Podcast

Audio-Lajme shkurt 2 tetor 2019

Rama: Unë treni, Basha karrocë me kalë. Negociatat? Nuk e di qëndrimin e Francës
Kryeministri Edi Rama “injoroi” propozimin e Lulzim Bashës, i cili deklaroi pas një takimi me aleatët këtë të mërkurë se në tryezën e Qeverisë ishte platforma e opozitës për daljen nga kriza, së bashku me propozimin për reformën zgjedhore. Kreu i PD-së i la dy rrugë Kryeministrit; ose realizimin e kësaj platforme, ose të hapte krahun.
Kryeministri foli për edhe për negociatat. Ai nuk u shfaq fort euforik në lidhje me qëndrimin e Francës, por vlerësoi vendimin e Bundestagut gjerman, pavarësisht kushteve të vendosura prej tij. Dy prej lidhen drejtpërdrejtë me realizimin e tryezës së parë ndërqeveritare, që do të hapte zyrtarisht negociatat. Rama i sheh plotësisht të realizueshme brenda këtij viti.
“Ka dy kushte që janë plotësisht të realizueshme brenda këtij viti, qoftë reforma zgjedhore sipas OSBE/ODIHR, qoftë plotësimi i Gjykatës Kushtetueses dhe Gjykatës së Lartë. Pastaj të tjerat nuk janë më në dorën tonë”, u shpreh ai.
Pas tërmetit, Rama: S’ka më leje ndërtimi pa u siguruar
Kryeministri Edi Rama tha se Qeveria ka gati një propozim për të ndërhyrë në kuadrin ligjor mbi ndërtimet pas tërmetit që goditi vendin disa ditë më parë.
Rama tha se projektligji në fjalë do të sigurojë për 10 vite banesat e qytetarëve nga fenomene të ngjashme dhe tha se institutet shkencore shtetërore do të mbikëqyrin të gjitha objektet e ndërtimit me akses publik, duke hequr kufizimin e mbikëqyrjes së atyre ndërtimeve me vlerë mbi 100 mln lekë.
Mes propozimeve është edhe sigurimi i detyruar i pallateve. Kjo do të kushtëzohet me dhënien e lejes së ndërtimit.
Basha, Ramës: Platformën e opozitës e ke, ndryshe hap krahun
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me krerët e partive aleate për të vendosur mbi ftesën e kryeministrit Edi Rama për të dialoguar për reformën zgjedhore. Pas një takimi një orësh, kryedemokrati u shpreh se kryeministri e ka platformën e opozitës dhe se duhet të vendosë, në të kundërt duhet të hapë krahun pasi të zgjidh e djathta krizën politike.
Belgjika i refuzon azilin, “Babalja” drejt ekstradimit në Shqipëri
Autoritetet belge i kanë refuzuar kërkesën për azil Albert Veliut, njohur ndryshe si “Babalja” dhe pritet që së shpejti ai të niset në drejtim të Shqipërisë për t’u përballur me akuzën e “dëshmisë së rreme”.
Gjykatat belge kanë urdhëruar nisjen e procedurave të ekstradimit dhe prokurori i çështjes ka nisur lëvizjet e përgatitjes së dokumentacionit të posaçëm për këtë vendim, duke u vënë në kontakt edhe me palën shqiptare.
Veliu u largua nga Shqipëria në drejtim të Kosovës pak pas publikimit të audio-përgjimit, në maj të 2018, ku pretendonte se fliste me Agron Xhafajt, vëllain e Fatmir Xhafajt për të trafikuar një sasi hashashi në drejtim të Italisë.
Në Kosovë ai aplikoi për marrjen e statusit të azilantit, ndërkohë që në janar të këtij vitit u largua nga Kosova në drejtim të Hungarisë dhe më pas Belgjikës.
Shtatorja e ish-mbretit Zog mbushet me parulla
Shtatorja e ish-mbretit Zog në qendër të Tiranës dhe mbuluar me parulla të ndryshme, duke e etiketuar “Tradhtar i Kombit” dhe “Spiun i Serbisë”. Monumentit të vendosur pranë ish-stacionit të Trenit i janë vendosur disa grafite që kontestojnë nderimin që i bëhet Ahmet Zogut. Në këto grafite sugjerohet që ai të zëvendësohet me figura të tjera të historisë si Ismail Qemali, Isa Boletini apo dhe Bajram Curri.
Lirohet nga detyra drejtori i AKU-së, Agron Hetoja
Është liruar nga detyra drejtori i Përgjithshëm i AKU-së, Agron Hetoja. Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të qeverisë me propozim të ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi.
Sipas njoftimit të ministrisë, ky vendim është marrë në kuadër të procesit të ristrukturimit që do t’i bëhet AKU-së, ndryshimeve ligjore që pritet të kalohen në Parlament dhe gjithë transformimit që do të pësojë institucioni më i rëndësishëm i sigurisë ushqimore në vend.
Në vend të Hetos, kreu i ri i këtij institucioni, është emëruar Robert Lili. Lili ka qenë ish-drejtor i OSHEE-së në Gjirokastër.
“Falënderojmë z.Hetoja për kontributin e deritanishëm dhe punën në drejtimin e AKU-së. Në vend të tij, po sot, është emëruar kreu i ri i këtij institucioni, z.Robert Lili. Shprehim besimin se ai do të çojë përpara procesin e transformimit të AKU-së dhe do të vijojë me vendosmëri punën për rritjen e sigurisë ushqimore në vend”, deklaron Ministria e Bujqësisë. Agron Hetoja u emërua në krye të AKU-së, më 6 shkurt të këtij viti.
Fotoja Rama-Obama, PD kërkon të nisen hetimet për pagesën e 80 mijë dollarëve
Partia Demokratike i ka kërkuar Prokurorisë të nisë hetimet për çështjen e përfolur të fotos mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit amerikan, Barack Obama në vitin 2012.
Mësohet se PD i kërkon prokurorisë të nisë hetimet për pagesën e 80 mijë dollarëve të paguar nga Edi Rama për foton me presidentin e SHBA, Barack Obama në vitin 2012.
“Kërkesa e PD-së i është dërguar prokurorisë pas vendimit të gjykatës amerikane për të dënuar me burg William Argeros, shtetas amerikan, që ka paguar 80 mijë USD për llogari të Edi Ramës. Këtë e pohoi në gjyq avokati i William Argeros, të cilin Zëri i Amerikës dhe media të tjera ndërkombëtare e citojnë të ketë thënë se ‘klienti i tij ka vepruar në emër të një kandidati për postin e kryeministrit në Shqipëri, i cili dëshironte një foto të realizuar me zotin Obama’”.
Partia Demokratike thekson se shuma prej 80 dollarëve nuk është deklaruar as nga Edi Rama dhe as nga PS.
U skualifikua nga KLP, padia e avokatit shtyn zgjedhjen e kryeprokurorit
Avokati Lulzim Alushaj ka paditur në Gjykatën Administrative vendimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë që e skualifikoi nga gara për mandatin 7-vjeçar të Prokurorit të Përgjithshëm. Alushaj u skualifikua nga KLP një javë më parë me arsyetimin se nuk plotësonte kriterin e 15 viteve punë si jurist i spikatur.
Padia është dorëzuar në Gjykatën e Apelit Administrativ në Tiranë. Alushaj pretendon në padinë e tij se Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk i ka llogaritur si “jurist i spikatur” vitin e punës dhe aktivizimit si jurist pas diplomimit në Jurispridencë në 2004 në Universitetin e Bolonjës. Ai kërkon që përvoja në punë si jurist i spikatur t’i përllogaritet që nga 2004 dhe jo nga 2005, kur ka marrë titullin avokat në Itali. Avokati Alushaj kërkon rikthimin në garë, ndërkohë që padia në fjalë shtyn me të paktën disa javë vendimmarrjen përfundimtare të Këshillit të Lartë të Prokurorisë për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri me “kohë të plotë”.
Sot hapet Lotaria Amerikane, çfarë duhet të dini

Tri vitet e fundit, numri i qytetarëve që kanë aplikuar që në orët e para që është hapur Lotaria Amerikane ka qenë aq i madh sa ka rënë serveri. Prej disa vitesh, shqiptarët renditen të parët sa i takon numrit të aplikimeve në krahasim me numrin e popullsisë. Në 2018, kishte 367 mijë aspirantë, ose mbi 10 për qind e popullsisë që provuan fatin, por 4500shqiptarë u shpallën fitues
Seksioni i aplikimeve online do të qëndrojë i hapur nga 2 tetori deri më 5 nëntor. Njoftimi shoqërohet me një link që të çon tek udhëzimet e plotësimit të dhëna me detaj, që nga formati i fotografive që duhet e deri tek shmangia e çdo deklarimi të rreme. Ajo që njihet zyrtarisht si Lotaria e Vizave të Shumëllojshmërisë pritet të tërheqë edhe këtë vit me mijëra shqiptarë. Mjafton të përmendim se në dy vitet e fundit, numri i aplikimeve ka qenë rreth 200 mijë, ndërsa numri i aplikantëve mbi 330 mijë.
Rregullat e aplikimit janë të njëjta. Aplikantët mund të kryejnë aplikimin elektronik në faqen zyrtare të E-DV, gjatë periudhës së regjistrimit. Udhëzimet e DV janë gjithashtu në dispozicion në faqen e internetit të Departamentit të Shtetit.
Uragani Lorenzo i afrohet Europës, në Shqipëri sjell stuhi me shi e erë
Uragani që ka goditur ishujt britanikë, ditën e enjten do të ketë impakt tangent në Gadishullin e Ballkanit dhe rrjedhimisht në vendin tonë.
Meteorologia Rezarta Xhakollari bën me dije për Gazetën “Si”, se priten reshje shiu intensive përgjatë Ultësirës Perëndimore. Sipas saj, uragani me ndikimin e tij do të bëjë që vendi ynë të ndikohet nga një erë e fortë me shpejtësi mbi 20 m/sek dhe dallgëzimi do të jete i lartë mbi 7 ballë në det të hapur. Ndër të tjera meteorologia shpjegon se reshjet do të vazhdojnë edhe ditën e premte me intensitet me të ulët.
Ndërkaq Qendra Kombëtare e Uraganeve në SHBA tha se në këtë fundjavë që lamë pas stuhitë shkuan deri në kategorinë e 5; stuhitë më të forta për veriun dhe lindjen në Oqeanin Atlantik.
Uragani ka pasur ndikim vdekjeprurës dhe një operacion kërkimi/shpëtimi ka filluar pasi ekuipazhi i një varke është zhdukur në Atlantik, pasi ra në vorbullën e stuhisë. Deri më tani është konfirmuar një anëtar i ekuipazhit i vdekur, ndërsa dhjetë të tjerë janë ende të humbur.
Dhuna dhe banderola e turpit, Disiplina e dënon Tiranën sa për një shishe uji
Komisioni i Disiplinës, pas asaj dhune masive në derbi deri në plagosjen e tifozëve dhe asaj banderole që ndillte urrejtje, e ka dënuar Tiranën sikur të kishte hedhur një shishe plastike në fushë. Dënimi është 4 ndeshje pa tifozë, por praktikisht janë 2 ndeshje, sepse gjysma e dytë e dënimit, në bazë të rregullores, shlyet me pagesë. Dhe një nga 2 ndeshjet e dënimit kalon që sot në Kupë ndaj Shënkollit, kështu që Tiranës i mbetet vetëm 1 ndeshje kampionati. Ishin pamje të frikshme dhunë, që bënë xhiron e botës dhe një banderolë perverse, por edhe këtë herë çudia më e madhe nuk zgjati më shumë se 3 ditë.
Klubi i Tiranës është urdhëruar gjithashtu të mbyllë pjesërisht stadiumin ”Selman Stërmasi” në sektorin G3 për sezonin futbollistik 2019/2020 dhe të ndalojë hyrjen në stadium të grupimit të tifozëve “Capital Crew”. Hyrja në çdo stadium u është ndaluar përgjithmonë 8 personave, konkretisht Elton Bande, Alban Rexha, Getard Çeliku, Mateos Majani, Aksel Manxhari, Thanas Bendo, Bledar Luga dhe Gentian Qosja. Ky mund të jetë një dënim korrekt nga ana e Komisionit të Disiplinës, por ka skepticizëm për zbatimin e tij dhe nuk e justifikon aspak butësinë e tepruar për aktet e dhunës dhe për banderolën e turpit. Dënim ka marrë edhe Partizani, për sjellje të gabuar të spektatorëve të tij. Të kuqtë janë dënuar me zhvillimin e 2 ndeshjeve pa spektatorë dhe me një gjobë në masën 1 milion lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë