Podcast

Audio-Lajme shkurt 8 tetor 2019

Deputetët e PD e LSI u “shpërblyen” për dorëzimin e mandateve
Parlamenti ka kursyer nga dorëzimi i mandateve të deputetëve të opozitës, si dhe nga mosplotësimi i 140 karrigeve, por është detyruar që të shpërblejë të larguarit për shkak të zbatimit të ligjit për “Për pensionet suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të funksioneve të shtetit”. Në raportin e publikuar në Gazeta “Si” rezulton se është akorduar fondi prej 21.8 milionë lekësh, për dhënien e shpërblimit të menjëhershëm për deputetët dhe këshilltarët e grupeve parlamentare të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim që kanë dorëzuar mandatin dhe dhënë dorëheqjen.
Ndërsa miliona lekë janë shpenzuar për dieta e udhëtime dhe pagesa qiraje për banesat e deputetëve. Një fond i posaçëm është parashikuar për blerje makinash dhe për instalim të ri të sistemit të votimit.

Të parët në botë për azil, Shqipëria rrezikon të “zbrazet” pas 70 vitesh
Shqipëria ua ka kaluar edhe vendeve në gjendje lufte për aplikimet për azil në Bashkimin Europian. Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, vendi ynë ishte i pari në botë për kërkesat për azil në vendet e BE në raport me popullsinë.
Sipas përllogaritjeve, 2000 shqiptarë në muaj kanë bërë kërkesa për azil gjatë vitit 2019. Nëse shqiptarët do të ruajnë të njëjtin ritëm të braktisjes së vendit, 70 vjet do të jenë të mjaftueshme që Shqipëria të “zbrazet”.
Në 6 muajt e parë të vitit janë larguar mesatarisht për çdo 100 mijë banorë 55 shqiptarë. Ky është numri më i lartë krahasuar me vendet që renditen të parët për kërkesat për azil.
Megjithëse pritshmëritë ishin që numri i azilkërkuesve të binte për shkak të refuzimeve, të dhënat nga Eurostat tregojnë se numri i shqiptarëve që duan të lënë vendin është rritur në vitin 2019.
Për shkak të politikave sociale, destinacioni kryesor i shqiptarëve ka qenë kohët e fundit Franca, ku janë paraqitur gati gjysma e totalit të kërkesave për azil. Në gjashtë muajt e parë të 2019, 4,335 shqiptarë kanë aplikuar për azil në shtetin francez.

BB: Ekonomia në rënie, energjia dhe ujësjellësi rrezik për buxhetin
Banka Botërore e parashikon ekonominë e Shqipërisë me rënie në 2,9 % për vitin 2019, nga 3,8 që e kishte parashikuar në fillim të vitit.
Për të gjashta vendet e rajonit të Ballaknit Perëndimor Banka Botërore parashikon një zgjerim të ekonomisë po me rënie në 3,2 % nga 3,9 që e kishte parashikuar në fillim të këtij viti. Ekonomia e Kosovës është ajo që parashikohet me më shumë rritje në 4%. Në prezantimin e raportit të 16-të për Ballkanin Perëndimor, Banka Botërore vëren pasiguri në rritje për ekonomitë e rajonin e po ashtu edhe për Shqipërinë.
Sipas Bankës, ndërmarrjet shtetërore të sektorit energjetik dhe ujësjellësit konsiderohen si rrezik për konsolidimin fiskal dhe bëhen shkak për shqetësimet e buxhetit duke vënë në rrezik targetin fiskal.

Gjykata i kthen padinë Lulzim Alushajt: Ka mangësi
Gjykata e Apelit Administrativ i ka kthyer padinë kandidatit për Kryeprokuror që u skualifikua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Lulzim Alushaj. Gjykata i ka lënë Lulzim Alushajt 10 ditë kohë që të plotësojë padinë, pasi ka mangësi. Apeli Administrativ i la afat Alushajt deri më 14 tetor për të plotësuar padinë sipas kërkesave ligjore.
Ai paditi vendimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për skualifikimin që i bëri nga gara. Në garë për postin e kryeprokurorit janë Olsian Çela, Arta Marku dhe Fatjona Memcaj. Gara është e pezulluar deri sa të shprehet me vendim Apeli Administrativ për përjashtimin e Alushajt.

Kaos në Hipotekën e Vlorës, drejtuesit e rinj japin dorëheqjen
Hipoteka e Vlorës është sërish në gjendje kaosi, pasi edhe drejtuesit e rinj kanë dhënë dorëheqjen.
Mësohet se është dorëhequr drejtoresha e emëruar pak ditë më parë, Elona Hodaj dhe zv/drejtori i Hipotekës, Krenar Xhemali.
Hodaj u emërua në këtë post më 19 shtator, duke zëvendësuar Alteo Nazërajn, i cili ishte emëruar drejtor i komanduar dhjetë ditë më parë.
Ndërsa nëndrejtori Krenar Xhemali zëvendësoi Klodian Trocin, i cili u shkarkua më 9 shtator.
Më herët, në Hipotekën e Vlorës janë shkarkuar edhe disa specialistë.

Skenar për të “nxjerrë jashtë loje” Kurtin? Në Kosovë kërkohet rinumërim votash
Tre parti kanë kërkuar rinumërimin e votave në Kosovë, duke vënë në dyshim përparësinë e ngushtë që gëzon partia e Albin Kurtit.
Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila renditet e dyta pas Vetëvendosjes, Partia Demokratike e Kosovës dhe NISMA kanë kërkuar rinumërim në shkallë vendi duke pretenduar se ka pasur parregullsi zgjedhore.
Partia Demokratike e Kosovës ishte e para që ka kërkuar rinumërimin e votive, duke nxitur kështu edhe partitë e tjera t’i qendronin këtij skeanri.
PDK-ja, e cila ka qendruar në pushtet për 12 vjet, është shprehur se 1000 vota të kësaj partia janë kaluar te partitë e tjera, si pasojë e një problemi në formularët e KQZ-së.
Më pas edhe Lidhja Demokratike, e cila mori 24.58% te votave, me një rezultat të ngushtë me Vetëvendosjen, ka deklaruar se patur gabime teknik në formularët e KQZ-së.

Ndryshime në listë, Reja merr një mbrojtës të majtë në vend të Hysajt
Ndryshime në listën e Kombëtares për dy ndeshjet e radhës në grup ndaj Turqisë dhe Moldavisë, që zhvillohen më 11 dhe 14 tetor. Grupit do t’i bashkohet Hysen Memolla, mbrojtësi i majtë që luan në Finlandë aktualisht, me ekipin KPV Kokola. Ai ka qenë edhe më parë pjesë e Kombëtares. Gëzon një formë të mirë dhe ka shënuar 3 gola në ndeshjet e fundit, por ajo që çudit është se për të zëvendësuar Hysajn e dëmtuar duhej të vinte një mbrojtës i djathtë. Lojtari më i përshtatshëm për të bërë rolin e Hysajt te kuqezinjtë do të ishte Ivan Balliu, por trajneri Reja ka zgjedhur Memollën. Të dy kanë qenë pjesë e listës së lojtarëve në pritje, ku figurojnë edhe emra të tjerë si Xhaka, Kaçe, Uzuni, Aliji, Çekiçi dhe Broja. Për krahun e majtë të mbrojtjes janë grumbulluar edhe Ermir Lenjani dhe Lorenc Trashi, ndërsa për krahun e djathtë nuk ka një lojtar tipik të këtij pozicioni. Kur Hysaj u zëvendësua me Islandën, vendin e tij e mori Abrashi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë