Podcast

Audio-Lajme shkurt 9 janar 2020

Politika si rrezik për investitorët, “Fitch” zhvlerëson Shqipërinë

Në raportin mbi riskun politik afatshkurtër agjencia e njohur ndërkombëtare e vlerësimeve “Fitch Solutions” vë theksin se tensionet politike përgjatë 2019-ës kanë përkeqësuar klimën e të bërit biznes në Shqipëri dhe kanë shtuar dozat e risqeve për investitorët potencialë për 2020. Në një shkallë vlerësimi nga 0 deri në 100, ku zero risku është maksimal dhe 100 klima për investitorët është optimale dhe risku nuk ekziston, “Fitch” rendiste Shqipërinë me 59.8 pikë në janar të vitit të kaluar. Vlerësimi ndryshon me -6.3 pikë në rivlerësimin që “Fitch Solutions” bën në raportin e publikuar në dhjetor të 2019. Agjencia jep edhe arsyet kryesore që ndikuan në këtë zhvlerësim, që sipas saj janë protestat, rritja e tensioneve mes partive politike, bojkoti i zgjedhjeve vendore nga ana e opozitës dhe refuzimi i Bashkimit Europian për të hapur negociatat e anëtarësimit.

Presidenca e OSBE-së, Rama: T’i kthejmë borxhin organizatës

Kryeministri Edi Rama thotë se Shqipëria është në borxh me OSBE-në dhe Presidencën e radhës të kësaj organizate e sheh jo vetëm si përgjegjësi, por edhe si një mundësi për t’i kthyer mbrapsht këtë borxh. Në fjalën e mbajtur në ceremoninë e marrjes zyrtarisht të kryesimit, Rama foli për “pakënaqësitë” që mund të shkaktojnë përfaqësitë e këtij organizmi nëpër vendet anëtare. “Nuk më pëlqen OSBE kur jam në Qeveri, se më duket shumë e ashpër. Nuk më pëlqente as kur isha në opozitë se më dukej shumë e butë”, u shpreh ai. Dialogu për zgjidhjen e konflikteve, barazia gjinore dhe lufta kundër korrupsionit janë tre objektivat që presidenca shqiptare ka vendosur për OSBE-në në këtë vit.

Gjenerali amerikan: Shqipëria, shënjestër e Iranit

Gjenerali amerikan, Michael Barbero, ka paralajmëruar në një konferencë të mbajtur në Tiranë se Shqipëria mund të jetë një shënjestër për Iranin.

I pyetur nga Gazeta Si nëse Shqipëria mund të binte pre e agresionit të Iranit, gjenerali i SHBA-së në Lindjen e Mesme i bëri thirrje autoriteteve shqiptare të jenë vigjilente.

“Çdo aleat i besuar i SHBA-së po cilësohet shënjestër. Kështu që mendoj se është e rëndësishme të jemi vigjilentë”, u shpreh Barbero, duke ngritur shqetësimin se rreziku më i mundshëm ishin sulmet kibernetike.

SHBA i bën thirrje Shqipërisë të qëndrojë larg Kinës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë kërkuar edhe njëherë sot Shqipërisë të qendrojë larg Kinës. Gjenerali amerikan Michael Barbero ka paralajmëruar vendin tonë të mos joshet nga investimet kineze, dike e cilësuar këtë të fundit si kërcënimin dhe armikun më të madh vendeve të NATO-s. Sipas tij, Kina është tigri që do të hajë “shumë nga kokat” e aleatëve të SHBA-së dhe aleancës Veri-Atlantike.

Duke folur në një konferencë në Tiranë për tensionet në Lindjen e Mesme, Barbero u ndal gjatë te Kina, duke deklaruar se investimet kineze përbënin një kërcënim për sigurinë kombëtare të Shqipërisë dhe vendeve të rajonit.

Ekstradimi i gylenistit në Turqi, eurodeputetja letër Metës dhe Ramës

Eurodeputetja rumune, Ramona Strugariu i ka nisur një letër zyrtare Presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama, në të cilën kërkohen sqarime për mënyrën se si është ekstraduar mësuesi gylenist drejt Turqisë, Harun Çelik. Në këtë letër kërkohet të njihet konkretisht me procedurat e ekstradimit nëse ato kanë qenë edhe në përputhje me detyrimet që Shqipëria ka ndaj zbatimit të detyrimeve të ligjit europian dhe ndërkombëtar për ekstradimet, për kthimet dhe dhënien e azilit.

SPAK merr çështjen Meta-Dvorani

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, SPAK do të shqyrtojë padinë e presidentit Ilir Meta ndaj kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Adrian Dvorani. Sipas burimeve mësohet se SPAK  e mori këtë vendim pasi Prokuroria e Tiranës shpalli mos kompetencën për çështjen. Meta e akuzoi Dvoranin për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore”. Konflikti mes dy institucioneve lindi pas procedurave për emërimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.

