Podcast

Audio-Lajme shkurt 29 gusht 2019

Katër pikat e ndarjes së madhe Rama-Bushati
Katër janë ndasitë në qëndrime mes Edi Ramës dhe Ditmir Bushatit, që kanë rindezur përplasjen e tyre brenda Partisë Socialiste pas dorëheqjes së Valdrin Pjetrit në Shkodër, si pasojë e ligjit të dekriminalizimit. Ish-ministri i Jashtëm kërkon së pari që drejtuesit e partisë t’u kërkojnë ndjesë qytetarëve për kandidatin e përzgjedhur, të mbajnë përgjegjësi, të reformohet partia dhe të mos rikthehen në të ardhmen fenomene si rasti i “Pjetrit”. Rama nga ana tjetër thotë se nuk mund të mbajë përgjegjësi për “mollët e kalbura”, se përgjegjësia është individuale, propozon që në vend të reformimit të partisë të ndryshohet ligji i dekriminalizimit duke vendosur afate në këtë ligj për verifikimin shtetëror të kandidaturave para regjistrimit të tyre në zgjedhje dhe në fund se PS nuk mbron asnjë përballë ligjit.

PD nxjerr të dhënat e TIMS: Kajmaku dhe Toto janë i njëjti person
Për Partinë Demokratike Agim Kajmaku dhe Jorgo Toto janë i njëjti person dhe sot demokratët publikuan dokumente me foto që – sipas tyre – janë të pakontestueshme si prova.
Ish-deputeti i PD-së, Gent Strazimiri tha se Kajmaku, i njohur ndryshe edhe si Jorgo Toto, është arrestuar në Greqi duke bërë biznes me para të falsifikuara dhe se me emrin e ndryshuar nëpërmjet falsifikimit, është person në kërkim në shtetin fqinj.
PD paraqiti dy dokumente me të dhënat e marr nga sistemi TIMS me të dhënat e pasaportat me të njëjtën foto të kryebashkiakut të Vorës, në dy emrat si Agim Kajmaku dhe Jorgo Toto.

Arta Marku imiton Ramën, Berishën dhe Tahirin
Arta Marku ka rifreskuar të dhënat e CV-së në adresën zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme përkatësisht ëëë.pp.gov.al. Duke e cilësuar informacion personal, Arta Marku menjëherë pas emrit ka shtuar në jetëshkrim edhe numrin e telefonit, 0694113507, duke lënë të kuptohet se për çdo shqetësim mund të kontaktohet. Për më tepër, në jetëshkrim janë vendosur edhe dy adresa email-i, edhe personali edhe zyrtari. Ky gjest për një prokuror është “surprizues” po të kemi parasysh natyrën e rezervuar që kanë prokurorët. Ndërsa për politikanët, telefoni është kthyer në një veprim afrimiteti me qytetarët gjë që e vëmë re dukshëm te kryeministri Edi Rama, ish-kryeministri Sali Berisha, por edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Shtyhet edhe 1 muaj afati i transmetimeve analoge
Autoriteti i Mediave Audiovizive ka vendosur të shtyjë afatin e transmetimeve analoge edhe për një muaj, pra që do të thotë se sinjali analog nuk do të fiket më 1 shtator. Kreu i AMA-s, Gentian Sala bëri me dije se vendimi i shtyrjes së afatit të transmetimeve analoge është marrë pas një sondazhi të bërë, në të cilën ka rezultuar se shumica e shqiptarëve vijojnë të shohin ende transmetimet analoge.
“Nga sondazhi ka rezultuar se shumë qytetarë shohin ende transmetimet analoge. Në mënyrë unanime, AMA ka vendosur shtyrjen e afatit të transmetimeve analoge edhe për katër javë”, është shprehur kreu i AMA.
AMA kishte vendosur që më datë 1 shtator 2019 të fikte sinjalin analog për Tiranën, Durrësin dhe Vlorën, por ky vendim është shtyrë për më 1 tetor.

Operacioni antikanabis, 19 të arrestuar në Krujë
Policia arrestoi 19 persona për kultivim të bimëve narkotike, ndërsa 7 të tjerë i ka shpallur në kërkim, në vaazhdën e operacionit antikanabis “Malësia e Krujës”.
Ky megaoperacion vjen pas një hetimi 3-mujor dhe ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kultivuar bimë narkotike në zonën e pyllëzuar të fshatrave Shkretë, Mafsheq, Nojë, Qafë Shtamë, Picrragë, Brret, Borizanë të Bashkisë Krujë. Në periudha të ndryshme, policia ka gjetur dhe asgjësuar kubikë të kultivuar me fara kanabis dhe fidanë të dyshuara narkotike Canabis Sativa. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 33 aparate celulare dhe 1 armë zjarri pistoletë zhurmuese.

Bllokohen 141.6 ton ushqime të pasigurta, mbyllet biznesi në Fushë-Krujë
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar 30 ton produkte ushqimore për njerëz dhe 111.6 ton ushqim për kafshët, ndërsa ka pezulluar aktivitetin e një subjekti në Fushë-Krujë.
Konkretisht, bëhet fjalë për subjektin “Afrim Bici” me aktivitet “Magazinë mielli dhe ushqimi për blegtorinë”, Fushë-Krujë, i cili operonte prej 18 vjetësh.
Nga kontrolli, AKU sqaron se janë gjetur në produkte minj të ngordhur, merimanga dhe parazitë të tjerë të krijuar nga lagështia.
Deri në daljen e rezultatit të analizave produktet e pasigurta ushqimore për njerëz dhe kafshë do të mbahen bllokuara.

Konte merr mandatin, kryeministër deri në 2023-in
Xhuzepe Konte ka marrë zyrtarisht mandatin nga presidenti italian, Serxho Matarela të enjten për formimin e qeverisë së re, e cila pritet ta udhëheqë vendin fqinj deri në 2023-in.
Italia ndodhet në prag të daljes nga kriza politike që u shkaktua dy javë më parë, kur Matteo Salvini, kreu i Lega Nord, tha se nuk donte të vazhdonte koalicionin me Pesë Yjet.
Në përfundim të raundit të dytë të bisedimeve të mërkurën, Lëvizja Pesë Yjet njoftoi se do të formonte një koalicion të ri qeverisës me Partinë Demokratike.
Një partneritet mes këtyre dy partive është veçanërisht i befasishëm duke pasur parasysh që të dyja partitë kanë vazhduar të hedhin akuza të ashpra ndaj njëra-tjetrën deri pak javë më parë.
Konte, i cili nuk i përket asnjë partie, dha dorëheqjen javën e kaluar pas rrëzimit të një koalicioni 14-mujor mes Pesë Yjeve dhe Legës.

Zërat e fundit në merkato, Hysaj kërkohet në Spanjë
Mediat italiane shkruajnë se mbrojtësi shqiptar, Elseid Hysaj po ndiqet nga afër nga Valencia. Spanjollët e shikojnë Hysajn si zëvendësuesin ideal të Kristiano Piçini, i cili pësoi një dëmtim në javën e fundit. Spanjollët duke parë që mbrojtësi shkodran vazhdon të jetë në merkato nga Napoli, kanë nisur ta mendojnë shqiptarin si idealin për të zënë vendin e lënë bosh nga Piçini. Futbollisti kuqezi këtë verë ka qenë gjithmonë në qendër të zërave të merkatos që e lidhin për një largim nga Napoli. Totenhem, Atletiko dhe në fund Roma kanë qenë ekipe që kanë parashtruar interes për Hysajn, por në fund kanë zgjedhur të tjerë lojtarë për të afruar në ekip.

 

Më Shumë