Podcast

Audio-Lajme shkurt 28 gusht 2019

Raporti, Kuvendi pati 22 deputetë “memecë”
Parlamenti shqiptar me largimin e opozitës është dobësuar më tepër si institucion, duke e zbehur dhe dobësuar rolin kontrollues ndaj qeverisë. Ky është konstatimi i nxjerrë në raportin monitorues të Institutit të Studimeve Politike i publikuar së fundmi.
Parlamenti në kohën e krizës është shoqëruar me dorëzim mandatesh të opozitës kryesore dhe të zëvendësimit të tyre nga lista.
Sipas raportit nga 122 deputetë të Kuvendit rezultojnë se 22 prej tyre nuk kanë folur asnjëherë në seancë përgjatë periudhës nga janari deri në korrik të këtij viti.

Meta me negociatoren gjermane: Zgjidhja e krizës? Shembull nga Kosova
Presidenti Ilir Meta priti në një takim nënkryetaren e grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestagun gjerman, Katja Leikert nuk kishte ardhur për të negociuar krizën politike.Si propozim për zgjidhjen e krizës, Meta i përsëriti edhe zyrtares gjermane bindjen e tij se zgjidhja vjen vetëm nga zgjedhjet. Për ta përforcuar këtë bindje, Presidenti thotë se mjafton që të shihet jo më larg se në Kosovë. Të martën Katja Leinkert u takua me Lulzim Bashën, Edi Ramën dhe ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj. Në përfundim të takimit, Basha foli para mediave, ku mirëpriti ndërmjetësimin e Gjermanisë për zgjidhjen e krizës, ndërsa kryeministri Edi Rama njoftoi takimin vetëm me një foto të shpërndarë në internet nga ministrja e Shtetit, Elisa Spiropali, pa asnjë deklaratë, apo njoftim.

Vrasja e ish-policit të Ervis Martinajt, pistat ku po hetohet
Pistat ku po heton policia për ekzekutimin mafioz të 26-vjeçarit Santiago Malko, ish-efektiv i patrullës së përgjithshme, në ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e së martës, janë dy dhe që të dyja lidhen me dy ngjarje kriminale të ndodhura në 2016 dhe 2018. Në 2016, viktima u përfshi në një sherr me dy vëllezër për një borxh. Të dyja palët kishin në të njëjtën zonë dy lokale bastesh sportive. Sipas njoftimit të shpërndarë nga policia në atë kohë, Santiago Malko ka hyrë në lokalin e dy vëllezërve dhe është konfliktuar me ta. Në sherr e sipër ai është përpjekur që të nxjerrë pistoletën, por është bllokuar nga dy vëllezërit. Ngjarja e dytë është ajo e tetorit të 2018, e ndodhur në ish-Bllok, ku u vra Fabian Gaxha dhe mbetën të plagosur Ervis Martinaj dhe Elio Hato. Në pamjet e shpërndara në media në atë periudhë, Santiago Malko mendohet se është personi me kapele që hyn dhe del nga vendi i ngjarjes. Ish-efektivi i Policisë së Shtetit shoqëronte Ervis Martinajn dhe burime nga policia thonë për Gazetën “Si” se ai ka shërbyer si truprojë e Martinajt në më shumë se një rast. Nuk përjashtohen as pistat e tjera, njëra prej të cilave është ajo e larjes së hesapeve, nisur nga aktiviteti i rënduar ilegal i 26-vjeçarit, që dyshohet se organizonte dhe baste sportive në mënyrë të paligjshme.

PD publikon të dhënat: Agim Kajmaku ka përfituar miliona euro tendera nga Rama
Partia Demokratike vijon me sulmet ndaj kryebashkiakut të Vorës të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, Agim Kajmaku. Nëpërmjet ish-deputetes Albana Vokshi PD ka publikuar të dhëna të tjera lidhur me tenderat që ka përfituar Kajmaku në emrin e kompanisë së vet.
Sipas saj, Edi Rama hesht dhe mbron kriminelin Jorgo Toto të Bashkisë së Vorës, sepse bashkë ndajnë miliona euro, që i vjedhin nga taksat e shqiptarëve.
Ish-deputetja shprehet më tej se Agim Kajmaku, me kompaninë e fidanëve “Kajmaku shpk” ka marrë nga pushteti i Edi Ramës rreth 2.6 milionë euro para publike, pothuajse pa garë.
Sipas saj, për të gjelbëruar rrugën për te sarajet e Ramës, Jorgo Toto ka marrë 400 mijë euro dhe media është shprehur se u shpërblye për ullinjtë dhe pemët që mbolli privatisht te sarajet e Surrelit.

Falsifikuan biletat dhe abonetë e transportit urban, 8 të arrestuar në Tiranë
Në sajë të operacionit policor “Bileta e falsifikuar”, policia ka vënë në pranga 8 persona për falsifikim të biletave të transportit urban në Tiranë dhe ka sekuestruar në cilësinë e provave materiale 150 000 bileta urbani të falsifikuara. Të arrestuarit janë administratorë, ortak apo punonjës të shoqërisë së transportit urban.
Siç njofton policia, arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi dyshohet se duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin kanë falsifikuar bileta të transportit urban në kohë dhe periudha të ndryshme, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore dhe përfitim financiar të disa shoqërive operatore në transportin urban në qarkun Tiranë.

Dino Zof, me lëvdata për Strakoshën: Mund të përmirësohet më shumë
Forma e mirë e portierit shqiptar Tomas Strakosha nuk ka kaluar jashtë vëmendjes së medieve italiane, që nuk i kanë kursyer lëvdatat për gardianin kuqezi. Fjalë shumë të mira për Strakoshën ka thënë edhe një legjendë e portës, siç është Dino Zof. Pas ndeshjes së parë të Lacios në kampionat, ku bardhekaltrit fituan bindshëm, 3-0 ndaj Sampdorias, Zof ka thënë fjalë të mira për Lacion, duke e vënë theksin e veçantë te Strakosha. Ish-portieri legjendar i kombëtares italiane dhe i Juventusit, fitues i Kupës së Botës në vitin 1982 tha se Strakosha ka një potencial shumë të madh për tu rritur në vazhdim. “Thomas është një djalë që gjithmonë sjellë shumë mirë mes katërkëndëshit. Pritjet që bëri në ndeshjen me Sampin unë mendoj se për të janë një gjë e zakonshme”, ka thënë Zof ndër të tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë