siguruar nga agjencia e lajmeve AFP. Sipas AFP-së, në të Guterres thotë vendet anëtare kanë derdhur deri më tani vetëm 70 për qind të shumës së nevojshme për buxhetin e 2019, që do të thotë se paratë mjaftonin për të mbuluar shpenzimet operacionale të OKB-së deri në muajin shtator. Buxheti i OKB-së për 2018-2019 shkon afër 5 miliardë euro, pa përllogaritur këtu shpenzimet për misionet paqeruajtëse, që kjo organizatë drejton kryesisht në vendet afrikane. SHBA është kontribuesi më i madh me 22 për qind, por mbetet ende e paqartë nëse Uashingtoni ka derdhur të gjithë këtë shumë apo jo.

Italianët ulin numrin e deputetëve: Kursejmë 1 mld euro në 10 vite
Parlamenti italian votoi në favor të reduktimit të numrit të deputetëve në të dyja dhomat e tij. Propozimi redukton dhomën e ulët nga 630 deputetë që ka aktualisht në 400 dhe senatin nga 315 në 200 anëtarë. Reforma është një premtim i Lëvizjes 5 Yjet, që deklaron se reduktimi i numrave e bën parlamentin më funksional dhe për më tepër u kursen taksapaguesve italianë miliona euro rroga dhe shpenzimet në formën e dietave. Megjithatë, kritikët thonë se ulja e numrit të deputetëve dhe senatorëve dobëson demokracinë dhe rrit ndikimin e lobistëve. Ligji i ri me gjasë do të kalojë për miratim në referendum popullor, pasi kërkon ndryshime kushtetuese. Lëvizja 5 Yjet mendon se me këtë vendim do të kursehen të paktën 1 miliardë euro në dhjetë vitet e ardhshme.

Para Turqisë, Veseli: Na mungon një lider, por mund të fitojmë
Shqipërisë së pas Europianit të 2016 në Francë i ka munguar gjithmonë diçka në fushë, pavarësisht përpjekjeve të ish-trajnerit Panuçi dhe të trajnerit aktual, Edi Reja. Kjo është vënë re edhe nga vetë grupi aktual i kuqezinjve dhe këtë e theksoi Frederik Veseli. Mbrojtësi doli në konferencë për shtyp para ndeshjes me Turqinë dhe pranoi se entuziazmi në skuadër nuk është i njëjtë me atë të Europianit. Veseli vlerëson atmosferën në grup, por vëren se mungon një lider. Megjithatë, Veseli u shpreh i bindur se Shqipëria i ka kapacitetet për të përsëritur rezultatin e miqësores së fundit të luajtur ndaj Turqisë, ku kuqezinjtë dolën fitues. Para gazetarëve doli edhe mbrojtësi i Partizanit, Lorenc Trashi. Për të kjo është hera e tretë që thirret në Kombëtare, megjithëse nuk është aktivizuar asnjëherë. Vetë futbollisti u shfaq i duruar, ndërsa Kombëtaren e sheh edhe si trampolinë për t’u transferuar jashtë Shqipërisë.

Serbët e Crvena Zvezda ndalohen të hyjnë në Kosovë
Klubi i njohur serb i Crvena Zvezdës nuk luajti në territorin e Kosovës një ndeshje zyrtare futbolli. Në program ishte ndeshja e Kupës së Serbisë me Trepçën, një ekip serb nga Kosova, por skuadra nga Beogradi nuk është lejuar nga Policia e Kosovës të kalojë në Jarinjë. Sipas shtypit kosovar, ishte diçka e pritshme, sepse Federata Kosovare e Futbollit e kishte bërë të qartë se kjo ndeshje nuk do të zhvillohej. Për këtë gjë, FFK-ja kishte kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës, ndërkohë që e ka përcjellë shqetësimin e saj edhe në FIFA e UEFA për provokimet nga Serbia, që përfshin në garat zyrtare edhe klube serbe që janë në territorin e Kosovës. Skuadra e Trepçës në Mitrovicën Veriore nuk njeh Federatën e Futbollit të Kosovës.

 

Më Shumë