Kryediplomati i ri grek “rrezikon” negociatat për Shqipërinë
Ministri i ri i Jashtëm i Greqisë nuk është profili nga ku mund të reflektohen qëndrimet e ashpra dhe të drejtpërdrejta të Qirjakos Mitostaqisit ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, por sërish me Nikos Dendiasin në krye të diplomacisë greke, Tiranën e presin kohëra më të vështira sa u takon bisedimeve dypalëshe për çështjen e kufirit detar dhe për ccështjet e tjera, që mund të ngadalësojnë rrugën e integrimit në Bashkimin Europian.“Dhimbja” e madhe e kokës për të do të mbërrijë nga lindja. Turqia është prej kohësh në qendër të debateve të politikës greke për aksionin e kërkimit të naftës në ujërat mesdhetare në veri të Qipros. Dendias ka kritikuar kabinetin e Aleksis Tsipras për mefshtësi përballë këtyre aksioneve turke dhe ka kërkuar një qëndrim më të ashpër. Por, jashtë vëmendjes nuk ka për të qëndruar Shqipëria. Si deputet i Demokracisë së Re në parlamentin grek, ai ka kritikuar diplomacinë e ndjekur nga “adashi” i tij, Nikos Kotzias në bisedimet me Shqipërinë. Dendias, së bashku me korin e drejtuesve të tjerë të Demokracisë së Re kërkonte që të bëhej transparencë se për çfarë po diskutonin dy vendet dhe akuzonte se nga pakti Kotzias-Bushati përfitonte Shqipëria.
Opozita pa një datë të re për protestën e radhës
Opozita pas protestës së dhjetë kombëtare përpara Kryeministrisë pritet të hartojë një strategji të re për të plotësuar kushtet e saj për largimin e Ramës, krijimin e një qeverie tranzitore dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Deri më tani mësohet se Partia Demokratike nuk ka përcaktuar një datë të re për protestën e radhës. Një gjë e tillë pritet të caktohet pas konsultimeve që kryedemokrati Lulzim Basha do të zhvillojë me krerët e partive aleate.
Ambasadori austriak i përgjigjet kryebashkiakes: S’jemi më në 1913
Ambasadori austriak, Xhohan Satler, i është përgjigjur me një refuzim kërkesës së kryebashkiakes së Shkodrës, Voltana Ademi se ndërkombëtarët të krijojnë një komision të posaçëm për administrimin e bashkive deri në zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri.
“Do isha i lumtur të diskutoja. Por 2019 nuk është 1913. Shqipëria aspiron të hapë negociatat me BE. Kjo kërkon aftësinë për të zgjidhur problemet politike. Dhe për këtë nevojiten dy gjëra: Sezoni i konfliktit duhet të ndiqet nga sezoni i zgjidhjes së konflikteve. Shqiptarët duan të shkojnë me pushime me mendje të qetë”, ishte reagimi i diplomatit austriak nëpërmjet rrjeteve sociale.
Një ditë pas protestës, shefja e ODIHR një orë në zyrën e Bashës
Drejtuesja e misionit të OSBE/ODIHR, Audrey Glover, ka zhvilluar mesditën e sotme një takim me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Takimi mes Glover dhe kryedemokratit Basha ka zgjatur rreth një orë dhe është zhvilluar në selinë blu.
Partia Demokratike së bashku me aleatët e saj kanë denoncuar publikisht se votimet e 30 qershorit u administruan nga PS, pasi anëtarët e komisioneve ishin emëruar nga socialistët.
Raporti përfundimtar i vëzhguesve të ODIHR pritet të bëhet publike brenda dy muajve.
Partia Demokratike në protestën e zhvilluar mbrëmjen e së hënës kërkoi largimin e Edi Ramës, duke ngulmuar se opozita nuk bën asnjë hap pas.
Ekspertët: Antishpifja cenon lirinë e medias dhe bie ndesh me Kushtetutën
Paketa e re Antishpifje e hartuar nga qeveria cilësohet nga ekspertët si në kundërshtim me Kushtetutën dhe konventat evropiane. Erida Skëndaj, drejtuesja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit ndan mendimin se ndëshkimi nuk mund të jepet nga institucionet që janë në varësi të Ekzekutivit, por atë mund ta japin vetëm gjykatat.
Ndërsa gazetari Gjergj Erebara deklaron për Gazeta Si, se pavarësisht se ka përmirësime projektligjet bien ndesh me Kartën Europiane të të Drejtave të Njeriut duke ngatërruar konceptet nga fusha e etikës me koncepte ligjore, duke krijuar një sistem policie morale me fuqi gjyqësore.
KPA shkarkon nga detyra gjyqtaren Alma Brati
Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar nga detyra Gjyqtaren e Shkallës së Parë, Alma Brati.
Ndërkohë, rezulton se Brati ishte konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Pavarësisht vendimit të KPK-së, ishte Komisioneri Publik ai që më 18 dhjetor ankimoi vendimin dhe pas kërkesës së këtij të fundit, KPA rinisi hetimin administrativ ndaj Bratit.
Në KPA janë paraqitur prova të reja shtesë, të cilat kanë cuar trupën gjykuese në dhënien e vendimit për shkarkimin e gjyqtares Brati.
Gjyqtarja Brati ishte kandidate për anëtare e Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Dyshohej se vrau kunatin në Korçë, por 71-vjeçari vret veten
Policia ka dhënë të tjera detaje nga ngjarja e ndodhur mbrëmë në qytetin e Korçës, ku u gjet i vdekur në banesën e tij 57-vjeçari Gramoz Nako, baba i dy fëmijëve, i cili jetonte në SHBA dhe ishte kthyer në vendlindje për pushime.
Policia në një njoftim të sajin bën me dije se autori i dyshuar i vrasjes është 71-vjeçari Sefedin Zenellari, kunati i 57-vjeçarit Nako.
Por mëngjesin e sotëm kur policia ka shkuar që ta shoqërojë, i moshuari ka vrarë veten.
71-vjeçari është vetëvrarë me armë zjarri tip pistoletë, në banesën e tij ku jetonte i vetëm.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Dyshohet se mbrëmjen e djeshme dy kunetërit janë konfliktuar me njëri-tjetrin pasi 71-vjeçari kishte shkuar t’i grabiste paratë.
Tre musketierët vazhdojnë pa probleme, mbyllet ëndrra e Gauf në Wimbledon
Ka vijuar pa shumë surpriza dita e 8-të e Wimbledon. Te meshkujt nuk ka asnjë befasi në ndeshjet e radhës, ndërsa te femrat situata është pak më ndryshe. Rafael Nadal, Roxher Federer dhe Novak Gjokoviç, të tre muskëtierët e tenisit botëror vijojnë të jenë në garë për ta fituar këtë Grand Slam. Roxher Federer arriti një rekord, duke shkuar për herë të 17-të në çerekfinalet e Wimbledonit, ndërsa italian i ri Mateo Berretini u mposht pa shumë sforco. Për të vazhduar rrugën drejt titullit të 9-të në Grand Slam-in britanik, zvicerani kishte nevojë vetëm për 1 orë dhe 14 minuta duke marrë një fitore të pastër 3-0 me sete 6-1 6-2 6-2. Novak Gjokoviç dhe Rafael Nadal gjithashtu vazhduan rrugën e tyre të fitoreve me 16 triumfe të njëtrajtshme. Ndërsa, Koko Gauf. 15-vjeçarja amerikane u mund nga Simona Halep.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.