Basha thirrje për protestë: Refuzuam arrogancën, qëndresë së keqes
Lulzim Basha ripërsëriti ftesën për pjesëmarrje në protestën e mbrëmjes së kësaj të hëne, ku thotë se pas refuzimit të arrogancës dhe shpërfilljes në zgjedhjet e 30 qershorit, ka ardhur koha për t’u bashkuar kundër së keqes, që sipas Bashës është Edi Rama.
“Padrejtësinë, pamundësinë, varfërinë dhe papunësinë nuk do t’ua lemë trashëgim fëmijëve! Sonte në orën 20:00, në Tiranë të gjithë bashkë për familjen dhe fëmijët tuaj, për Shqipërinë e mundësive për të gjithë! Asnjë hap pas! Rama Ik!”, shkruan kreu i PD.
Ftesa është përsëritur përmes një spoti të shpërndarë nga Basha përmes rrjeteve sociale. Kreu i PD-së dhe drejtues të tjerë të opozitës kanë postuar vazhdimisht ditët e fundit thirrje për t’iu bashkua tubimit të kësaj të hëne, i pari i organizuar nga opozita pas zgjedhjeve të 30 qershorit.
Bashkë me thirrjet për pjesëmarrje, drejtuesit opozitarë kanë bërë edhe thirrje për një protestë të paqtë dhe kundër dhunës.
Megjithatë, Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës kanë përforcuar masat e sigurisë. Godina e Parlamentit dhe e Kryeministrisë janë rrethuar me kangjella të lëvizshme, ndërkohë që 1500 forca do të jenë në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo rast.
Meta: 30 qershori, nul! 13 tetori, edhe zgjedhje parlamentare
Presidenti Ilir Meta ka analizuar edhe njëherë situatën politike në vend, duke argumentuar se pse zgjedhjet e 30 qershorit që u mbajtën në Shqipëri janë nul. Në ditën kur të do të diskutohet në Parlament shkarkimi i tij, kreu i shtetit ka renditur sipas tij faktet se është ende në fuqi dekreti për zgjedhje lokale të 13 tetorit. Për Presidentin, Kolegji Zgjedhor me shqyrtimin e kërkesës së Partisë Unitetit Kombëtar nuk ka shqyrtuar dekretin për anulimin e datës së zgjedhjeve më 30 qershor, pasi kjo trupë gjyqësore nuk ka tagër që të shqyrtojë dhe të vendosë, pasi e drejta e ekskluzive i takon Gjykatës Kushtetuese.
“Dekreti i Presidentit të Republikës nuk është ndryshuar, nuk është anuluar dhe nuk është shfuqizuar; nga Kolegji Zgjedhor, apo nga ndonjë Gjykatë tjetër në Republikën e Shqipërisë. Sipas Kodit Zgjedhor, Kolegji Zgjedhor nuk ka kompetencë të shqyrtojë vlefshmërinë e Dekreteve të Presidentit, pasi këtë të drejtë nuk ia njeh as Kushtetuta, as Kodi Zgjedhor dhe as ndonjë ligj tjetër në fuqi në Republikën e Shqipërisë”, shkruan Meta.
Letër ambasadorëve, Ademi: S’e dorëzojmë Shkodrën, duam komision ndërkombëtar
Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi ka kërkuar një komision administrativ evropian për të drejtuar pushtetin vendor të qytetit të saj, duke mos pranuar zgjedhjet e 30 qershorit.
Me anë të një letre publike drejtuar ambasadorëve të SHBA-ve, BE-së, OSBE-së, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Austrisë dhe Zvicrës, Ademi ka bërë të ditur se nuk do të pranojë që të dorëzojnë Shkodrën, pasi mbi 80% për qind e qytetarëve nuk morën pjesë në votimet e 30 qershorit.
“Sot, në 2019- ën nuk mund t’ia dorëzojmë atë as Kryeministrit e as të emëruarit të tij 8 përqindësh! Në vitet 1913 -1914 dhe 1918-1920 ky qytet me rëndësi vitale për të gjithë kombin, është qeverisur nga komisione ndërkombëtare të fuqive të mëdha. Për këtë, në emër të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë ju kërkoj publikisht Ju, të takohemi për të biseduar mbi këtë situatë të pazakontë, me shpresën që do të bëheni garant i vullnetit qytetar!”, shkruan Ademi letrën e saj.
Protestë shqiptarësh para Shtëpisë së Bardhë: Soros larg vendit tonë. I përgëzon Meta
Dhjetëra shqiptarë që jetojnë e punojnë në Amerikës u mblodhën të dielën përpara Shtëpisë së Bardhë për të protestuar jo vetëm kundër qeverisë së Kryeministrit Edi Rama, por edhe sipas tyre, kundër ndërhyrjes së miliarderit George Soros në politikën shqiptare.
Duke mbajtur pankarta që i kërkonin Soros të qëndronte larg punëve të Shqipërisë, ata i kërkuan Presidentit amerikan Donald Trump që të tregojë vëmendje për atë që po ndodh në vendin tonë.
Ata kishin ardhur nga Bostoni, Nju Jorku, Nju Xhersi, Pensivania dhe Miçigani. Protesta u zhvillua në sheshin përballë Shtëpisë së Bardhë, aty ku normalisht e diela është e mbushur me vizitorë.
Duke folur për Zërin e Amerikës shqiptaro-amerikanët e mbledhur përpara Shtëpisë së Bardhë thanë se kishin dalë të protestonin kundër miliarderit me origjinë hungareze, sepse sipas tyre Soros po destabilizon një vend të NATO-s, siç është Shqipëria.
“George Sorosi duhet të largohet një orë e më parë nga politika shqiptare, sepse ka ndikuar negativisht. Si biznesmen mund të jetë shumë i suksesshëm dhe i respektuar, por në politikën shqiptare ka ndikuar shumë keq, sepse ka instaluar të majtën ekstreme. George Sorosi ka ndikuar në farsën e reformës në drejtësi dhe po instalon njerëzit e Edi Ramës në të gjitha pozicionet kyçe të reformës në drejtësi”, deklaroi njëri prej protestuesve, Besnik Xhama, biznesmen nga Nju Xhersi.
Intervista ‘sekrete’ për SPAK, 22 kandidatë për 15 vende
Këshilli i Lartë i Prokurorisë nisi këtë të hënë intervistat me kandidatët që janë në garë për t’u bërë pjesë e prokurorisë së posaçme antikorrupsion, pjesë e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, njohur shkurtimisht si SPAK.
Intervistat nisën me katër kandidatët e parë nga 22 emrat që janë në listën e KLP-së. Altin Dumani, drejtues në Prokurorinë e Apelit për Krimet e Rënda, Anton Martini, prokuror në po të njëjtën prokurori, Arben Kraja, prokuror i Prokurorisë së Përgjithshme dhe Anita Jella, kryeprokurore në Prokurorinë e Durrësit.
Kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi tha në një deklaratë për mediat se çdo intervistë regjistrohet si audio ashtu edhe video, si një garanci për t’u përdorur në rast se kandidatët kanë ankesa në lidhje me procesin e konkurrimit për prokurorë të strukturës së posaçme antikorrupsion.
Regjistrimet do të bëhen publike, por detajet nga këto intervista do të mbahen sekret, pasi gjatë intervistimit, kandidatët do të pyeten për çështje konkrete që kanë hetuar me emra konkretë të pandehurish dhe personash të dënuar.
Mitsotakis, kryeministri i ri i Greqisë
Kreu i opozitës Kyriakos Mitsotakis arriti një fitore të madhe në zgjedhjet parlamentare të Greqisë të dielën, duke i dhënë një goditje të ashpër të kryeministrit Aleksis Cipras.
Me më shumë se 99 për qind të votave të numëruara, Partia Demokracia e Re e Mitsotakis ka marrë 39.8 për qind të votave, krahasuar me 31.5 për qind të votave që ka marrë Syriza.
Partia e ekstremit të djathtë, Agimi i Artë, e themeluar nga përkrahësit e neonazistëve, dështoi të kapte 3 përqindshin e nevojshëm për të hyrë në parlament.
Ai u zotua të mbajë premtimet e tij për të ulur taksat, për të tërhequr investime dhe për të përmirësuar tregun e punës.
“Kërkova një mandat të fortë për të ndryshuar Greqinë. Ju ma keni ofruar atë bujarisht, “tha Mitsotakis në fjalimin e tij të fitores. “Prej sot fillon një luftë e vështirë por e bukur”.
Kryeministri Alexis Cipras ka telefonuar kreun e Demokracisë së Re, Kyriakos Mitsotaki për ta përgëzuar për fitoren e tij në zgjedhjet e përgjithshme.
Festivali i Arkitekturës së Kosovës nis me ndikimin e dritës elektrike në planet
Një prej festivaleve më të mëdha në Kosovë ka hapur sesionin e tij të shtatë. Bëhet fjalë për Festivalin Arkitekturor, në të cilin mes të tjerash janë paraqitur dy dokumentare dhe një leksion nga fotografja italiane Jessica Bizzoni mbi ndikimin shqetësues të dritës elektrike në planetin tonë. "Drita elektrike është një aurora e bërë nga njeriu", tha Bizzoni, gjatë paraqitjes së saj në Kino Armata, duke diskutuar mbi projektin e saj fotografik, të quajtur “Electric Sun”.
Ajo bashkëpunoi me astronomë dhe udhëtoi nëpër qytete të ndryshme të botës për të parë strukturën në të cilën ishin vendosur dritat.
Brazili kampion, Tite dhe lojtarët i përvishen Mesit: Trego respekt!
Festë e madhe në Rio de Zheneiro, deri në mëngjes. Brazili fitoi titullin e 9-të kampion në Kupën e Amerikës, pasi mundi 3-1 në finale Perunë. Festë e ligjshme për brazilianët, të cilët nuk kanë humbur rastin t’i përgjigjen Lionel Mesit, i cili kishte vënë në dyshim rregullsinë e aktivitetit, duke e akuzuar Brazilin për korrupsion. Shigjetën e parë e lëshoi trajneri i Brazilit, Tite, i cili u shpreh: “Mesi është një jashtëtokësor, kjo nuk mund të mohohet, por në këto rrethana duhet të tregojë respekt. Duhet ta pranojë humbjen, të ruajë qetësinë dhe të flasë me respekt”. Kurse Tiago Silva solli në vëmendje precedentin e ndeshjes mes Barcelonës dhe PSG-së. “Fjalët e Mesit? E vështirë t’i komentosh. Kur dikush humb, kërkon të fajësojë të tjerët për të hequr përgjegjësitë nga vetja. Ndoshta nuk i ka thënë me qëllim të keq ato fjalë, por i ka thënë, janë fjalë që kanë dalë nga goja e tij. Kur Barcelona fitoi 6-1 ndaj PSG-së me një arbitrim qesharak, askush, në asnjë moment, nuk tha fjalë të tilla. Duhet respektuar historia. Ne kemi 5 yje dhe asnjë prej tyre nuk e kemi vjedhur”.
Mrekullia Madagaskar në çerekfinale, kalon pa probleme Algjeria
Ndeshje e pambarimtë në Aleksandri, me një fund të lumtur për Madagaskarin, që po vazhdon të mrekullojë në Kupën e Afrikës. Ekipi modest ka eliminuar edhe Republikën Demokratike të Kongos pas gjuajtjes së penalltive dhe është kualifikuar për në çerekfinale. Koha e rregullt e kësaj ndeshjeje u mbyll 2-2, me kongolezët që barazuan në minutën e fundit. Shtesat nuk ndryshuan asgjë në rezultate dhe kualifikimi u vendos nga ruleta e penalltive. Lojtarët e Madagaskarit i realizuan të gjitha penalltitë që gjuajtën, kurse Republika Demokratike e Kongos gaboi penalltinë e parë dhe të katërt, duke u eliminuar. Madagaskari vazhdon t’i befasojë të gjithë me këtë ecuri fantastike në Kupën e Afrikës. Algjeria e pati shumë të lehtë ndaj Guinesë, të cilën e mundi 3-0.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.