Podcast

Audio-Lajme shkurt 23 dhjetor 2019

Nisma “Thurje” teston SPAK-un, padi e parë kundër koncesionit të sterilizimit
Kallëzimi i parë i dorëzuar në Strukturën e Posaçme Antikorrupsion është bërë këtë të hënë nga Nisma “Thurje”. Kallëzimi shënjestron koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.Nisma “Thurje” kërkon nisjen e hetimit penal ndaj zyrtarëve të përfshirë në dhënien e këtij koncesioni me akuzat e shpërdorimit të detyrës, shkelje të barazisë në tendera dhe korrupsion pasiv duke përdorur pushtetin publik për përfitime private. Nisma “Thurje” rendit katër arsye, ku bazon padinë, si dyshimet për nevojën e marrjes së këtij shërbimi nga privati dyti, dyshime hidhen edhe mbi procedurat e dhënies së këtij shërbimi me koncesion. Nisma hedh dyshime për përmbajtjen e kontratës koncesionare, nëse ajo i shkakton dëme buxhetit dhe në fund shprehet shqetësimi për çmimin e shërbimit të dakordësuar në kontratë. Padia mbështetet tek raportimet mediatike, por edhe tek raportet zyrtare, si ato të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Paradoksi i ligjit të SPAK-ut
Kur denoncoi dokumentin e korrikut të 1990 që mban firmën e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi nuk tha se Arben Kraja ndodhej si prokuror i posaçëm dhe si drejtues i Prokurorisë së Posaçme në shkelje të ligjit. Në fakt, ligji për SPAK, i votuar edhe me votat e Partisë Demokratike në tetor të 2016, në pjesën për Prokurorinë e Posaçme nuk pengon ish-hetues të regjimit komunist që të jenë pjesë e kësaj prokurorie, apo ta drejtojnë atë dhe ligjërisht Arben Kraja është në rregull.Por, paradoksi i ligjit në fjalë qëndron në kapitullin për Byronë Kombëtare të Hetimit. Neni 34 përcakton kriteret që duhet të plotësojë kandidati që do të zgjidhet drejtues i BKH-së, ku gërma G) e tij skualifikon kandidatët që kanë qenë hetues në procese politike para 2 korrikut 1991. Kjo do të thotë se nëse Arben Kraja do të kandidonte për të drejtuar Byronë Kombëtare të Hetimit, që si pjesë e SPAK-ut do të jetë krejtësisht në varësi të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme, ai do të skualifikohej nga ligji.

Basha: Qytetarët flenë jashtë, Rama nuk prek milionat e oligarkëve
Lulzim Basha akuzoi Edi Ramën se këmbëngulja e tij për të mos prekur miliona euro, që sipas kreut të Partisë Demokratike shkojnë në xhepat e oligarkëve, po e çojnë vendin në një krizë të thellë ekonomike dhe sociale. Basha tha se banorët në Hamallaj, Manzë dhe Radë vazhdojnë të flenë jashtë, në çadra ose në makina dhe se pavarësisht propagandës, shteti është inekzistent, ndërsa familjarëve tashmë u duhet të përballen edhe me përkeqësim të gjendjes shëndetësore kryesisht të fëmijëve dhe të moshuarve për shkak të të ftohtit, shirave dhe mungesës së ngrohjes. Kreu i PD-së thotë se në rrugë të madhe në këto zona janë edhe disa banorë që kanë mbetur jashtë që prej tërmetit të 21 shtatorit.

Vigjilja e Krishtlindjes, Arqipeshkvi Frendo: Ruaje Zot Shqipërinë!
Në vigjilje të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, Arqipeshkvi i Metropolitit Tiranë-Durrësit dhe Presidenti i Konferencën Ipeshkvore të Shqipërisë, Imzot George Frendo, u është drejtuar me një mesazh besimtarëve, por edhe gjithë shqiptarëve.
Në mesazhin e tij në këtë fundvit, kryefjalë ishte tërmeti dhe humbjet që pësuan mijëra shqiptarë.
Imzot George Frendo vlerësoi si një nga tiparet më të bukura të shqiptarëve solidaritetin. Duke sjellë shembullin e Jezusit fëmijë, ai kujtoi fjalët e tij: ‘pata uri e më dhatë për të ngrënë, isha i zhveshur dhe më veshët’.
“Ndoshta shumë prej jush ëndërroni të largoheni nga Shqipëria, por ëndërroni më shumë të krijoni një Shqipëri më të mirë”, ishin fjalët e Arqipeshkvit George Frendo që i kërkoi Zotit të ruajë Shqipërinë.

Moti i keq, lumi Vjosa del nga shtrati. Probleme në zonat e thella
Situata nga reshjet e shiut ka sjellë përmbytje në qytete dhe fshatra të Shqipërisë. Shirat me intensitet të lartë të dy ditëve të fundit kanë bërë që prurjet e lumit Vjosa të jenë të mëdha.
Për pasojë lumi Vjosa ka dalë nga shtrati, pranë urës së Milofit, aty ku ndodhet edhe tregu i gjësë së gjallë dhe fruta-perimeve, i cili është përmbytur si pasojë e vërshimit të ujit.
Nga mbrëmja e djeshme e deri tani, niveli është rritur me 2.5 m, por meqë reshjet janë në rënie, nuk ka rrezik për banesat.
Po ashtu, në Vlorë, fshati Delisuf në njësinë administrative të Novoselës është përmbytur nga deti. Mësohet se uji ka përmbytur edhe tokat e fshatit.
Edhe në Bulqizë moti i keq ka shkaktuar probleme. Reshjet e dendura të shoqëruara me erë të fortë gjatë natës kanë bërë që të ndërpritet energjia elektrike në disa fshatra. Në njësinë Zerqan, Fushë-Bulqizë dhe Gjoricë, janë dëmtuar linjat e tensionit. Ndërkohë po punohet për riparimin e linjës ku pritet të rikthehet energjia.
Situata e rënduar e motit, me reshje të dendura shiu, erë të fortë dhe shtrëngatë ka krijuar vështirësi në kalim edhe në disa akse rrugore në vend.
Sipas informacioneve të Autoritetit Rrugor Shqiptar ka pasur rënie gurësh dhe dherash në rrugë, pemë të rrëzuara si dhe mbetje të tjera, të cilat kanë krijuar vështirësi në rrugë.

Me armë pa leje dhe i akuzuar për mashtrim, arrest shtëpie për presidentin e Klubit të Cërrikut
Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me shtëpie” për presidentin e Klubit të Cërrikut, Gentian Gjoka. Edhe Gjykata e Vlorës ka dhënë të njëjtën masë, për akuzën e mashtrimit.
Gentian Gjoka u arrestua nga Policia e Tiranës, pasi u kap me armë pa leje.
Sipas Policisë së Tiranës, Gjoka ishte shpallur në kërkim nga Policia e Vlorës për akuzën e mashtrimit. Ai banon në Tiranë dhe Policia, pas informacioneve të marra se Gjoka qarkullonte me armë zjarri, ishte vënë në ndjekje. Arrestimi i Gjokës është bërë në rrugën “Medar Shtylla” në Tiranë. Në banesën e presidentit të Turbinës policia ka gjetur një armë zjarri të tipit pistoletë dhe një krehër me fishekë

Ferrari “blindon” Leklerk, rinovim deri në 2024-ën me trefishim page
Një kontratë e re prej 5 vjetësh si dhuratë për Krishtlindje. Ferrari “blindon” zyrtarisht francezin Sharl Leklerk deri në vitin 2024. Paga e pilotit do të trefishohet, ai do të fitojë në vazhdim 9 milionë euro në sezon. Kontrata e mëparshme e 22-vjeçarit skadonte në vitin 2021, kështu që zgjatja e saj është edhe për tre vjet të tjera. Kampionati i parë me Ferrarin ishte pozitiv për Leklerk, i cili e mbylli në vend të 4-t, me 2 fitore dhe 7 “pole position”. Një paraqitje më e mirë se e shokut të skuadrës, Sebastian Fetel, i cili merr 35 milionë në vit, ndaj dhe ishte e domosdoshme rritja e pagës për francezin. Skuderia italiane siguron kështu të ardhmen me talentin Leklerk, pasi duke ditur që kontrata e tij skadonte në 2021-shin, kishte filluar interesimi nga disa skuderi të tjera, mes tyre edhe nga Mercedesi. Pas zyrtarizimit të kontratës së re, Leklerk është shprehur: “Jam jashtëzakonisht i lumtur për rinovimin me Ferrarin. Sezoni që sapo përfundoi si pilot i skuadrës më prestigjioze të Formulës 1, ishte i shkëlqyer për mua. Mezi pres që raporti ynë të bëhet edhe më i ngushtë. Kam shumë emocione dhe e pres sezonin e ri me shumë entuziazëm”.

Më Shumë