Podcast

Audio-Lajme shkurt 2 shtator 2019

10 biznesmenët që u bënë kryebashkiakë
Biznesmenët vazhdojnë të dominojnë në skenën politike shqiptare, jo vetëm në Parlament, por edhe në bashki.
Gazeta Si ka publikuar emrat e 10 biznesmenëve që i janë futur politikës duke marrë drejtimin e bashkive. Lista fillon që me kryebashkiakun e Kukësit, Safet Gjici, i cili prej vitesh është angazhuar në politikë. Më pas, lista vijon me Agim Kajmakun e Vorës, i njohur me biznesin e luleve dhe mbjelljes së fidanëve, Mark Babanin e Vaut të Dejës që njihet me biznesin e importin dhe eksportit të peshkimit.
Lefter Alla është një tjetër biznesmen në fushën e nxjerrjes së mineraleve që është zgjedhur në bashkinë e Bulqizës. Ndërsa Redjan Krali është zgjedhur si kryebashkiak i Kavajës, i cili përpara 30 qershorit ishte i përkushtuar në biznesin e shitblerjes së dyshekëve.

PD akuzon Ramën: Po mbron Kajmakun e Vorës
Partia Demokratike akuzoi kryeministrin Edi Rama se po mbron kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmaku duke mos ia dorëzuar drejtësisë. Ish-deputeti i PD-së, Ervin Salianji deklaroi se Prokuroria nuk zbaton Kodin Penal dhe ligjin e dekriminalizimit për të vënë para drejtësisë të kërkuarin në Greqi, i cili ka trafikuar para të falsifikuara dhe mashtruar në formularin e dekriminalizimit.
Salianji paraqiti si zgjidhje të krizës politike zhvillimin e zgjedhjeve të tjera për pushtetin vendore dhe njëherësh ato parlamentare. Kjo sipas tij duhet të realizohet nëpërmjet krijimit të një qeverie tranzitore.

Kojku e Zeneli, dy prokurorët që do hetojnë zgjedhjet e 2016-s në Dibër
Rifat Kojku e Belina Zeneli do të jenë dy prokurorët që do të hetojnë dosjen “184”, të caktuar me urdhër të drejtueses së Prokurorisë në Dibër. Dosja “184” konsiston në përgjimet për blerjen e votave në zgjedhjet e parakohshme lokale për Bashkinë e Dibrës në vitin 2016. Prokuroria për Krime të Rënda hoqi dorë nga hetimi i dosjes së bujshme “184”, duke e transferuar atë në Dibër.
Në muajin korrik dosja i ka kaluar Prokurorisë së Dibrës me vendim të prokurorit Klodian Braho.
Prokuroria e Krimeve të Rënda argumentoi se në këtë çështje nuk kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal, e për këtë shkak dosja nuk është në kompetencën e Krimeve të Rënda për ta hetuar.
Hetimet për rastin nisën pas kallëzimit që Partia Demokratike bëri në shtator të 2016, ku ngrinte dyshime se zyrtarë të lartë po ndikonin në rezultatin zgjedhor për kryebashkiakun e Dibrës.

KLP hap garën për zëvendësimin e ish-prokurorit Gentian Osmani
Pas shkarkimit të prokurorit Gentian Osmani si anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokuroria bën thirrje për aplikime për vendin e mbetur vakant.
Prokurori i Përgjithshëm fton të gjithë prokurorët e interesuar që plotësojnë kriteret për “organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” të sjellin kërkesën dhe dokumentacionin përkatës pranë Prokurorisë së Përgjithshme.
Ndërkohë dorëzimi i dokumentacionit të nevojshëm për të qenë pjesë e garës duhet të bëhet brenda 15 ditëve nga shpallja e thirrjes.
Prokurori Gentian Osmani ka ushtruar funksionin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe u shkarkua më 31 korrik nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Largimi nga drejtësia i Osmanit solli vakancë në KLP, organ i cili tashmë ka mbetur me 10 anëtarë.

Ngritja e SPAK, Ibrahimi: Pranë finalizimit me numër minimal prokurorësh
Kreu i Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Gent Ibrahimi, ka folur sot për mediat lidhur me ecurinë e SPAK, duke treguar edhe detaje për ngritjen e Prokurorisë Speciale.
Ibrahimi bëri me dije se ngritja e SPAK është pranë finalizimit dhe se në garë janë 15 kandidatë, por do të diskutohet nëse SPAK mund të ngrihet me një numër minimal prokurorësh.
“Ne kemi diskutuar dhe më herët që numri mund të jetë dhe më i paktë. Këtë sezon shpresojmë ta finalizojmë SPAK. Ne do diskutojmë se cili do jetë numri minimal që mund të ngremë SPAK”, u shpreh ai.
Ndërkohë, Ibrahimi tha se pritet vetëm procesi i vettingut i kandidatëve.
“Ne në këtë moment, nga ai grup prej 15 prokurorësh që kemi përzgjedhur si kandidatë për në SPAK presim verifikimin e kushtit të fundit që është kalimi prej tyre i procesit të vettingut. 5 prej tyre e kanë kaluar plotësisht dhe mund të emërohen çdo çast nga ana jonë, sidoqoftë ne presim një numër të arsyeshëm”, u shpreh Ibrahimi.

Krim në familje në Memaliaj, djali vret babanë me sëpatë, policia e arreston
Policia ka vënë në pranga një 35-vjeçar që qëlloi për vdekje me sëpatë babanë e tij. Krimi i rëndë në familje tronditi paraditen e sotme fshatin Shalës në Memaliaj, ku djali vrau babanë me sëpatë. Ngjarja ndodhi në orën 11:00 në fshatin Shalës pas një sherri verbal mes 35-vjeçarit Arjan Shahaj dhe babait të tij, Iljaz Shahaj, 77-vjeç.
Pas vrasjes së të atit, Arjan Shahaj është larguar nga vendi i ngjarjes. Nuk dihen ende shkaqet e sherrit mes tyre. Mësohet se 35-vjeçari Arjan Shahaj ka qenë i dënuar me 12 vjet burg për tentativë vrasjeje të bashkëfshatarit të vet.

A janë të sigurta Google, Amazon, Facebook, Apple dhe Microsoft?
Kompanitë e mëdha teknologjike, gjithnjë e më shumë po abuzojnë me të dhënat personale të përdoruesve të tyre, duke përgjuar mesazhe dhe biseda deri në orët e vona të natës. Sipas komisionerit për mbrojtjen e të dhënave dhe lirisë së informacionit në Hamburg, Johannas Carper, edhe përdorimi i asistentëve automatikë si Siri, Alexa ose Google Assistant përbën rrezik të madh për privatësinë e njerëzve. Ai shton se përdorimi i këtyre pajisjeve në BE, duhet të përputhet me kërkesat mbrojtëse të të dhënave siç parashikon ligji. Përveç Facebook, Amazon, Google e Apple edhe Microsoft, u akuzua se përgjonte bisedat e Skype, përmes asistentin teknologjik Cortana, që përdoruesit e përdorin për të mësuar më lehtësisht përdorimin e programeve të Microsoft. Këto ngjarje që bënë bujë në tremujorin e parë të këtij viti tregojnë gjithnjë e më shumë se jemi të pasigurt në rrjetet sociale.

Balaj dhe Strakosha shpresojnë për pikë ndaj Francës dhe Islandës
Kombëtarja shqiptare është grumbulluar në Durrës dhe ka nisur përgatitjet për dy ndeshjet e radhës eliminatore të Euro 2020, me Francën dhe Islandën. Të parët që kanë dalë në konferencë shtypi ishin sulmuesi Bekim Balaj dhe portieri Tomas Strakosha. Futbollisti shkodran vjen në Kombëtare pas dygolëshit të shënuar në kampionatin austriak me Shturmin, në një formë mjaft të mirë sportive. “Dihet çfarë kundërshtarësh kemi përballë, e njohim forcën e tyre dhe jemi të përqendruar maksimalisht. Do të luajmë për rezultat pozitiv në të dyja ndeshjet, edhe pse do të jetë e vështirë, sidomos në Francë. Në këtë vend kemi një eksperiencë pozitive dhe mund të marrim pikë. Nga ana jonë, do të bëjmë ç’është e mundur. Gëzoj një formë të mirë, kam luajtur gati në të gjitha ndeshjet me Shturmin në Austri dhe shpresoj të vazhdoj edhe në Kombëtare me këtë formë” tha Balaj në konferencë. Portieri Strakosha theksoi se nuk ka shumë rëndësi kush luan, por rezultati: “Besoj se këto dy ndeshje tregojnë a jemi për t’u kualifikuar apo jo. Duhet të jemi pozitivë dhe të stërvitemi mirë. Me Kombëtaren nuk ka rendësi kush luan, por rezultati”.
Ndeshja me Francën do të luhet më 7 shtator, në “Stade de France”, kurse me Islandën më 10 shtator në “Elbasan Arena”. Shqipëria ka 6 pikë pas 4 ndeshjesh në Grupin H.

 

Më Shumë