Podcast

Audio-Lajme shkurt 23 korrik 2019

OSBE, kritika Ramës për ligjin e medias
Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Desir i ka dërguar një letër kryeministrit Edi Rama për të rishikuar ligjin për lirinë e medias.
Desir shprehet se duhet rishikim i ligjeve mbi mediat online në Shqipëri. Sipas tij, duhen bërë disa përmirësime të tjera në projektligj.
“Vërej që ka pasur përmirësime të rëndësishme në krahasim me draftet e përgatitura më herët gjatë vitit. Versioni i fundit i projektligjit për mediat audiovizuale përmban dispozita të reja që përcaktojnë më mirë dhe më saktësisht objektin dhe fushëveprimin e ligjit dhe përmend nevojën që AMA të respektojë standardet ndërkombëtare dhe rajonale kur të miratojë vendimet e saj”, thuhet në deklaratën e tij.

Basha: Shqiptarët më të varfër! Objektivi ynë, largimi i Ramës
Kryedemokrati Lulzim Basha, në një takim me strukturat e PD në Tropojë deklaroi se qeveria ka diskriminuar bashkitë e veriut për të ndëshkuar politikisht qytetarët që nuk mbështesin qeverinë e Edi Ramës.
Kreu i opozitës, i cili ndodhet sot në një tur takimesh në veri dhe verilindje të vendit të vendit tha se fondet kanë shkuar për bashkitë kliente të Edi Ramës.
Kreu i opozitës ndau me demokratët edhe shqetësimin për gjendjen e rëndë ekonomike në vend, për shkak të përqendrimit të ekonomisë – siç tha ai - në pak duar klientësh dhe oligarkësh të Edi Ramës.
Ndërsa, në një proncimin nga Kukësi, Basha tha se u shpreh mirënjohjen e thellë të gjithë kuksianeve për refuzimin masiv që i bënë kryeministrit Rama më 30 qershor. Basha u ka premtuar kuksianëve se që javën e parë në pushtet do të hiqet taksa e rrugës.

Kalon vettingun prokurori i Krimeve të Rënda, Olsian Çela
Prokurori i Krimeve të Rënda, Olsian Çela, ka kaluar me sukses procesin e vettingut.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka dhënë vendimin këtë të martë duke e konfirmuar në detyrë Çelën. Sipas KPK-së, prokurori ka rezultuar i pastër në të tria kriteret e vlerësimit.
Në seancën e sotme, ku edhe u konfirmua, ka qenë i pranishëm edhe vetë prokurori Çela dhe vëzhguesit ndërkombëtarë.
Prokurori Çela është kandidat për pozicionin e Prokurorit të Përgjithshëm, pra rivali i kryeprokurores aktuale Arta Marku.

I nxehti Saharian “viziton” përsëri Shqipërinë
I nxehti nga Afrika do të avancojë më tej drejt vendit tonë. Temperaturat do të jenë më të larta në zonën qendrore dhe zonat bregdetare. Parashikohet të regjistrohen vlera të tilla:
Në zonat malore 17/33 gradë celsius
Në zonat e ulëta 20/39 gradë celsius
Në zonat bregdetare 22/36 gradë celsius

Boris Johnson zgjidhet kryeministër i Britanisë
Boris Johnson është zgjedhur këtë të martë kreu i Partisë Konservatore Britanike, duke zëvendësuar Theresa May si kryeministër.
Johnson mundi sekretarin e jashtëm, Jeremy Hunt, brenda partisë, duke fituar 92,153 vota, përkundrejt 46,656 që fitoi Hunt.
Johnson do të marrë përsipër frenat nga kryeministrja Theresa May që po largohet. Ai është zotuar se do të kërkojë një marrëveshje të re me BE ose të largohet pa marrëveshje në fund të tetorit.

Jep dorëheqjen presidenti i Luftëtarit: E kam të pamundur të vazhdoj
Futbollit shqiptar po zhytet gjithmonë e më tepër në krizë. Goditja e fundit është dorëheqja e presidentit të Luftëtarit, Grigor Tavo. Dhe bëhet fjalë për një ekip të Superiores, që jo vetëm rrezikon të mos licencohet për sezonin e ri për shkak të borxheve të prapambetura, por duket në prag falimentimi. Tavo ka pasur shumicën e aksioneve në shoqërinë aksionere që drejtonte ekipin gjirokastrit, por, siç ai bën me dije në letrën e lamtumirës, përveç Bashkisë së Gjirokastrës, asnjë aksioner tjetër nuk i ka përmbushur detyrimet. Ish-presidenti i Luftëtarit tashmë e ka dhënë dorëheqjen për t’u hapur rrugën investitorëve të tjerë, por në situatën aktuale duket shumë e vështirë që dikush të afrohet tek ekipi gjirokastrit.

Ligji “Beckham” dhe në Itali, strategji për të joshur yjet e futbollit
Prej vitesh drejtuesit e klubeve të futbollit në Itali kanë sjellë në vëmendje ndihmën që shteti spanjoll i jep futbollit në këtë vend. Dhe ndër argumentet më të përfolur është i ashtuquajturi ligji “Beckham”, që ka të bëjë me uljen e taksave për futbollistët që vijnë nga jashtë. Tani ligji “Beckham” do të aplikohet edhe në Itali. Është e njëjta strategji si në Spanjë dhe i njëjti qëllim: joshja e yjeve të futbollit botëror për të luajtur në Serinë A. “Norma e re është bombë”, - janë shprehur avokatët Tomasini dhe Longo, specialistë të kësaj fushe, duke iu referuar pikërisht ligjit për taksat e reja për futbollistët e huaj që vijnë në Itali, apo edhe për italianët që rikthehen. Tani e tutje do të ketë lehtësira fiskale për futbollistët profesionistë, trajnerët, drejtorët sportivë dhe përgatitësit atletikë, të cilët kanë punuar jashtë Italisë për dy vitet e fundit dhe kanë vendosur të jenë rezidentë në këtë vend. Ata mund të jenë të huaj, por edhe italianë dhe do të taksohen me 50% të normës së përgjithshme. Në fakt, ligji i ri është edhe më i favorshëm për punëtorët e tjerë, të cilët do të taksohen në masën 30%, por Parlamenti në Itali nuk mund të linte jashtë vëmendje edhe botën aq të adhuruar të futbollit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë