Podcast

Audio-Lajme shkurt 7 nëntor 2019

“Babi jam duke ardhur!”Alvini nxirret nga kampi në Siri
Alvin Berisha duket se do të bashkohet më në fund me të atin. Vuajtjet e 11-vjeçarit në Siri kanë marr fund, pasi Alvini është nxjerrë sot nga kampi Al Hol. Ai është nisur drejt Romës, ku e presin krahët e të atit, Afrimit.
Alvini i vogël ka dalë nga Al Hol falë korridorit humanitar të krijuar nga Kryqi i Kuq dhe Gjysmëhëna e Kuqe Siriane si dhe falë një operacioni ndërkombëtar i drejtuar nga policia italiane, Ministri i Brendshëm shqiptar Sandër Lleshaj dhe agjentë të inteligjencës libaneze.

“Alvin po kthehet në shtëpi”, Rama jep detaje për shpëtimin e 11-vjeçarit
Pas nxjerrjes së Alvin Berishës nga kampi Al Hol, ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, duke dhënë edhe detaje për operacionin e shpëtimit të 11-vjeçarit nga kampi Al Hol i luftëtarëve të ISIS.
Kryeministri Rama ka publikuar dhe një foto të ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj me Alvinin e vogël.
Kreu i qeverisë shkruan se ministri Lleshaj dhe një skuadër speciale e policisë shqiptare ka qëndruar një javë në kufirin sirian dhe në bashkëpunim të ngushtë me partnerët italianë kanë larguar Alvinin nga Kampi dhe po dërgohet në ambasadën italiane në Bejrut.
Rama ndër të tjera ka falënderuar edhe kryeministrin italian Konte dhe organizatat humanitare që u bënë pjesë e këtij operacioni. Kreu i qeverisë po ashtu shprehet se përpjekja nuk mbyllet këtu, sepse fëmijë e gra nga Shqipëria vazhdojnë të jenë peng në kampin-burg prej ku arritëm të nxjerrim Alvinin.

Plotësimi i Gjykatës Kushtetuese, Meta letër KED: Ndalni procesin derisa të zgjedhë Kuvendi
Presidenti Ilir Meta ka kërkuar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi që të pezullojë procesin e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se as ky institucion dhe as Kuvendi nuk kanë respektuar afatet dhe përcaktimet kushtetuese për zgjedhjen e këtyre anëtarëve. Meta thotë se ky vendim administrativ i KED-së shkel përcaktimin kushtetutes të kronologjisë President-Kuvend të plotësimit të vakancave në Kushtetuese, duke i lënë plotësimin e dy vakancave radhazi nga Presidenca dhe asnjë nga Kuvendi. Për këto arsye, Presidenti kërkon që të pezullohet procesi i zgjedhjes së vakancës së dytë prej tij dhe të pritet zgjedhja e anëtarit të parë nga ana e Kuvendit të Republikës.

Rezoluta antiruse ish-kryediplomati Bushati rrëzon nismën e Ballës
Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati paraqet një draft të ri që synon përmirësimin e rezolutës së paraqitur nga shefi i grupit të PS-së, Taulant Balla. E njohur si rezoluta antiruse, Bushati në propozimin e paraqitur heq si term rrezikun që vjen nga Rusia dhe se kërkon që qeveria dhe institucionet e sigurisë të raportojnë çdo vit në lidhje me rreziqet e mundshme që mund të shfaqen nga influencat e huaja në zgjedhje apo në financimet e medieve në Shqipëri. Propozimet Bushati pritet t’ia paraqesë komisionit të Sigurisë dhe në të kundërt ajo mund të paraqet edhe në seancë gjatë miratimit.

Sondazhi i BB, PD: Qeveria në bankën e të akuzuarve për korrupsion
Partia Demokratike interpreton rezultatin e sondazhit të kryer me biznesin nga Banka Botërore si treguesin më të mirë të nivelit të korrupsionit në administratën publike. Ish-deputetja Jorida Tabaku tha se sondazhi është një tjetër këmbanë që i kujton qeverisë shqiptare se si koha e saj në pushtet ka prodhuar korrupsionin më të pamenduar ndër shqiptarë. “Janë 36,1% e bizneseve shqiptare që ankohen se korrupsioni është kthyer në oksigjenin e jetës së administratës publike tatimore dhe qeverisëse. Qeveria Rama që erdhi në pushtet me parullën e luftës kundër korrupsionit sot gjendet në bankën e të akuzuarve të biznesit si qeveria edhe më e korruptuar”, deklaroi ish-deputetja Tabaku. Banka Botërore kryen çdo gjashtë vjet sondazhin me sipërmarrjet në vendet e Europës Lindore, ku biznesi pyetet në lidhje me klimën, korrupsionin, taksat, krimin dhe kuadrin ligjor. Sondazhi i fundit, para këtij të fundit u krye në vitin 2013.

Fermerët në Tiranë: Mashtrim me subvencionet, paratë i marrin qeveritarët
Fermerët e Myzeqesë siç kishin paralajmëruar ditë më parë, kanë mbërritur në Tiranë përpara Ministrisë së Bujqësisë për të artikuluar kërkesat e tyre në një protestë paqësore.
Fermerët i kërkojnë Ministrisë së Bujqësisë që të ndryshojë skemën e subvencionimit për ta dhe të rregullojë mekanizmin e TVSH-së dhe nga fondi i emergjencës qeveria t’u akordojë fermerëve 5 mijë lekë për dynym për mallin e hedhur dëm sepse ata nuk mund të mbjellin sërish, pasi nuk kanë shlyer ende furnitorët e inputeve.
Për fermerët është e pamundur të përfitojnë nga skema aktuale e cila sipas tyre urdhëron tregtarin të kompensojë 6% fermerin për akcizën e naftës dhe kostot e tjera.
Ata kërkojnë që subvencionimi të bëhet drejtpërdrejt në mënyrë që të mos jenë pjesë e labirintheve të AZHBR-së, që deri tani sipas tyre ka rezultuar një dështim.

Plagoset rëndë një prej punonjësve të IKMT në Astir
Është goditur në detyrë një prej punonjësve të IKMT-së, pranë zonës së Astirit në kryeqytet.
Kjo ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e sotme dhe sipas IKMT-së i plagosur rëndë me fraktura në kokë dhe duar ka mbetur shtetasi A. B, 50 vjeç, i cili është goditur nga banorët.
Mësohet se punonjësi është transportuar me urgjencë në Spitalin Ushtarak për të marrë mjekim.
Siç thuhet në njoftimin e IKMT-së, punonjësi ishte duke krye detyrën, teksa lajmëronte poseduesit e disa objekteve në këtë zonë se janë pengesë e zbatimit të projektit të Unazës së Madhe.
IKMT u ka bërë thirrje banorëve dhe qytetarëve, se punonjësit e saj janë në shërbim të ligjit dhe komunitetit dhe nuk do të tërhiqen për asnjë moment nga detyrat e tyre, pavarësisht sjelljeve rrugaçërore, barbare dhe të paligjshme.

Kombëtarja U-21, dy emra të rinj në listën e Bushit për Anglinë
Trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, ka shpallur listën e lojtarëve të grumbulluar për ndeshjen me Anglinë, që luhet më 15 nëntor dhe është e vlefshme për kualifikueset e Europianit 2021. Në listën e Bushi janë kryesisht po ata lojtarë të ndeshjes së fundit ndaj Kosovës. Nga kampionati shqiptar janë grumbulluar Mala i Partizanit, Kallaku i Teutës, Xhixha dhe Shehu të Laçit, Pëllumbi i Skënderbeut, portieri Harizaj i Apolonisë, Ismailgeci i Tiranës dhe Qardaku i Bylisit. Për herë të parë pjesë e Kombëtares U-21 janë bërë sulmuesi Indrit Tuci, i cili është pjesë e Lokomotivës së Zagrebit dhe po kalon një formë shumë të mirë, si dhe Franklin Domi, mbrojtësi që aktivizohet me QPR-në në Angli. Këta janë dy emrat e rinj në listën e Bushit. Anglia kryeson grupin me 9 pikë në 3 ndeshje. Shqipëria mban vendin e 4-t në Grupin 3 me 5 pikë në 5 ndeshje

 

Më Shumë