Podcast

Audio-Lajme shkurt 7 janar 2020

“Cambridge Analytica” dhe zgjedhjet e 2017-ës në Shqipëri

Të dhënat e bëra publike deri më tani mbi skandalin e “Cambridge Analytica” janë vetëm maja e ajsbergut. Sipas mediave britanike janë më shumë se 100 mijë dokumente, që pritet që të bëhen publike në muajt në vazhdim. Publikimi i tyre do të zgjerojë skandalin në 68 vende të botës. “Cambridge Analytica” ishte pjesë e kompanisë “SCL Elections” me bazë në Londër. Mes vendeve që “SCL Elections” listonte se kishte punuar është edhe Shqipëria. Vetë “Cambridge Analytica” u themelua në 2013, si një zgjatim i “SCL Elections”. Mbi përfshirjen e “Cambridge Analytica” në zgjedhjet në Shqipëri nuk është publikuar ende ndonjë dokument provues, por gjurmë që lënë dyshime ka. Shqipëria del në një e-mail të dërguar nga inxhinierja e shkencave kompjuterike, Tee Ganbold dërguar për Brittany Kaiser, ish-punonjëse e “Cambridge Analytica”, që mori statusin e bashkëpunëtores së drejtësisë në Britaninë e Madhe në hetimet për këtë skandal. Në këtë e-mail, që mban datën 16 shtator 2016, Ganbold i dërgon Kaiserit emrat e vendeve që përgjatë 2017 kanë zgjedhje. Mesazhi mban titullin “Concordia – 2017 Elections List” me shënimin “Të lutem printoje dhe dërgoja Markut”. Bëhet fjalë për Mark Turnbull, kreu i “SCL Group”.

Rrëshen, vritet me snajper ish-pronari i një TV lokal

Një ngjarje e rëndë ndodhur sot në qytetin e Rrëshenit, ku është ekzekutuar 47-vjeçari Kastriot Reçi. Dyshohet se ai u vra me snajper, pranë lokalit të tij. Viktima njihej si biznesmen në këtë zonë, ndërsa aktivitetin e kishte shtrirë dhe në Lezhë dhe më parë kishte qenë pronar i një televizioni lokal “Media Plus”, në Lezhë.

Dyshohet se vrasja është bërë për hakmarrje dhe se ka lidhje me veprimtarinë kriminale të 47-vjeçarit dhe vëllait të tij Gaspër Reçi, i vrarë në prill të 2017-s në Itali.

Viktima dyshohet të jetë autor i ekzekutimit të 9 shtatorit të vitit 2016, ku mbeti i vrarë ish-drejtori i OSHEE-së, Sajmir Jaku. Por kjo akuzë nuk është provuar asnjëherë, ndërkohë që Reçi nuk është arrestuar.

Ky i fundit u vra teksa dilte nga lokali i tij në Rrëshen, ndërsa ishte i shoqëruar nga një shok. Po ashtu, dyshohet se vrasja e Gaspër Reçit të jetë bërë si hakmarrje për vrasjen e Saimir Jakut.

Ndërkohë, policia e Lezhës ka vënë në dispozicion 2 milionë lekë të rinj, për atë që jep informacion të saktë për autorin e kësaj ngjarjeje.

Reforma zgjedhore, kryetema e Bashës

Në krye të agjendës së Partisë Demokratike në fillim të këtij viti duket se do të jetë reforma zgjedhore. Lulzim Basha mblodhi ditën e hënë grupin e punës të ngritur për këtë ccështje. PD thotë se reforma zgjedhore është rruga më e sigurtë për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Për këtë, PD pritet që të bëjë shumë shpejt publike qëndrimet e veta, për të cilat thotë se është e hapur për t’u debatuar dhe konsultuar me qytetarët. Lulzim Basha e sheh reformën zgjedhore si një prej dy detyrave të vendosura nga Bundestagu gjerman për hapjen e negociatave. Për të parën, që ka të bëjë me ngritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, PD nuk ka gjë në dorë. Ndaj, për treguar se opozita nuk është pengesë për integrimin e vendit, Basha pritet që të përqëndrohet tek reforma zgjedhore, të paktën deri në qershor nëse kjo e fundit nuk kalon më shpejt. Në qershor është mbledhja e radhës e Këshillit Europian, ku sërish do të diskutohet për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Deputetët të zgjidhen nga populli”, Nisma i dorëzon nismën Hajdarit dhe Gjonit

Nisma Thurje i dorëzon zyrtarisht deputetëve të opozitës në Parlament, Rudina Hajdari dhe Ralf Gjoni peticionin për ndryshimin e sistemit zgjedhor, nga proporcional rajonal, në proporcional kombëtar me lista të hapura. Nisma që kërkon ndryshimet kushtetuese për t’u miratuar pritet të jetë pjesë e debateve në Parlament, pasi reforma zgjedhore është një nga kushtet kryesore të BE-së për çeljen e negociatave.

Arbitrazhi, qeveria ligj për shmangien e gjykatës ndërkombëtare

Qeveria parashikon miratimin e një nisme ligjore që synon shmangien e gjykatës ndërkombëtare të Arbitrazhit, për të cilën shteti shqiptar ka humbur një sërë çështjesh me firma të ndryshme. Në draftin e paraqitur për konsultim faji i vihet dispozitave të shfuqizuara në Kodin e Procedurës Civile vite më parë në vitin 2013, gjë që kanë sjellë përplasje dhe goxha kosto për shtetin shqiptar.

Gripi, Manastirliu: Dërgojini fëmijët në qendra shëndetësore, jo vetëm në spital

Temperaturat e ulëta që kanë përfshirë vendin ditët e fundit, kanë bërë që fëmijët të përballen edhe me virusin e gripit. Për t’u ardhur në ndihmë prindërve, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka bërë thirrje atyre që të drejtohen në qendrat shëndetësore pa pasur nevojë të shkojnë në spital, pasi në qendrën shëndetësore nr. 10 në zonën e Oxhakut, qendrën nr. 8 në zonën e ish-bllokut, qendrën nr. 7 në Laprakë dhe së shpejti qendrën e Kombinatit, ofrohet shërbimi i plotë për fëmijët edhe gjatë natës. Deklaratat Manastirliu i bëri gjatë inspektimit në qendrën shëndetësore nr. 10 në Tiranë, e cila është një prej qendrave që është kthyer në qendër 24-orëshe për të përballuar fluksin e pacientëve në sezonin e dimrit.

Kuqezinjtë jashtë merkatos së dimrit, interes vetëm për Baren e Kumbullën

Kjo merkato dimri duket më e vakët se kurrë për futbollistët e Kombëtares shqiptare. Interesimi për kuqezinjtë është i ulët për arsye të ndryshme. Shumë prej tyre janë të stabilizuar me skuadrat ku bëjnë pjesë, por shumë të tjerë janë larg formës optimale dhe tregu për ta është shumë i varfër.

Interesimi më i madh sa u takon kuqezinjve është për mbrojtësin e Veronës, Marash Kumbulla dhe mesfushorin e Malagës, Keidi Bare. Për të parin janë në garë klubet më të mëdha të Serisë A dhe shitja e tij është vetëm çështje kohe. Me siguri në verë Kumbulla do të veshë një fanellë shumë më prestigjioze e se ajo e Veronës. Bare është nxjerrë në shitje nga Malaga për shkak të problemeve ekonomike të klubit, por ofertat e deritanishme janë të ulëta, deri në 500 mijë euro, kështu që futbollisti fierak nuk mund të lëvizë për momentin.

Më Shumë