Basha: Fajin e ka sistemi, alibi e propagandës së Edi Ramës

Partia Demokratike thotë se mbetet e hapur për të diskutuar çdo sistem zgjedhor që duhet të aplikohet në zgjedhjet e radhës në vend, por shpreh dyshime nëse ndryshimi i sistemit do ta zgjidhë problemin. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha konfirmoi qëndrimin e opozitës mbi këtë temë. “Praktika e 7 viteve të fundit ka faktuar se cilido sistem të zgjidhet, do të dështojë nëse nuk garantojmë ndarjen e politikës nga krimi, ndaljen e blerjes së votës dhe ndëshkimin e krimeve elektorale- tha Basha.

Rrogëtarët me 60-70 mijë lekë në muaj kanë mbajtur barrën e tatimit mbi të ardhurat

Personat më pagë mujore bruto 60,000-70,000 lekë në muaj kanë paguar më shumë se kategoritë e tjera të rrogëtarëve tatim mbi pagën. Edhe pse nuk janë më të shumtë në numër në 12 kategoritë e ndarjes së pagave ata kanë paguar gjatë vitit 2018 rreth 19 për qind të Tatimit mbi të Ardhurat Personale (TAP).

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave gjatë vitit 2018 janë grumbulluar 12,8 miliardë lekë prej arkëtimeve të TAP, por 2,3 miliardë lekë ose gati 19 për qind e të ardhurave janë grumbulluar nga kategoria e punonjësve me pagë mesatare 60-70 mije lekë në muaj.

Vrasja e gruas së xhaxhait, nipi: Shokët thanë të shkojmë të marrim hashash

Pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në Mallakastër më 5 janar ku 16-vjeçari Luis Saliaj bashkë me dy shokët e tij dhunoi dhe vrau nusen e xhaxhait, i mituri ka dhënë detaje të reja për ngjarje në polici.

Ai është shprehur se dy shokët e tij i kishin thënë: “Do të ikim të marrim hashashin në shtëpinë e Dritës, gruas së Hair Saliaj.

16-vjeçari tregon se nuk ka hyrë në banesë, por ka qëndruar jashtë shtëpisë, dhe pas 30 minutash ka parë se Ervisi dhe S. Shehaj kanë dalë jashtë, ku në duar mbanin trupin e pajetë të Dritës, duke i kërkuar ndihmë që ta fusnin në makinë.

Luisi ka pohuar se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen e rëndë dhe se para se të ndodhte vrasja, ai ishte në shtëpinë e gjyshit të tij në një fshat tjetër.

Ndërsa, xhaxhai ka thënë për të nipin se ai është një fëmijë problematik, madje dhe përdorues hashashi.

Digjet makina e një efektivi të policisë në Elbasan

Digjet mjeti i një punonjësi policie në Elbasan. Policia thotë se mjeti tip “Volksëagen” ishte i parkuar në lagjen “28 Nëntori” në Elbasan dhe është në pronësi të shtetasit Edvin Gjyli (punonjës i Policisë në Komisariatin Elbasan). Si pasojë e zjarrit mjeti është djegur pjesërisht.

Edvin Gjyli është një nga dy efektivët e policisë të pezulluar nga detyra, për shkak se nxorën sekretin hetimor të zbulimit të arsenalit të armëve që u gjend në Papër të Elbasanit.

Dyshohet se persona me precedent penalë i kanë vendosur flakën qëllimisht automjetit të tij.

Një qasje e re për shërimin e kancerit

Mësimet nga teoria e evolucionit të Darvinit po krijojnë një qasje të re për trajtimin e kancerit. E quajtur terapi adaptive, trajtimi buron nga dija se edhe qelizat kancerogjene, ashtu si format e tjera të jetës, mutojnë dhe evoluojnë si përgjigje ndaj një ambienti në ndryshim. Trajtimi tradicional i kancerit – duke bombarduar vazhdimisht qelizat kancerogjene me ilaçe – mund të inkurajojë qelizat rezistente ndaj ilaçeve që të mund të shumohen, duke krijuar përfundimisht një tumor të padurueshëm.

Terapia adaptuese nuk përpiqet të zhdukë të gjithë kancerin. Në vend të kësaj, ajo kërkon të zvogëlojë qelizat e shërueshme, të ndalojë trajtimin dhe të presë që ato qeliza të rriten përsëri para se t’i trajtojnë ato përsëri. Ideja, tani për tani, është të mbash në kontroll madhësinë e tumorit, dhe të menaxhosh kancerin si gjendje kronike.

Tani bëhet serioze, Mançester Junajtid ofron 15 milionë euro për Kumbullën

Marash Kumbulla mund të bëhet “djall” shumë shpejt. Te futbollisti shkodran i Kombëtares shqiptare dhe Veronës i ka hedhur sytë edhe klubi i madh anglez i Mançester Junajtid. Lajmi bëhet i ditur nga britanikja “Daily Star”. Mançesteri ofron jo pak, por 15 milionë euro.

Më Shumë