Podcast

Audio-Lajme shkurt 22 tetor 2019

BE diskuton sërish hapjen e negociatave në nëntor
Liderët e Bashkimit Europian do të përballen sërish me vendimin për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në nëntor. Kryeministri i Italisë Giuseppe Conte ka propozuar hapjen për të katërtën herë të këtij diskutimi në mbledhjen e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, muajin e ardhshëm.
Gazeta europiane “Politico” raporton gjithashtu se Presidenti i ri i Këshillit Europian Charles Michel, mandati i të cilit do të fillojë më 1 dhjetor, ka rënë dakord për t’i vendosur sërish negociatat në agjendën e mbledhjes së Këshillit.
Pas mbledhjes së javës së kaluar, Këshilli Evropian njoftoi se do t’i kthehej çështjes së hapjes së negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë gjatë Samitit të Ballkanit Perëndimor në Zagreb në maj 2020.

SHBA: E njohim presionin që përballet KLP, do të mbrojmë prokurorët e SPAK
Një ditë pas dështimit të mbledhjes së KLP-së, ku pati debate mes anëtarëve dhe kreut të këtij të institucioni në lidhje me ngritjen e SPAK, ka mbërritur në Tiranë zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA, Jorgan K. Andreës. Takimin e parë ai e pati pikërisht me kreun e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi.
“Jemi të ndërgjegjshëm për presionin me të cilin përballet KLP dhe jemi të vendosur t’ju ofrojmë mbështetjen tonë për mbrojtjen e prokurorëve të SPAK”, është shprehur zyrtari amerikan, ndërsa konfirmoi se SHBA do të vazhdojë të mbështesë zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri.

Ambasada e SHBA: Nga Llalla te Dako e Doshi, 14 shqiptarë “non grata”
E ndërkaq, Ambasada e Amerikane në Tiranë ka bërë një paralajmërim të fortë për të gjithë politikanët dhe zyrtarët, që janë të përfshirë në korrupsion.
Ambasada thekson se është e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e sundimit të ligjit në mbarë botën, ndërsa njofton se plot 100 zyrtarë, 14 prej të cilëve shqiptarë, janë shpallur “non grata” dhe nuk lejohen të shkelin më kurrë në Amerikë.
Nëpërmjet një videoje në “Facebook”, ambasada e SHBA jep disa nga rastet e zyrtarëve shqiptarë, të cilat janë bërë publikë edhe më parë si persona të padëshiruar nga Amerika, siç janë ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, ish-kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, dhe deputeti Tomi Doshi.

Dy koncesionet e reja, PD: Rama i dha trafikantit të drogës dhe oligarkëve
Partia Demokratike reagoi sot ndaj vendimit të qeverisë për dhënien e dy koncesioneve të reja për Kepin e Rodonit dhe Portin e Sarandës. Sekretari për Çështjet Ekonomike, Dorian Teliti tha se kapja e shtetit nga krimi dhe oligarkët është arsyeja kryesore që Shqipëria është jashtë BE-së. PD zotohet për zhbërjen e këtyre kontratave me ardhjen e tyre në pushtet.

Opozita re ankohet për zyrat dhe etiketimet si tradhtar
Deputetët e opozitës i kanë shprehur rezerva kryeparlamentarit Gramoz Ruçi për mungesën e zyrave të deputetëve në qytetet e Shqipërisë. Shqetësimi është shprehur në mbledhjen e konferencës së kryetarëve, ku deputeti Adriatik Alimadhi ka deklaruar se po i zhvillojnë takimet nëpër ambiente jo të përshtatshme dhe se po sulmohen nga simpatizantët e PD-së, të cilët i cilësojnë tradhtarë pasi nuk refuzuan marrjen e mandatit të deputetit. Në shkallë vendi ka 24 zyra deputetësh, ku gjysma janë për mazhorancën dhe pjesa tjetër për opozitën parlamentare.

Apeli i Vlorës lë në burg Mihal Kokëdhimën
Gjykata e Apelit të Vlorës ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Mihal Kokëdhimën. Ai u vu në qendër të vëmendjes në gusht të këtij viti, pasi kanosi dhe terrorizoi disa turistë spanjollë, të cilët kishin shkuar të drekonin tek lokali i tij në Porto Palermo. Në seancën e zhvilluar në Gjykatën e Apelit Vlorë me dyer të mbyllura, avokati i Kokëdhimës ka parashtruar disa raporte mjekësore të spitalit të Janinës, në mënyrë që të ndryshohej masa e sigurisë, pasi mund t’i rrezikohet jeta e të pandehurit gjatë qëndrimit në burg. Këto kërkesa nuk janë marrë parasysh nga gjykata, duke e lënë sërish në burg.

U arrestua si pjesë e grupit “Bajri”, shpallet i pafajshëm ish-trajneri Armir Grima
Gjykata e Shkodrës ka shpallur të pafajshëm ish-trajnerin e kombëtares së femrave Armir Grima, ish-boksierin e Vllaznisë, Nelson Hysa dhe ish-portierin e Vllaznisë B, Fabjol Rexhepi.
Këta shtetas dyshoheshin si të përfshirë në grupin kriminal “Bajri”, por sot gjykata vendosi në favor të tyre. Çështja e tyre ishte transferuar nga Krimet e Rënda te Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër për moskompetencë.
Këta tre persona u arrestuan në kuadër të operacionit “Volvo 4”, si anëtarë të grupit “Bajri”, të dyshuar se ishte përfshirë në trukimin e ndeshjes së Kategorisë së Parë mes Vllaznisë B dhe skuadrës së Tërbunit të Pukës.

Sopranoja Ermonela Jaho sot në Tiranë për kauzën “Fjongoja Rozë”
Ermonela Jaho, sopranoja me famë botërore, ndodhet në Tiranë për një koncert në kuadër të kauzës “Fjongoja Rozë”. Ka qenë vetë sopranoja që ka bërë me dije se do të jetë në Shqipëri për tetorin rozë. Ajo është shprehur se beson që në një të ardhme të afërt do të kemi një botë pa kancer gjiri. “Në tetor zërit tuaj të fuqishëm dhe të bukur do t’i bashkoj dhe zërit tim, ju premtoj”, thotë Jaho në video mesazh.

Kosovare Asllani kandidate për “Topin e Artë”, absurditet me Modriç
Janë shpallur tashmë listat e kandidatëve për çmimin më prestigjioz në nivel individual, “Topi i Artë”, që jepet nga francezja “France Football”. Në listën me 20 emra të futbollisteve kandidate për këtë çmim bie në sy Kosovare Asllani. Ajo është me origjinë kosovare dhe luan për kombëtaren e Suedisë, ndërsa në verë sulmuesja 30-vjeçare ka nënshkruar për Real Madridin, klubin e madh spanjoll. Gara është shumë e vështirë për të, sepse të favorizuara janë futbollistet e Amerikës, që në verë fituan Botërorin në Francë. Disa prej futbollistëve që spikatën në këtë kompeticion janë kandidatet kryesore, si Tobin Heath, Rose Lavelle, Alex Morgan dhe Megan Rapinoe. Befasia për çmimin prestigjioz qëndron te lista e futbollistëve, ku mungon kroati Luka Modriç. Për herë të parë në historinë e “Topit të Artë” ndodh që fituesi i çmimit mungon në listën prej 30 lojtarësh në edicionin pasardhës.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë