Podcast

Audio-Lajme shkurt 4 shtator 2019

Kriza politike/ Zyrtari i DASH kërkon bashkëpunim me PD-në për reformën zgjedhore
David Kostelançik, zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit ka mbërritur në Shqipëri dhe ka nisur takimet me udhëheqësit politikë. Takimin e parë Kostelançik e zhvilloi me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi. Drejtori i për Europën Qendrore Jugore në Departamentin e Shtetit në këtë takim ka kërkuar që mazhoranca të dialogojë me opozitën joparlamentare për reformën zgjedhore.
Ai rekomandoi se është përgjegjësi e qeverisë që dora e shtrirë për opozitën duhet të mundësojë tërheqjen e saj në realizimin e kësaj reforme brenda këtij viti. SHBA gjithashtu ka dhënë një mbështetje të fortë për reformën në drejtësi.
Kostelancik takohet në Tiranë edhe me liderin e PD-së, Lulzim Basha dhe kryeministrin Edi Rama. Ndërsa ende nuk ka të parashikuar në axhendë një takim me presidentin Ilir Meta.

Aksioni opozitar i vjeshtës, Kryemadhi takim me Bashën
Opozita u shpreh sot se do të vazhdojë aksionin opozitar me protesta, pasi sipas saj, shqiptarët nuk e duan më Edi Ramën kryeministër. Pasi priti kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, kryedemokrati Lulzim Basha deklaroi se duhet larguar sa më parë qeveria Rama. Basha ndau një shqetësim me gazetarët, atë që ka të bëjë me dy koncesionet e rrugëve Milot-Balldren dhe Vlorë-Orikum.
Duke i cilësuar si koncesione të hajdutërisë, kryedemokrati akuzoi kryeministrin se po bën ligj për të vjedhur. “Çështja që ka plasur, skandali me dy koncesionet e hajdutërisë, kërkon vëmendjen maksimale të mundshme. Bëhet fjalë për një aferë të tmerrshme korruptive. Për rrugën Milot-Balldren dhe Vlorë- Orikum. Ka një analizë të plotë të dëmit që i sjell buxhetit. Është rrëzuar dekreti dhe këto dy koncesione do të rimiratohen në Parlament. Ky nuk heq dorë nga grabitja e vjedhja”, u shpreh Basha.
Edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, u shpreh për gazetarët se opozita e bashkuar do të vazhdojë aksionin opozitar, pasi shqiptarët nuk e duan më Edi Ramën kryeministër.

Prokuroria për Kajmakun e Pjetrin: Jemi në pritje të Italisë dhe Greqisë
Prokuroria e Përgjithshme ka sqaruar procedurat në lidhje me verifikimin e dy kryebashkiakëve të akuzuar nga PD si të inkriminuar, Valdrin Pjetri i Shkodrës dhe Agim Kajmaku i Vorës. Prokuroria në një deklaratë për mediat thekson se ka kryer të gjitha procedurat e nevojshme pas kërkesës së paraqitur nga PD-ja.
Ndërsa thekson se Kajmaku nuk ka pranuar të japë gjurmët e gishtave, prokuroria ka bashkëpunuar me kompaninë Aleat të pasaportave. Organi i akuzës bën të ditur se është në pritje të përgjimeve të verifikimeve nga Greqia dhe Italia për dy kryebashkiakët e akuzuar nga opozita.

PD: Prokuroria ‘mbron’ Kajmakun
Partia Demokratike, nëpërmjet ish-deputetit Luçiano Boçi, vijon me akuzat dhe sulmet ndaj kryebashkiakut të Vorës Agim Kajmaku.
Boçi tha se Prokuroria, duke u fshehur pas procedurave, nuk i merr shenjat e gishtërinjve dhe krijon mburojë mbrojtjeje për Agim Kajmakun.
“Jorgo Toto, Agim Kajmaku, të cilin Edi Rama ua dërgoi qytetarëve të Vorës si peshqesh të qeverisë së tij të krimit, ka refuzuar të depozitojë shenjat e gishtave, duke konfirmuar kështu se është ai personi i arrestuar në Greqi nën akuzën e trafikimit të parave të falsifikuara.
Prokuroria, duke u fshehur pas procedurave, po ndërton një mburojë mbrojtjeje për të inkriminuarin e radhës.
Sipas Boçit, Edi Rama duke u fshehur pas postierit të Vorës po bën gjithçka për të shpëtuar të inkriminuarin e tij.

PS i rrëzon Metës edhe kandidatin për kreun e KLSH
Partia Socialiste rrëzon kandidaturën e paraqitur nga presidenti Ilir Meta për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Petraq Milo ishte kandidatura e tretë e propozuar nga presidenti për këtë post, por mazhoranca e rrëzoi duke e cilësuar si në mospërputhje me ligjin. Nëntë deputetë të PS-së votuan për rrëzimin e kandidaturës, ndërsa katër nga opozita ishin pro emrit të Milos.
Kuvendi i ka rrëzuar Presidentit më parë edhe emrat e Vitore Tushës dhe Bahri Shaqirit të propozuar për kryetarin e KLSH-së.

Albin Kurti flet si kryeministër: Efekt “tektonik” në Kosovë dhe Shqipëri
Albin Kurti konfirmoi gjatë një takimi me simpatizantët e Lëvizjes Vetëvëndosje në Shqipëri se nuk do ta braktiste agjendën e partisë së tij për bashkim kombëtar.
Duke folur për planet e tij si kryeministri i ardhëm i Kosovës, ai u shpreh se përpos sfidave të mëdha që e presin Kosovën, në krye të agjendës së tij do të jetë edhe forcimi i bashkëpunimit Tiranë-Prishtinë.
Kurti shprehet i bindur se me fitoren e tij, shqiptarët e të gjitha trevave do të jenë më të bashkuar se kurrë. Ai nuk ka dyshim se ardhja e Vetëvendosjes në pushtet të ketë efekt “tektonik” edhe në Shqipëri, ndërsa nuk i kursyeu kritikat për qeverinë Rama për vendosjen e taksës në Rrugën e Kombit.
“Shqipëria dhe Kosova janë të Kastriotit dhe jo të Kastratit. Barriera në Rrugën e Kombit do të vazhdojë të rrisë ndasitë midis Kosovës dhe Shqipërisë”, tha Kurti.
“Fitorja jonë do të ketë efekt edhe në Shqipëri. Ne do synojmë bashkëpunimin sa më shumë. Nuk është e mundur që dy shtete të një kombi të mos jenë të integruara sa ç’janë vendet e BE. Vendet e BE kanë tregje të përbashkëta e ne nuk kemi”, shtoi ai.

Dosja “Babale”, Gazmend Bardhi shkon në gjykatë për të dëshmuar
Ndërkohë që gjykata në korrik të këtij viti kishte urdhëruar shoqërimin e tij të detyruar në rast mosparaqitje, sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, shkoi vetë për të marrë pjesë në seancën e radhës gjyqësore për dosjen “Babale”.
Gjykata e Tiranës urdhëroi që Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi, të sillej forcërisht në gjyqin ku po shqyrtohet dosja “Babale” pasi sipas saj, Bardhi është njoftuar dy herë për të dëshmuar në këtë gjyq, por refuzon të paraqitet.
Bardhi ka deklaruar se urdhri për shoqërim të detyrueshëm është i paligjshëm.
“S’kam pasur njoftim për të ardhur në seancë. Është i paligjshëm urdhri për shoqërim të detyrueshëm”, deklaroi Bardhi.
Ndërsa më tej, i pyetur nga Prokurorët në seancë se si i ka rënë në dorë audiopërgjimi, Bardhi deklaroi se ai ka qenë një investigim gazetaresk.

Studimi: Mikroplastika në ujë nuk është e dëmshme
Një raport i fundit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, ka treguar se mikroplastika në ujë nuk është e dëmshme dhe nuk paraqet një rrezik të dukshëm për shëndetin, por Kombet e Bashkuara kanë deklaruar se duhen ende prova për të cilësuar efektet e këtij materiali. Raporti i prezantuar në 28 gusht është përpjekja e parë e agjencisë shëndetësore të Kombeve të Bashkuara, për të vlerësuar ndikimin e mikroplastikës në shëndetin e njeriut. Studimi i OBSH-së u përqendrua në veçanti tek mikroplastika që gjendej në ujin e pijshëm, edhe pse janë studiuar edhe ujërat e deteve, ujërat e ëmbël, ajri dhe ushqimi. Sipas raportit, edhe pse nuk ka informacion të mjaftueshëm për të nxjerrë përfundime të forta mbi toksicitetin e mikroplastikës, asnjë informacion i besueshëm nuk tregon se njerëzit duhet të shqetësohen.

Bare dhe Kumbulla: Me Francën na bën punë edhe barazimi
Në konferencën e sotme për shtyp në vigjilje të ndeshjes së parë të kombëtares dolën mbrojtësi Marash Kumbulla dhe mesfushori Kejdi Bare. Ky i fundit që rikthehet në kombëtaren e madhe pas një sezoni shumë të mirë me ekipin e tij, Malaga shpreson që të ketë minuta në këto dy ndeshje shumë të rëndësishme. Bare tha se e kishte pritur ftesën nga trajneri Reja, por për të luajtur tha se do jetë i duruar deri në momentin që trajneri do të marrë vendimin e tij. “Me thënë të drejtën e prisja shumë këtë ftesë dhe jam shumë i lumtur që jam këtu. Shpresoj të jap maksimumin për Kombëtaren”, tha Bare ndër të tjera.
Ndërsa debutuesi Marash Kumbulla që pret gjithashtu të ketë minuta në këto ndeshje u shpreh me nota pozitive për atmosferën që ka gjetur në grupin kuqezi. “Me trajnerin e ri kam pasur më shumë hapësira te Verona dhe uroj të luaj gjatë gjithë kampionatit. Jam i përqendruar të jap maksimumin për ekipin aktual, nuk mendoj për të ardhmen. Në skuadër më kanë pritur të gjithë shumë mirë”, tha Kumbulla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë