Podcast

Audio-Lajme shkurt 29 tetor 2019

Ligji i luftës dhe minoriteti, për çfarë biseduan Rama dhe Mitsotaqis në Athinë
Ka përfunduar pas 55 minutash takimi mes kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe atij grek, Qiriakos Mitsotaqis në Athinë. Dy liderët raportohet se kanë diskutuar disa çështje të rëndësishme, si marrëveshja për detin, apo dhe të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri, apo dhe qëndrimi i shtetit helen për çeljen e negociatave.
Pala greke ka shprehur mbështetje për marrëveshjet e arritura deri më tani dhe implementim e tyre. Mitsotaqis ka kërkuar të njihet me çështjen e pronave në Himarë dhe progresin për respektimin e minoritetit grek. Ai ka shprehur vullnetin për një vizitë në Shqipëri për të parë nga afër edhe zonat e minoritetit.
Kryeministri Rama raportohet se i ka kërkuar Mitsotaqis heqjen ligjit të luftës dhe njohjen e patentave. Po ashtu ai i ka kërkuar Greqisë të jetë më aktive në rajonin e Ballkanin Perëndimor dhe të marrë një rol udhëheqës.

Testi i Magjistraturës, kandidatet për në Kushtetuese, më dobët se studentët e shkollës
Arta Vorpsi, Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji janë kandidate e për të zënë njërën nga shtatë karriget e mbetura bosh në Gjykatën Kushtetuese, por nëse ato do të konkurronin për në Shkollën e Magjistraturës, shkolla që përgatit gjyqtarët dhe jep statusin e magjistratit, gjasat janë që të mos e fitonin. Komisioni i Ligjeve në Kuvend nisi këtë të martë marrjen në pyetje të kandidatëve për plotësimin e njërës prej shtatë vakancave të mbetura në Gjykatën Kushtetuese. Seanca nxorri në pah se të tre kandidaturat që dolën para Komisionit të Ligjeve nuk kanë kapur pikët e nevojshme në testin e Shkollës së Magjistraturës, që në një rast hipotetik, do t’i bënte anëtare të kësaj shkolle. Të trija kandidatet pranuan se nuk kishin kapur 60 pikët e nevojshme në testin Scantron, që është një kusht për t’u bërë pjesë e Shkollës së Magjistraturës.

Shpallet lista, 3 kandidatë zyrtarë për kryeprokuror
Këshilli i Lartë i Prokurorisë shpall tre kandidatët Arta Marku, Olsjan Ccela dhe Fatjona Memccaj për postin e prokurorit të Përgjithshëm. Këshilli bëri të ditur se më 13 nëntor do të realizohet edhe intervistimi i tre kandidatëve dhe më pas lista me renditjen e pikëzimit do t’i dërgohet Parlamentit për t’u votuar. Ligji parashikon që prokurori i përgjithshëm të zgjidhet me 84 vota, nëse kjo nuk arrihet atëherë për këto post zgjidhet personi që është renditur i pari nga KLP në listën e pikëzimit

Prokuroria nis hetimet ndaj kryebashkiakut të Vorës
Prokuroria ka nisur hetimet ndaj kryetarit të Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku. Ai akuzohet për fshehje të faktit se ka qenë i dënuar dhe person në kërkim në Greqi. Prokuroria ka dërguar shkresën edhe në KQZ mbi konkluzionet e nxjerra për hetimin e nisur pas denoncimeve të Partisë Demokratike në adresë të kryebashkiakut të Vorës, i cili rrezikon të dënohet me katër vite burgim, për fshehje të së kaluarës penale.

Korrupsioni në arsimin e lartë, Ambasada e SHBA: Studentët të ngrenë zërin!
Ambasada Amerikane në Tiranë ka bërë me dije se qeveria e Shteteve të Bashkuara është e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e sundimit të ligjit në mbarë botën.
Me anë të një postimi në “Facebook”, ambasada ka deklaruar se çdo javë do të ndërmerret një nismë e caktuar për sa i përket luftës së korrupsionit në Shqipëri dhe këtë javë fokusi është ngritja e zërit nga ana e studentëve për sa i përket korrupsionit në arsimin e lartë.
“Çdo javë do të nënvizojmë një nismë që kemi ndërmarrë për të luftuar korrupsionin në Shqipëri. Këtë javë, mësoni më shumë mbi projektet që Ambasada e Sh.B.A-së ka financuar, në bashkëpunim dhe Këshillin Rinor të Ambasadës Amerikane dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, për të ndihmuar studentët të ngrenë zërin kundër korrupsionit në arsimin e lartë”, thuhet në postimin e ambasadës.

Zaev kap “shah-mat” BE-në, ngrin Marrëveshjen e Prespës
Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev njoftoi sot një nga lëvizjet me tij më të guximshme në “shahun” e politikës së jashtme: “ngrirjen e Marrëveshjes së Prespës”.
Përpara mbërritjes në Romë, ku do të takohet me kryeministrin italian, Xhuzepe Conte, Zaev ka dhënë një intervistë për “Euroneës”, duke paralajmëruar sot se “një pjesë e Marrëveshjes së Prespës ngrin, pasi është i pamundur zbatimi i plotë”.
Sipas tij, pakti i emrit i nënshkruar vitin e kaluar me ish-kryeministrin Aleksis Tsipras ka lidhje të drejtpërdrejtë me etapat integruese të Maqedonisë së Veriut në BE.
“Refuzimi i BE-së për një datë të caktuar për çeljen e negociatave, rrezikon zbatimin e disa pikave të marrëveshjes së Prespës. Marrëveshja e Prespës lidhet ngushtë me kapituj të procesit të çeljes së negociatave. Pala greke ishte dakort me këtë pjesë, duke marrë parasysh të ardhmen tonë në BE, por në kuadrin e sotëm, është e pamundur të realizohet”, shtoi kryeministri i Maqedonisë së Veriut.
Javën e kaluar, Zaev paralajmëroi BE-në se me shtyrjen e negociatave po ndëshkonte Marrëveshjen e Prespës.

Partizani, presidentin Demi e gjen belaja me sherrxhiun Lerda
Trajneri italian i Partizanit, Franko Lerda, është një tip shumë i vështirë, sidomos në komunikim. Ai ishte shumë nervoz gjatë ndeshjes së djeshme me Kukësin, e mbyllur në barazim, 0-0. Pati një debat me kolegun e tij te Kukësi, Shpëtim Duro, ndërsa pas ndeshjes gati sa nuk përfundoi në një sherr me grushte me ndihmësin Dritan Mehmeti. Një sjellje krejtësisht e pahijshme e një trajneri italian që presupozohet se sjell më shumë profesionalizëm në vendin tonë. Që në ditët e para të stërvitjes me Partizanin, ai pati një debat të fortë me të dy ndihmësit e tij, Dritan Mehmetin dhe Korrado Sakonen. Arsyeja ishte shumë banale: trajneri donte një dhomë më vete për t’u ndërruar. Në atë kohë drejtuesit e kuq morën kohën e nevojshme dhe në fund vendosën të bënin “kokë turku” italianin Sakone. Tani presidentin e Partizanit, Gaz Demi, duket se e ka gjetur belaja sërish me sherrxhiun Lerda, i cili mësohet se ka qenë i gatshëm të japë dorëheqjen, pasi nuk punon dot në kushte të tilla. Italiani nuk e do më si ndihmës Mehmetin, është e qartë. Lerda është një zgjedhje e drejtorit Olsi Rama, i cili ka në dorë çelësat e Partizanit.

 

Më Shumë