Gjykata e Durrësit, vendim të dytë pro kandidates Sako
Partia Socialiste i është përgjigjur refuzimit të Gjykatës së Durrësit për dhënien e mandatit të kandidates Valbona Sako, duke paraqitur një kërkesë të dytë po në këtë institucion. Kërkesa për herë të dytë është bërë nga Partia Socialiste dhe jo kandidatja dhe se gjyqtari Shpëtim Reka nuk ka marrë në konsideratë vendimin e koleges së tij, duke i dhënë mandatin e kryebashkiakes Valbona Sako.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha reagoi menjëherë, duke theksuar se vendimi i Gjykatës së Durrësit është vendimi i drejtësisë private që ka vendosur Edi Rama në Shqipëri.
“Ky shpartallim i sistemit të drejtësisë do të prodhojë për një kohë të gjatë pasoja të rënda për vendin dhe qytetarët. Nëse nuk e ndalim sa më parë Edi Ramën, Shqipëria do kthehet në një shtet tërësisht të falimentuar afrikan”, deklaroi Basha.
Koncesioni Milot-Balldren, Basha: Rama grabitës psiqik
Kryedemokrati Lulzim Basha në një dalje për mediat ka sulmuar kryeministrin Edi Rama për koncesionin e rrugës Milot-Balldren, që një ditë më parë u votua në Kuvend.
Sipas Bashës, Rama është një hajdut psikik, që ka për qëllim grabitjen e Shqipërisë për llogari të tij dhe të një grushti klientësh.
Basha theksoi koncesioni i rrugës Milot-Balldren është një nga grabitjet më spektakolare të kryeministrit Rama.
“Dje u miratua në Landfillin e Republikës, pra në vendgrumbullimin e plehrave dhe hajdutëve që strehohen në Kuvendin e Shqipërisë, grabitja me spektakolare në histori. Koncesioni i rrugës Milot-Balldren Ndue dhe Agim Kola me vlerë 256 milionë euro për 17 km. Vlera e koncesionit është 3-fishuar. Ish deputeti i PS dhe daja i tij, Gjoka, kanë marrë, së bashku, mbi 500 milionë Euro, nip e dajë”, u shpreh Basha.
Ambasadorja sllovene inkurajon Metën për kapërcimin e krizës
Presidenti Ilir Meta ka pritur sot në një takim lamtumire Ambasadoren e Republikës së Sllovenisë në Shqipëri, Lea Stançiç, e cila po i jep fund mandatit diplomatik në Shqipëri.
Meta ka shprehur vlerësim për ambasadoren Stançiç për forcimin e gjithanshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, Sllovenisë dhe Shqipërisë.
Meta ndër të tjera thekson se me mbështetjen e Sllovenisë ekzistojnë hapësirat për kapërcimin e krizës ku ndodhet vendi dhe sipas tij rikthimin e shtetit ligjor në Shqipëri.
Ngec në vetting gjyqtarja e Tiranës Anila Guri, konfirmohet kreu i Prokurorisë së Krujës
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtaren e Gjykatës së Tiranës, Anila Guri. Sipas trupës gjykuese të përbërë nga Lulzim Hamitaj, Suela Zhegu, Alma Faskaj, gjyqtarja Guri ka rezultuar me probleme me pasurinë. Sipas raportit të ILDKPKI, gjyqtarja Guri nuk kishte kryer deklarim të saktë të pasurisë, s’ka burime të ligjshme, ka kryer fshehje e deklarim të rremë.
Guri ishte kandidate për në Gjykatën Kushtetuese dhe e ka nisur karrierën e saj në korrik të vitit 1996 në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku shërben prej më shumë se 23 vitesh.
Ndërkohë, po ditën e sotme Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë drejtuesin e Prokurorisë së Krujës, Petrit Çano. Prokurori Çano ka rezultuar i pastër në të tria kriteret. Gjithashtu, nuk janë gjetur kontakte të drejtuesit të Prokurorisë së Krujës me persona me lidhje me krimin e organizuar, duke rekomanduar përshtatshmërinë e tij për vazhdimin e detyrës.
Trupa gjykuese për këtë rast ishte e përbërë nga Olsi Komici, Suela Zhegu dhe Lulzim Hamitaj.
Ngjarje e rëndë në Durrës, 5 djem përdhunojnë 8-vjeçaren në shkollë
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Durrës, ku një vajzë 8-vjeçare është përdhunuar në grup nga 5 djem adoleshentë.
Ngjarja ka ndodhur dy javë më parë në ambientet e shkollës 9-vjeçare “Myslim Hida”, në zonën e Arapajt në Durrës. Mësohet se përdhunuesit ka qenë djem të moshës 15, 16 dhe 17 vjeç. Vajza e mitur dhe agresorët janë banorë të kësaj zone. Mësohet se djemtë e kanë marrë dhe e kanë lidhur të miturën në katin e katërt të kësaj shkolle, dhe më pas kanë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë. Vajza e vogël është gjetur nga mësuesit e shkollës, e lidhur, ndërsa më pas është zbuluar dhe ngjarja shokuese.
Ngjarja e cila ka ndodhur dy javë më parë, është mbajtur e fshehtë nga Policia e Durrësit, të cilët kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje.
Kulmi i tensionit në Hormuz, SHBA rrëzon avionin iranian
Tensionet midis SHBA-së dhe Iranit duket se kanë arritur kulmin pas rrëzimit të një avioni iranian dhe konfiskimit të një cisterne ndërkombëtare. Presidenti Donald Trump ka thënë se marina amerikane shkatërroi një avion iranian në ngushticën e Hormuzit.
Ai tha se luftanija “USS Boxer “mori masa mbrojtëse “të enjten pasi avioni erdhi me shpejtësi drejt saj, duke qëndruar disa metra larg. Irani mohoi ngjarjen duke thënë se nuk kishte informata për humbjen e një avioni.
Sikur të mos mjaftonte kjo, Teherani konfirmoi se kishte kapur një “cisternë të huaj” dhe ekuipazhin e saj të 12 për kontrabandën e karburantit në Gjirin Persik. Incidentet e fundit kanë shkaktuar frikën e një konflikti ushtarak në rajon.
Zhgënjim total, futbolli shqiptar i padenjë për Europën
Europa ia ka mbyllur dyert futbollit shqiptar që në turin e parë eliminator. Skuadra tona kanë zhgënjyer totalisht dhe janë eliminuar nga dy kompeticionet e saj. Mbijeton vetëm Partizani, që falë formulës së kompeticioneve europiane kalon në Ligën e Europës, pas skualifikimit nga Liga e Kampionëve.
Paraqitje mjaft e dobët e tri skuadrave pjesëmarrëse në Ligën e Europës. Kukësi, Teuta dhe Laçi i kanë “larë duart” që në turin e parë, duke treguar se futbolli ynë ka problematika të mëdha. Gjithçka reflektohet qartë në Europë, ku futbolli ynë del “zbuluar”. Kukësi barazoi 1-1 me Debrecenin në “Elbasan Arena”, ndërsa në ndeshjen e parë kishte humbur thellë, 3-0.
Teuta regjistroi fitoren e vetme të skuadrave shqiptare në Europë, në 8 ndeshje të luajtura. Mundi 1-0 Ventspils, me gol të Sherif Kallakut, por ishte një fitore e hidhur, sepse humbja 3-0 në ndeshjen e parë në Letoni ka sjellë eliminimin e durrsakëve. Laçi u mund 1-0 nga Hapoel Ber Sheva në Izrael, por të paktën djemtë e Sulejman Starovës mbetën në lojë deri në fund, pasi një gol mund ta çonte kualifikimin në shtesë, ngaqë ndeshja e parë ishte mbyllur në barazim, 1-1.
Gjici nuk e përtyp dot eliminimin, largon Gjokën nga Kukësi
Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, edhe këtë herë i ka përmbushur parashikimet. Skualifikimi i skuadrës së tij që në turin e parë të Ligës së Europës do të kishte pasoja, të paralajmëruara nga vetë kreu i klubit verior dhe kështu ka ndodhur. Ernest Gjoka nuk është më trajner i nënkampionëve të Shqipërisë, që nuk iu përgjigjën pritshmërive në Europë. Kukësi barazoi 1-1 në Elbasan dhe u mund 3-0 në Hungari nga Debreceni, duke u eliminuar me rezultatin e përgjithshëm 4-1.
Trajneri Gjoka largohet për herë të dytë nga stoli i Kukësit, në situata gati identike. Herën e parë u shpall kampion me këtë skuadër, por dështoi në Kupat e Europës dhe Gjici ia faturoi atij përgjegjësitë, duke e larguar. Edhe tani trajneri kryeqytetas largohet pas dështimit në Europë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.