Podcast

Audio-Lajme shkurt 5 nëntor 2019

Atentatorin e prokurorit e tradhton pështyma, arrestohet në kufi
Policia ka arrestuar shtetasin Redjan Rraja, i cili dyshohet se ka lidhje me atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja, që ndodhi pasditen e së premtes në mbikalimin e Shkozetit, pranë autostradës Tiranë-Durrës. Redjan Rraja është nipi i deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja.
Nga ngjarja e ndodhur ngelën të plagosur edhe dy të tjerë, shoferi i Ndojit dhe shoku i tij, Aleksandër Laho dhe Arlind Maloku.
Mësohet se shoqërimi i tij është bërë mesditën e djeshme dhe ditën e sotme i është prerë fleta e arrestit. Ai është ndaluar duke tentuar të largohet nga Shqipëria.
Arrestimi i Redjan Rrajës erdhi pas kontrolleve të ushtruara gjatë mbrëmjes së djeshme dhe paradites së sotme në banesat e Krujës të Durrësit dhe të Tiranës, me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ai mësohet se është identifikuar nga gjurmët e ADN-së të mbetura në makinën e dyshuar të autorëve për atentatin në mbikalimin e Shkozetit, ku u qëllua mbi makinën ku udhëtonte prokurori Arjan Ndoja dhe dy të tjerët. Pështyma e gjetur në një nga maskat e lëna në makinë (e cila nuk u dogj), ka çuar në identifikimin dhe zbulimin e Redjan Rrajës.
Redjan Rraja, dentisti që shfaqet në skena të bujshme krimi
Policia ka arrestuar nipin e deputetit socialist, Rrahman Rraja si të dyshuar për atentatin ndaj makinës së prokurorit Arjan Ndoja, të ndodhur më 1 nëntor në vendin e njohur si “Mbikalimi i Shkozetit”. Redjan Rraja nuk është një emër i panjohur për policinë dhe publikun. Emri i 34-vjeçarit me profesion mjek stomatolog me një klinikë dentare në qendër të Fushë-Krujës ka dalë më herët në dy ngjarje të bujshme. Në rastin e Xhisiela Malokut, ai përmendet nga ish-oficeri i Policisë, Emiljano Nuhu si një prej presonave që e kanë kërcënuar që të ndalonte procedimin penal ndaj Rexhep Rrajas, djalit të deputetit socialist, Rrahman Rraja, ndërsa rasti tjetër është ekzekutimi i bujshëm në 2016 mes të ish-Bllokut i Elton Çiços. Redjan Rraja ndodhej në të njëjtën tavolinë me Çiçon dhe pas ekzekutimit të tij, merr me shpejtësi telefonin dhe pistoletën e viktimës. Ai u akuzua për pengim të së vërtetës dhe u dënua me 8 muaj burg për këtë akuzë.

Deputeti Rraja: Jam kushëri i tretë me Redjanin. Drejtësia të vendosë
Deputeti i Partisë Socialiste, Rrahman Rraja tha se kishte lidhje të largët fisnore me 34-vjeçarin Redjan Rraja, i arrestuar nga policia si i dyshuar në tentativën e vrasjes së prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja. “Babai im, Rexhepi me gjyshin e Redjanit janë vëllezër vetëm prej babe. I bie më shumë sesa brezi i tretë. Më shumë se brezi i tretë”, deklaroi ai në një intervistë telefonike dhënë për Neës24. Deputeti socialist dënoi sulmin. Ai kërkoi nga drejtësia që të ndëshkojë autorët, ndërsa tha se takimin e fundit me Redjan Rrajën e kishte zhvilluar 3-4 muaj më parë. I pyetur nëse Redjani është angazhuar në fushatë elektorale për të, Rrahman Rraja nuk e mohoi. “Si të gjithë qytetarët e tjerë që ishin me mua”, tha ai.
“Rraja”, Rama: Do t’i nxjerrim ujë të zi foleve të krimit. Basha: E kanë luftë mes bandash
Kreu i qeverisë, Edi Rama, ka përshëndetur aksionin e sotëm të Policisë së Shtetit, e cila ka vënë në pranga Redjan Rrajën, nipin e deputetit Rrahman Rraja, lidhur me atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja.
Rama shkruan se policia ka bërë punë të shkëlqyer për zbardhjen e ngjarjes, ku u implikua edhe prokurori i Durrësit, ndërsa shton se brenda muajit do të jetë gati ligji special kundër personave të kriminalizuar brenda dhe jashtë vendit.
“Do t’i nxjerrim “ujë të zi” foleve të krimit të organizuar dhe do të reagojmë frontalisht ndaj gjykatësve e prokurorëve të inkriminuar, që duan “të kapin ç’të kapin”, deri ditën kur kanë radhën e spastrimit nga Vetingu #DerinëFund #ZeroTolerancë”, vijon Rama.
Ndërsa lideri demokrat, Lulzim Basha, deklaroi sot se arrestimi i kushëririt të deputetit socialist lidhur me atentatin kundër prokurorit Ndoja poshtëron akoma më shumë Partinë Socialiste, ndërsa e cilësoi këtë si një luftë mes bandave. Sipas tij, e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet e parakohshme.
Komisioni, më 13 nëntor votimi për anëtarët e Kushtetutës
Më 13 nëntor Kuvendi do të miratojë kandidatët për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Komisioni parlamentar i Ligjeve miratohet emrat e Arta Vorpsit, Elsa Toskës dhe Fjona Papajorgjit për dy vendet vakante për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Në listë është edhe Besnik Muçi, por ai është zgjedhur tashmë nga presidenti si anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
SHBA: Hetues të posaçëm për të gjurmuar falsifikatorët
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka deklaruar se lufta ndaj korrupsionit do jetë prioriteti kryesor i SHBA dhe ka theksuar se është e angazhuar për luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e sundimit të ligjit në Shqipëri.
Me një video të shpërndarë në “Facebook”, ambasada pohon faktin se në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, do të gjurmojë falsifikatorët e dokumenteve me hetues të posaçëm.
“Këtë javë, mësoni se si Ambasada e Shteteve të Bashkuara, nëpërmjet agjentëve dhe hetuesve të posaçëm, në bashkëpunim me Policia e Shtetit dhe prokurorët, punon për të gjurmuar dhe shkurajuar mashtrimin me anë të dokumenteve dhe për të sjellë përpara drejtësisë kriminelët përgjegjës për prodhimin, përhapjen dhe blerjen e tyre”, thuhet në postimin e ambasadës.
BE: Të zbatohet reforma zgjedhore. 30 qershori? I qetë
Bashkimi Europian kërkon nga klasa politike shqiptare që të reflektojë në legjislacionin zgjedhor dhe më pas zbatojë të gjitha rekomandimet e paraqitura pas zgjedhjeve të 30 qershorit nga misionet vëzhguese të OSBE/ODIHR. Komisioni Europian vazhdon i qëndron deklaratës së zëdhënëses Maja Koçijançiç të bërë pas zgjedhjeve të 30 qershorit. Në atë deklaratë, zëdhënësja i vlerësoi zgjedhjet si “të qeta, të mirëadministruara dhe të ”. Për Komisionin, procesi vlerësohet për zhvillimin “e qetë dhe të rregullt”, por pa i hyrë interpretimit nëse ishte kushtetues apo jo.
Negociatat, vendet skeptike për Shqipërinë janë “zbutur”
Kryetari i Parlamentit Europian, David Sassoli, ka bërë të ditur ditën e djeshme se disa vende që ishin kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut mund të ndryshojnë qëndrim.
Në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Zoran Zaev gjatë një vizitë në Shkup, Sassoli tha disa nga vendet që kanë qenë kundër negociatave kanë filluar të rishikojnë vendimet e tyre.
“Tani jemi duke pritur që vendimi për negociatat të kthehet prapë në tryezë brenda disa muajsh. Ne kërkojmë që reformat në Shkup dhe Tiranë të mos ndalen”, tha Sassoli.
Ai tha se po të ishte për Parlamentin Europian dhe Komisionin Evropian, Maqedonia e Veriut do të kishte hapur negociatat e pranimit dhe shprehu shpresë se ato pak shtete anëtare që kanë një rezerva për Shkupin dhe Tiranën do të arrijnë të tejkalojnë dyshimet e tyre.
Ngacmuan vajzat e Ekonomikut në leksion, sherr mes studentëve dhe një grupi të rinjsh
Një sherr mes disa të rinjve ka ndodhur pasditen e djeshme në Qytet Studenti, me pasojë plagosjen e tre personave. Mësohet se ngjarja është shënuar rreth orës 17:20, në ish-mensën e Qytetit Studenti, ku viti i tretë i Financës po zhvillonte leksion.
Dy djem të paidentifikuar ende, kanë hyrë në një orë mësimi dhe pedagogia që po jepte leksion në ato momente, duke mos i njohur që nuk ishin studentë të grupit, i ka pranuar në mësim.
Por këta të fundit kanë nisur të ngacmojnë disa nga vajzat e kursit. Mësohet se studentet e Ekonomikut u kanë dalë në mbrojtje, duke u përfshirë fillimisht në konflikt verbal me të rinjtë që nuk ishin pjesë e Fakultetit Ekonomik.
Kur ka mbaruar mësimi, studentët kanë dalë jashtë për t’u larguar nga ish-mensa, por janë konfrontuar me dy djemtë, të cilët kishin thirrur për mbështetje edhe shokët e tyre.
Për pasojë, nga sherri kanë përfunduar në spital tre të rinj. Raportohet se mësimi i studentëve të Ekonomikut po zhvillohej tek ish-mensa e QS, pasi ambientet e fakultetit janë në rikonstruksion.
UEFA shton dyshimet, mungon stadiumi për Shqipëri-Francë
Shtohen dyshimet për zhvillimin e ndeshjes Shqipëri-Francë në stadiumin “Arena Kombëtare”. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka pohuar se ndeshja në fjalë do të luhet patjetër në këtë stadium më 17 nëntor dhe se vetëm ndonjë forcë madhore mund ta ndalojë. Por dyshimet janë bërë më serioze, sepse në faqen zyrtare të UEFA-s, në kalendarin e ndeshjeve kualifikuese të radhës për Euro 2020, vetëm për ndeshjen Shqipëri-Francë mungon emri i stadiumit. Kjo do të thotë se ende nuk ka një konfirmim zyrtar për zhvillimin e ndeshjes në stadiumin e ri, që me sa duket, nuk është gati. Kuptohet qartë se UEFA nuk toleron aspak në këtë drejtim. Stadiumi duhet të përmbushë të gjitha kriteret për të marrë miratimin dhe fakti që UEFA nuk e ka publikuar në faqen e saj emrin e stadiumit, do të thotë se diçka nuk shkon. Për ndeshjen me Andorrën, që luhet më 14 nëntor, është konfirmuar stadiumi “Elbasan Arena”. Ky mund të jetë plani B i FSHF-së për Francën, ose ndoshta “Loro Boriçi” i Shkodrës, por kohët e fundit po insistohet fort për stadiumin e ri.

 

Më Shumë