Podcast

Audio-Lajme shkurt 30 gusht 2019

Të hënën nis sesioni i ri parlamentar
Të hënën e parë të shtatorit nis sesioni i ri parlamentar.
Nëpërmjet një njoftimi, Kuvendi sqaron se më datë 2 shtator, ora 18:00 do të zhvillohet seanca e parë parlamentare.
Rendi i ditës së seancës së parë plenare është i publikuar në faqen e Kuvendit.
Ndërkohë, edhe ky sesion parlamentar do të nisë pa praninë e opozitës, e cila ka bojkotuar Kuvendin prej muajsh dhe nuk mori pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit.

Meta: S’jam populist! Po mbroj interesat kombëtare
Presidenti Ilir Meta u qëndron deklaratave të bëra në fillim të muajit korrik, kur akuzoi George Soros se po komplotonte kundër demokracisë shqiptare. Në një intervistë dhënë për gazetën italiane “Il Giornale”, kreu i shtetit shpreh bindjen se po mbron interesat e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
“Jemi një komb i vogël dhe duhet të jemi të vëmendshëm në këtë epokë globalizimi, që të ruajmë vlerat dhe identitetin tonë. Duhet të ruajmë interesat tona kombëtare pa përfunduar në duart e aktorëve privatë të huaj”, thotë Meta.
Sa u takon zgjedhjeve të 30 qershorit, Meta përsërit se ato janë antikushtetuese dhe thotë se nëse nuk do të nxirrte dekretet e anulimit dhe shtyrjes së tyre për në 13 tetor, vendi do të shkonte drejt një përplasjeje të pashmangshme.
Në intervistën për gazetën italiane, Meta kujton se socialistët kanë marrë që të 61 bashkitë dhe këshillat bashkiakë, ndërsa flet për parregullsi në procesin pa garë dhe ngre shqetësimin për volumin e madh të parave të drogës që qarkullojnë në ekonominë shqiptare.

Negociatat, Lajçak: Në tetor BE të tregojë sa serioze është!
Shqipëria pritet të marrë një sinjal për hapjen ose jo të negociatave në tetor nga ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të BE-së, të cilit po diskutojnë me homologët e tyre nga rajoni për perspektivën e zgjerimit.
Ata janë mbledhur në një takimin joformal me ministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Helsinki, pjesë e të cilit është edhe ministri Gent Cakaj, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Federica Mogherini dhe ministrat e punëve të jashtme të Ballkanit Perëndimor.
Gjatë këtij takimi, Ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajcak , vendi i të cilit mban presidencën e radhës së OSBE-së, shprehet se në tetor duhet të jepet sinjal i fuqishëm për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, përsa i përket çeljes së negociatave.

“Bum” lejesh ndërtimi para 30 qershorit, INSTAT: 15% më shumë se 2018
Në tremujorin e dytë të 2019-ës, që përkojnë me tre muajt para zgjedhjeve të 30 qershorit, lejet e ndërtimit të dhëna nga bashkitë në shkallë vendi u rritën me thuajse 15 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Instituti i Statistikave publikoi shifrat, sipas të cilave rritja më e fortë e lejeve të dhëna ka ndodhur në Qarkun e Durrësit. Nga data 1 prill deri më 30 qershor, në këtë qark janë dhënë plot 55 leje ndërtimi, ose më shumë se dyfishi i 26 lejeve të dhëna për të tremujorin e parë të këtij viti. Ndërsa pjesën më të madhe të lejeve të dhëna e ka Bashkia e Tiranës.

PD denoncon: 2 socialistë po bëjnë shtesa mbi pallate
Partia Demokratike denoncon se mbi pallatet shumëkatëshe po ndërtohen shtesa nga dy socialistë. Oriola Pampuri ish-deputetja e PD-së akuzoi kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj se ka lejuar që të kryhen punimet në zemër të kryeqytetit.
Bëhet falë për ndërtimin e ish-deputetit të PS-së, Vladimir Kosta dhe për deputetin e PS-së, Robert Bitri.
Pampuri theksoi se Tirana po betonizohet dhe sipas raportit zyrtar të INSTAT, në tremujorin e parë të këtij viti janë dhënë gjithsej për kryeqytetin 94 leje ndërtimi, me një rritje prej 44% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Basha denoncon: Rama 32 milionë euro shpenzime për udhëtime në 6 vjet
Në një postim me anë të videos në rrjetet sociale, kryetari i PD-së, Lulzim Basha shprehet se “qeveria ka shpenzuar mbi 32 milionë euro bileta avioni në 6 vjet”. Sipas Bashës vetëm zyra e tij ka kushtuar 5,5 milionë euro.
Për këtë lideri i opozitës bëri thirrje për rrëzimin e qeverisë Rama, duke paralajmëruar edhe nisjen e protestave që sipas gjasave pritet të nisin në shtator.

Biletat false, Prokuroria: Burg për 7 nga të arrestuarit
Prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 7 nga 8 të arrestuarit, që u vunë në pranga për falsifikim biletash dhe abonesh në transportin urban në Tiranë.
Prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Ferdinant e Anastas Ibrahimi (babë e bir), Fatos Vrapin, Evisa Vora, Klodiana Qato, Lulëzim Allaraj dhe Aldi Duka. Ndërkohë, Prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për Albana Vrapin.
Ferdinant Ibrahimi ka deklaruar gjatë seancës se nuk ka dijeni për biletat e falsifikuara.
Të arrestuarit, mes të cilëve tre janë administratorë të operatorëve të transportit publik në Tiranë, dispeçer dhe arkëtar kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin dhe kanë falsifikuar bileta të transportit urban në kohë dhe periudha të ndryshme, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore dhe përfitim financiar të disa shoqërive operatore në transportin urban në qarkun Tiranë.

Shqipëria U-21/ Talente nga Çelsi e Lacio, 7 lojtarë nga kampionati ynë
Trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, ka publikuar listën zyrtare të futbollistëve të grumbulluar për dy ndeshjet me Francën dhe me Austrinë. E para është miqësore dhe luhet më 5 shtator në Francë, kurse e dyta është kualifikuese për “Euro 2020” dhe do të zhvillohet në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit më 9 shtator. Në listën e trajnerit Bushi bëjnë pjesë thuajse të gjithë lojtarët që ai ka thirrur edhe në ndeshjet e fundit. Bie në sy prania e talenteve si, sulmuesi Armando Broja i Çelsit, mbrojtësi Anxhelo Ndreçka i Lacios, mesfushorët Lindon Selahi i Tuentes dhe Aristidi Kolaj i Sasuolos etj. Rikthehen sulmuesi Xhakomo Vrioni, i cili aktivizohet me Çitadelën aktualisht, dhe Albion Ademi, që luan në Finlandë dhe ka lënë pas dëmtimin që kishte pësuar.

Shorti i Europa League, të mëdhatë shmangin grupet e “ferrit”
Është hedhur sot në Monako shorti për fazën e grupeve të Europa League. Goglat e tërhequra nga Ashli Kol dhe Paulo Ferreira grupet e krijuara nuk kanë vënë përballë asnjë prej ekipeve pretendente. Mançester Junajtid, Sevilja, Roma, Arsenali, Volsburgu apo të tjera ekipe pretendente për ta fituar trofeun e dytë më të rëndësishëm në futbollin europian kanë shmangur përplasjet me njëra tjetrën që në fazën e grupeve. Para hedhjes së shortit në ceremoninë e mbajtur në Monako është dhënë çmimi për Eden Hazard si lojtari më i mirë i kompeticionit për sezonin e shkuar. Belgu ishte lideri i Çelsit në triumfin e Europa League në maj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë