Podcast

Audio-Lajme shkurt 3 shtator 2019

Nis zyrtarisht hetimi i Metës. Opozita: Shtyni afatin. Venecia më datë 9 në Tiranë
Komisioni i posaçëm hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta miratoi me 7 vota pro dhe 1 kundër planin e punës. Në të parashikohet thirrja në seancë dëgjimore të presidentit Meta. Deputetët e opozitës kërkuan që afati i komisionit të shtyhet, pasi duhet pritur plotësimi i Gjykatës Kushtetuese, institucion që jep vendimin final nëse presidenti duhet shkarkuar ose jo.
Por një gjë e tillë nuk u pranua nga socialistët të cilët theksuan se kjo nuk e pengon punën e komisionit.
Ndërkaq është bërë e ditur se më 9 shtator në Tiranë do të mbërrijë një delegacion i ekspertëve të komisionit të Venecias të cilët do njihen me kërkesën e Kuvendit për shkarkimin e presidentit Meta.
Delegacioni do të qëndrojë dy ditë në Tiranë dhe se do të ketë takime me deputetët e komisionit, por edhe me përfaqësues të opozitës. Kryekomisioneri Manja u shpreh se do të pritet mendimi Venecias përpara se të merret vendimi për presidentin.

Meta reagon: Propaganda anti-President nuk e ndihmon krizën
Presidenti Ilir Meta reagoi sot ndaj vendimeve të Parlamentit të marra në komisionin hetimor apo dhe me rrëzimin e katër dekreteve për ligjet e ndryshme. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Meta theksoi se “propaganda anti-Presidenti nuk e ndihmon sundimin e ligjit që është kusht për çeljen e negociatave”.
“Spostimi i vëmendjes për momentin nga detyrimi për respektimin e dekretit në fuqi të 13 tetorit për zgjedhje gjithëpërfshirëse vendore nuk ndihmon për zgjidhjen e krizës, por ndihmon përshkallëzimin e saj. Zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje!”, thekson presidenti.

Palmer: Koha e lojërave politike për shmangien e përgjegjësisë në Ballkan ka mbaruar!
Matthew Palmer ka deklaruar në mesazhin e tij të parë si i Dërguari Special i SHBA-së për Ballkanin se koha për lojëra politike dhe përpjekjet për të shmangur përgjegjësinë ka mbaruar”.
Gjatë një takimi me Ministrin e Jashtëm maqedonas Nikolla Dimitrov dhe Ministren maqedonase të Mbrojtjes Radmila Sekerinska në forumin në Bled të Sllovenisë, diplomati amerikan deklaroi se SHBA mbështesin fuqishëm Maqedoninë e Veriut për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian. Mediat maqedonase shkruajnë se fokusi i takimit ishte procesi i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO dhe fillimin e negociatave me BE, por nuk raportohet nëse Palmer e ka përmendur vendin tonë.
Në forumin strategjik të Sllovenisë, ku do të bëhej edhe prezantimi i parë i zotit Palmer si i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për vendet e Ballkanit, Shqipëria nuk është përfaqësuar nga ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, por nga Ambasadori shqiptar në Slloveni, Pëllumb Qazimi.
Duke qenë se takimi ishte i nivelit të lartë politik, ambasadori Qazimi nuk është lejuar të flasë si përfaqësuesi i Tiranës zyrtare në këtë forum strategjik.

SHBA: Me Reformën në Drejtësi, çdokush i barabartë përpara ligjit
Ambasada Amerikane ka bërë një tjetër postim në “Facebook”, në lidhje me Reformën në Drejtësi. Sot Ambasada ka shpjeguar mënyrën se si ajo funksionon dhe ndikimin që do të ketë në jetën e qytetarëve, duke bërë një përmbledhje të videove të kaluara, lidhur me procesin e vettingut, që nga Reforma në Drejtësi, Gjykatën Kushtetuese, krijimin e SPAK dhe BKH.
“Reforma në drejtësi do të sigurojë që çdokush të jetë i barabartë përpara ligjit”, është një ndër mesazhet e ambasadës. Ambasada Amerikane në Tiranë, prej disa javësh, vijon me publikimin e videove informuese ku shpjegon se ku do të kalojë ky proces.

“Ahmetaj” rrëzon katër dekretet e Metës
Komisioni Kuvendor për Ekonominë dhe Financat ka rrëzuar katër dekretet e presidentit Ilir Meta.
Sot me çeljen e komisioneve kuvendore në sezonin e ri parlamentar Komisioni për Ekonominë dhe Financat e ka nisur punën me shqyrtimin e kthimit të katër ligjeve të Presidentit Meta.
Komisioni i Ekonomisë ka rrëzuar fillimisht 2 dekretet e Presidentit Meta për privatizimet si dhe atë për koncesionin e rrugës Orikum-Dukat.
Këto dekrete u rrëzuan nga votat e maxhorancës, teksa do të kalojnë pa ndryshime në seancë. Në mbledhjen e sotme, e cila drejtohej nga ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj, ky i fundit ka pasur një debat edhe me deputetin e opozitës, Alban Zeneli.

Pasaporta diplomatike, Rama ia heq kompetencat ministrit Cakaj
Lëshimi i pasaportave diplomatike nuk do të jenë më kompetencë e ministrit të Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, por e sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrit, Engjëll Agaçi.
Kjo është vendosur në vendimin e qeverisë së marrë në 12 qershor, ku në shtojcën shoqëruese përcaktohet procedura për pajisjen me pasaportë diplomatike apo shërbimi. Në këtë vendim i është hequr e drejta pasjes me pasaportë të posaçme liderit të PD-së, Lulzim Basha, si dhe të gjithë kryebashkiakëve të tjerë.

Përdori gjuhë ofenduese për Sindromën Doën, Murrizi kërkon falje publike
Deputeti i opozitës parlamentare, Myslim Murrizi, në një deklaratë nga Kryesia e Kuvendit, ka kërkuar ndjesë publike për termin e përdorur me një nga ndjekësit në rrjetet sociale, duke e quajtur “Down”. Deklarata e tij në rrjetet sociale ngjalli reagime të mëdha nga Avokati i Popullit, shoqëria civile dhe shoqatat që përkrahin persona me Sindromën Down.
“Ndjesë publike për të indinjuarit. Mbështetje për ata që janë me Sindromën ‘Doën’. Ndjesë për termin e përdorur në FB, në asnjë moment nuk kam dashur t’i ofendoj njerëzit me sindromën Down”, është shprehur deputeti.
Ndërkohë, Murrizi nuk kurseu as akuzat për të gjitha shoqatat, që sipas tij marrin fonde për këtë kategori të personave me aftësi ndryshe, dhe nuk ofrojnë asnjë ndihmë.

Konkursi për policët e rinj, më 4 shtator testi me shkrim
Më 4 shtator, në Pallatin e Kongreseve, 2 120 aplikantë do të marrin pjesë në testimin me shkrim për 500 vende për Patrullë të Përgjithshme.
Drejtori i Kolegjit Policor, Drejtues Ylli Vasili në një konferencë për mediat sqaroi se testimi do të zhvillohet në dy faza, brenda ditës, të ndara në disa qarqe.
“Në fazën e parë do të marrin pjesë aplikantët e qarqeve Tiranë, Berat, Durrës e Fier, të cilët duhet të jenë prezent në Pallatin e Kongreseve, në orën 07:30 të mëngjesit. Në fazën e dytë do të marrin pjesë aplikantët e qarqeve Gjirokastër, Vlorë, Elbasan, Korçë, Lezhë, Shkodër, Kukës, Dibër, të cilët duhet të jenë prezent në orën 12:00, në Pallatin e Kongreseve”, u shpreh Vasili.
Ai bëri me dije se rezultatet e testimit do të dalin menjëherë, e ndërsa brenda dy ditësh ato kanë të drejta të ankimojnë notën ne rast se nuk janë dakord me rezultatin.

Gjasula dhe Roshi besim se mund t’ia dalim me Francën
Në konferencën e sotme për shtyp në vigjilje të ndeshjeve të Kombëtares, kanë dalë dy mesfushorët, Klaus Gjasula dhe Odise Roshi. Mesfushori i krahut të djathtë theksoi mes të tjerash se atmosfera në ekip është entuziaste dhe se mungesat e Francës nuk duhen marrë aspak në konsideratë, duke ditur potencialin që ka kjo skuadër. Fillimisht, futbollisti fierak foli për gjendjen e tij fizike: “E kam marrë veten pas operacionit, kam luajtur disa ndeshje me Akhmat Groznin dhe jam në formë mjaft të mirë aktualisht. A do të luaj? E di trajneri, personalisht jam gati të jap kontributin tim për ekipin”, tha Roshi. Ndërsa Gjasula, që u thirr për herë të parë nga trajneri Edi Reja për dy ndeshjet e radhës eliminatore të kampionatit europian u shpreh mjaft i lumtur për këtë mundësi që iu dha. “Jam shumë mirë dhe është kënaqësi që jam këtu. E kam pritur gjatë këtë ditë dhe të jap maksimumin për të ndihmuar. Do të ishte e madhe nëse luaj por vendos trajneri. Vitet e fundit nuk e prisja që do të vinte kjo ditë, por dy vitet e fundit më ka ecur shumë mirë në Gjermani dhe kur luan në Bundesligë është më mirë”, tha Gjasula.

 

Më Shumë