Podcast

Audio-Lajme shkurt 22 nëntor 2019

Ekskluzive/DASH i përgjigjet Metës: Në krah të Shqipërisë, vazhdoni reformat!
Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar ekskluzivisht për Gazetën Si mbi krizën në Gjykatën Kushtetuese, duke thënë se do të vazhdojë të qëndrojë në krah të vendit tonë për aq kohë sa ndërmerren reforma thelbësore për sundimin e ligjit.
Në një e-mail zyrtar, DASH nënkupton se përplasja mes presidentit Ilir Meta dhe Ambasadës Amerikane në Tiranë nuk cenon marrëdhëniet mes vendeve.
Po ashtu, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë që të respektohet deri në fund zbatimi i ligjit.
“Është parësore që të respektohet zbatimi i ligjit. Pozicioni i Shteteve të Bashkuara mbetet i njëjtë: përparimi i vazhdueshëm në reforma është thelbësor për stabilitetin dhe prosperitetin e Shqipërisë”, thuhet në përgjigjen zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit për Gazetën Si.
I pyetur nga Gazeta mbi telefonatën e presidentit Ilir Meta me Palmer, por edhe akuzat e ashpra të kreut të shtetit ndaj Ambasadës Amerikane pas kësaj telefonate, DASH thotë se po monitoron nga afër situatën.
“Jemi në dijeni të këtyre reportere”, thotë DASH duke theksuar se përparimi në reforma është thelbësor për anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Besnik Muçi nuk është anëtar, Meta hap vakancën për në Kushtetuese
Presidenti Ilir Meta ka shpallur vakancën për plotësimin e vendit të lënë bosh nga ana e Besnik Muçit në Gjykatën Kushtetuese. Vendimi i Metës është marrë pasi më herë të njëjtën gjë njoftoi edhe Gjykata Kushtetuese, që lajmëroi Presidentin për vakancën e krijuar. Ndërkohë, Besnik Muçi kishte kërkuar më herët që të vendoste Gjykata Kushtetuese në lidhje me mandatin e tij, ndërsa pas një takimi me Presidentin Ilir Meta tha se do të respektonte çdo vendim të Kushtetueses dhe të Presidentit të Republikës, por nënkuptoi se si jurist do ta dërgojë shkarkimin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit në Gjykatën e Strasburgut. Kolegji i Posaçëm i Apelimit e shkarkoi ditën e enjte me argumentin se nuk justifikon pasurinë. Muçi u betua si anëtar i Gjykatës Kushtetuese më 18 tetor.
Komisioni hetimor njihet me shkresën e SHISH
Komisioni i posaçëm hetimor u mblodh sot për të diskutuar mbi mënyrën e administrimit të dokumenteve të ardhura për procedurën e nisur për shkarkimin e presidentit Meta. Ndër dokument e sjellë veç raporteve të Venecias, është edhe ai i paraqitur nga shërbimet sekrete, mes të cilave presidenti Meta pretendon se është bazuar për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Sipas këtij informacioni persona të caktuar ishin përgatitur për djegien e Parlamentit në 8 qershor në ditën e protestës së opozitës.
Nënkryetari i komisionit, deputeti i opozitës, Alban Zeneli kërkoi mbylljen e shpejtë të punës duke aluduar për një pazar politikes mes Ramës dhe Metës.
Lista e kandidatëve për kryeprokuror i paraqitet Parlamentit
Këshilli i Lartë i Prokurorisë i dërgon Parlamentit listën e kandidatëve për postin e prokurorit të Përgjithshëm. Pas përfundimit të afatit të ankimimit KLP i dërgoi shkresën me renditjen e emrave Olsjan Çela, Arta Marku dhe Fatjona Memçaj. Parlamenti brenda 30 ditëve duhet të realizojë procesin e zgjedhjes së kryeprokurorit të ri. Sipas ligjit duhen 84 vota për zgjedhjen e kryeprokurorit, nëse nuk arrihet këto vota, atëherë kandidati që është renditur i pari në listë shpallet automatikisht si drejtues i Prokurorisë së Përgjithshme.
Meta nxjerr Kushtetutën: Koha për Referendum të ri!
Presidenti Ilir Meta shprehet se tani është koha për një referendum të ri.
Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, Meta shkruan se sot është dita e Referendumit të tradhtuar, duke kujtuar miratimin e Kushtetutës 21 vjet më parë.
Këtë presidenti e përmendi edhe dje. Pas takimit me ish-presidentin Bujar Nishani, Meta doli rreth orës 13:00 nga hyrja qendrore e Presidencës dhe para se t’u drejtohej mikrofonave të gazetarëve, përshëndeti ushtarakisht rojën e Gardës.
Kreu i shtetit tha se tashmë “Ka vetëm një zgjidhje për Edi Ramën dhe për disa palaço ndërkombëtarë, referendumi. Ata të dalin me Edi Ramën dhe unë do të dal me të gjithë shqiptarët, që duhet të marrin në dorë sovranitetin e vendit, sepse nesër është edhe dita kur populli shqiptar votoi Kushtetutën”, u shpreh dje presidenti Meta.
Një gjyqtar që lutej të shkarkohej nga Vettingu
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi në mesditë gjyqtarin Arben Vrioni, i cili ishte nën mbrojtje për shkak të kërcënimeve. Ai është një nga gjyqtarët, për të cilët anëtarët e grupit të Shullazit kërkojnë dorëheqjen e tij, ndërsa Gazeta “Si” në një investigim që kreu mbi historikun e gjykimit të Shullazit, zbuloi se Vrioni ishte goditur me automjet nga vëllai i Gilmando Danit. Pikërisht, për këtë shkak gjyqtarit të Apelit Durrës, Vrionit, i është vendosur mbrojtje. Por, anëtarët e grupit gjatë gjykimit kanë kërkuar largim edhe të këtij gjyqtari, i cili sipas shortit u caktua verën e 2018.
Konfirmohet në detyrë prokurori i Apelit në Vlorë
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë prokurorin Kleanth Zeka, prokuror i Apelit në Vlorë.
Vendimi u mor sot nga trupa gjykuese e përbërë nga Etleda Çiftja, Roland Ilia dhe Firdes Shuli.
Prokurori i Apelit të Vlorës ka rezultuar i pastër në të tria kriteret e vlerësimit.
Kleanth Zeka e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1997 si prokuror në Prokurorinë e Rrethit Vlorë. Në qershor 2014 ai është promovuar në detyrë si prokuror i Apelit të Vlorës, detyrë të cilën e ushtron edhe aktualisht.
Fëmijët e kohëve moderne po “ndryshken”
Një studim i fundit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, ka treguar së fëmijët nga 4 deri në 11 vjeç, nuk bëjë ushtrime fizike mjaftueshëm. Sipas ekspertëve kjo dëmton shëndetin fizik dhe mendor të fëmijëve dhe gjithashtu ndikon në aktivitetin e tyre kur të rriten. Sipas raporteve të organizatës pasiviteti është një problem universal dhe nga 146 vende ku u krye studimi, rezultoi që djemtë janë më aktivë se vajzat. Ekspertët e OBSH e konsiderojnë këtë një fenomen fatkeq dhe duhet që të edukojmë brezat e ardhshëm me idenë se pasiviteti do t’i kushtojë shumë shëndetit.
Kosova pa fat në short, finalen e Europianit e luan në transfertë
Kosova ka ende shanse për të shkuar në Euro 2020, edhe pse të pakta. Sipas formatit të ri të këtij kompeticioni, 4 skuadrat e fundit të fazës finale përcaktohen nga ndeshjet e “Play-off”-it, ku luan edhe Kosova, që ka dy pengesa të forta për të kaluar. Shorti i hedhur sot në Nion nuk ishte me fat për të, pasi finalen, nëse kualifikohet ndaj Maqedonisë së Veriut, do ta luajë jashtë fushe. “Dardanët” luajnë më 26 mars 2020 në fushën e Maqedonisë së Veriut, ndërkohë që edhe finalja e madhe do të luhet në transfertë për Kosovën, konkretisht në fushën e fituesit të çiftit tjetër të Ligës D, Bjellorusi-Gjeorgji. Ndeshja shumë të vështira për skuadrën e trajnerit Bernard Shaland, por asgjë nuk është e pamundur. Kosova ka treguar se është në gjendje të përballjë kundërshtarë të këtij niveli. Në grupin e saj në kualifikuese la pas ekipe si Bullgaria dhe Mali i Zi. Skocia, që në Ligën e Kombeve ishte në të njëjtin grup me Shqipërinë, fillimisht luan me Izraelin, pastaj me fituesin e çiftit Norvegji-Serbi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë