Podcast

Audio-Lajme shkurt 22 korrik 2019

Trevjetori i reformës në drejtësi përplas PS dhe PD
Trevjetori i reformës në drejtësi ka sjellë një përplasje mes socialistëve dhe demokratëve. Parlamenti organizoi sot një promovim të botimeve për reformën në drejtësi, ku kryeparlamentari Gramoz Rucci deklaroi se ajo është panegociueshme. Ndërsa kryeministri Edi Rama me anë të një statusi në rrjetet sociale shprehet se është krenar për PS-në që votoi pro reformës thekson se “mjafton të shohësh e të dëgjosh armiqtë e saj, për të kuptuar se sa e drejtë dhe jetike është ajo për Shqipërinë Europiane”.
Çlirim Gjata sekretar për Çështjet Ligjore në PD deklaroi se qeveria kapi reformën në drejtësi, duke shtuar se drejtësia private e Edi Ramës nuk ka ndëshkuar asnjë zyrtar të lartë.

Opozita, letër Kolegjit Zgjedhor: Pezulloni mandatet për Këshillat Bashkiakë
Opozita e bashkuar i është drejtuar me një letër Kolegjit Zgjedhor ku i kërkon pezullimin e mandateve për Këshillat Bashkiakë derisa Gjykata Kushtetuese të vendosë.
Letra e opozitës mban firmën e numrit 2 të PD, Gazment Bardhi dhe dërgohet sot, para nisjes së shqyrtimit në Kolegj të çështjeve për shpërndarjen e mandateve të këshilltarëve bashkiakë. Sipas opozitës, për këtë letër është informuar ODIHR, ONM, BE, si dhe ambasadat kryesore në Tiranë.
Po ashtu, opozita thotë se ligji detyron Kolegjin të mos marrë vendim pa u shprehur më parë Gjykata Kushtetuese mbi kushtetueshmërinë e Dekreteve të Presidentit.

Gjyqi ndaj ish-ministrit Tahiri, vendimi shtyhet në shtator
Gjykata e Krimeve të Rënda do të marrë vendimin në shtator për çështjen e nisur ndaj Sajmir Tahiri, ish-ministri i Brendshëm. Shkak i kësaj është bërë kërkesa e prokurorëve që kanë kërkuar dy javë kohë për të paraqitur pretencën për hetimin e nisur. Fakti që në muajin gusht gjykatat janë pushim vendimi për Tahirin do të jepet në shtator.

Zëvendësohen prokurorët, KLP cakton kreun e përkohshëm të Apelit të Krimeve të Rënda
Në mbledhjen e sotme të Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka caktuar prokurorët e përkohshëm në Prokuroritë e Rretheve, Krimeve të Rënda dhe në atë të Tiranës. Drejtues i Përkohshëm i Prokurorisë së Apelit të Krimeve të Rënda është caktuar prokurori Altin Dumani.
Po ashtu në mbledhjen e sotme, e cila u zhvillua me 10 anëtarë për shkak se mungonte prokurori Besnik Cani, u miratua me vota unanime në mënyrë të përkohshme prokurori Isa Jata në pozicionin e Prokurorit të Prokurorinë e Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda.
Gjithashtu, drejtues në Prokurorinë e Gjykatës së Shkallës së Parë në Gjirokastrës u emërua Julian Cafka.
Në pozicionin e Drejtuesit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Korçë u emërua prokurorja Rozeta Qirjaqi. Ndërsa, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Korçë u emërua Irena Çunoti.

Pas dorëheqjes së Haradinajt, Kosova zgjedhje më 8 shtator
Pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj mësohet se Kosova mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme në datën 8 shtator. Sipas mediave kosovare, presidenti Thaçi ka vendosur që në përputhje me afatet kushtetuese e ligjore, të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilat do të mbahen më 8 shtator.
Sipas ligjit, zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të mbahen jo më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë.
Por, kjo vlen për datën pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Mediat kosovare shkruajnë se këtë herë nuk kemi të bëjmë me konstituim të ri të Kuvendit, prandaj nuk është e qartë nëse këto afate vlejnë edhe për këto rrethana.
Kryeministri kosovar, Ramush Haradinaj, dha dorëheqjen nga posti, pasi mori ftesë zyrtare për t’u marrë në pyetje në Gjykatën e Hagës.

Studimi: Bishtat e cigareve pengojnë rritjen e bimëve
Një studim i ri tregon se bishtat e cigareve pengojnë rritjen e bimëve. Ekspertët u shprehen se është pikërisht përmbajtja e bishtit të cigares, pjesa që shkakton ndotjen. Filtri i përbërë nga fibra celuloze të quajtur “acetate”, një lloj bioplastike, ndikon me 27 për qind në mbirjen e bimëve dhe rreth 28 për qind në gjatësinë e bimës së tërfilit. Autorët u shprehën se vetëm 10 për qind e duhanpirësve mund të kuptojnë se bishtat e cigareve janë të dëmshme për mjedisin. Gjithashtu, ata bëjnë thirrje se duhen shtuar masat për hedhjen e mbetjeve.

Turi i tretë i Ligës së Europës, Partizani njeh kundërshtarin
Partizani, i vetmi ekip i kampionatit shqiptar që vazhdon të luajë në Kupat e Europës, të enjten luajnë me Sherif Tiraspolin ndeshjen e parë të turit të dytë në Ligën e Europës. Ndeshja luhet në “Selman Stërmasi”, në orën 17:30, dhe të kuqtë kanë më shumë mundësi kualifikimi këtë herë se ndaj Karabagut, kundërshtarit që i eliminoi që në turin e parë të Championsit. UEFA ndërkohë ka hedhur edhe shortin e turit të tretë eliminator të Ligës së Europës, ku Partizanit, nëse arrin të kualifikohet, i takon të luajë me ekipin humbës të çiftit të Ligës së Kampionëve, Maribor-AIK. Sllovenët e Mariborit janë një kundërshtar i fortë, që Partizani e njeh shumë mirë, pasi një vit më parë eliminohej prej këtij ekipi. Por Maribori ka më shumë shanse kualifikimi në Champions dhe të kuqtë pritet të ndeshen me suedezët e AIK-ut. Gjithsesi, Partizani së pari duhet të eliminojë moldavët e Sherifit në turin e dytë. Shkëndija e Tetovës, nëse eliminon Dudelanzh të Luksemburgut, përplaset me humbësin e çiftit Selltik-Nome Kalju, duke pasur rastin për “hakmarrje” ndaj estonezëve. Feronikeli, nëse kualifikohet ndaj sllovakëve të Slovan Bratislavës, do të përballet me humbësin e çiftit Dundalk-Karabag.

“Bomba” e merkatos së verës, shkëmbimi Nejmar-Bejl
Një shkëmbim i bujshëm në horizont mes Real Madridit dhe PSG-së. E përditshmja britanike “Independent” shkruan se Gereth Bejl do të transferohet në Paris dhe Nejmar në Madrid. Një zgjidhje, që do të ishte idealja për të dy klubet për të zgjidhur çështjet me dy lojtarët, të cilët aktualisht “jetojnë” të ndarë nga pjesa tjetër e shtëpisë. Për shkëmbimin e Bejlit me Nejmarin drejtuesit e Realit kanë dy javë që po punojnë dhe nëse lëvizja realizohet, do të ishte vërtet e bujshme. Kampionët e Francës duket se kanë vendosur përfundimisht ta lejojnë të largohet sulmuesin brazilian, i cili e ka ndarë mendjen t’i thotë lamtumirë Parisit. Edhe pse dëshira e Nejmarit është të rikthehet te Barcelona, njerëzit pranë tij po e shtyjnë që t’i bashkohet Realit. Nuk është më sekret që Nejmar prej kohësh ngacmon fantazinë e Florentino Perezit, pa llogaritur faktin që kalimi i mundshëm i brazilianit në Madrid do të ishte një goditje e fortë për rivalët historikë të Barcelonës.

 

Më Shumë