Makron sqaron refuzimin për Shqipërinë: Progres jo të mjaftueshëm
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron pas mbylljes së takimit dy ditor në Brukesl deklaroi për mediat se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë progres dhe kanë ndërmarrë reforma të guximshme, por sipas tij, kjo nuk mjafton për nisjen e bisedimeve me familjen e madhe të Bashkimit Europian. Sipas tij Shqipëria ka probleme me migrimin, por edhe me çështjet e brendshme. “Nuk kemi se si ia shpjegojmë francezëve këtë, në një kohë kur ka kërkesa për azilin. Në momentin që në të hapim dyer, edhe ne mund të na fajësojmë në lidhje me këtë”, tha Makron.
Merkel: Negociatat vitin tjetër. E di që Rama dhe Zaev janë të zhgënjyer
Në një konferencë për shtyp, Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka konfirmuar zyrtarisht se vendimi për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të shtyhen për vitin tjetër.
Merkel deklaroi se ishte e vetëdijshme se kryeministri shqiptar Edi Rama dhe ai maqedonas, Zoran Zaev, do të zhgënjeheshin, por se liderët e vendeve anëtare nuk kishin arritur një marrëveshje.
“Janë disa vende që kanë rezerva, sidomos ndaj Shqipërisë. Kemi diskutuar si do të jetë efekti po të hapen negociatat, patjetër që do të zhgënjehen si Rama dhe Zaev. Unë fola me Zaev”, deklaroi kancelarja gjermane. Ajo u ndal veçanërisht tek Shqipëria, duke thënë se disa vende ishin tejet skeptike ndaj vendit tonë.
“Unë e mbështes Macron në një pikë sa i përket procesit të zgjerimit që duhet reformuar. Por kur bëjmë premtime duhet t’i mbajnë dhe nuk duhet t’i kthejmë shpinën Shkupit dhe Tiranës. Unë dua që të këtë një bashkim të këtyre vendeve në BE, por më përpara duhet të kalojnë në faza të ndryshme të këtij procesi”, tha Merkel.
S’hapen negociatat, kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev ka dhënë dorëheqjen
Pasi Bashkimi Europian dështoi për të tretën herë radhazi të jepte dritën jeshile për negociatat, kryeministri i Maqedonisë së Veriut raportohet të ketë dhënë dorëheqjen.
Agjencia italiane e lajmeve “Ansa” shkruan se kreu i vendit fqinj ka dhënë dorëheqjen pas tre vitesh në detyrë.
“Kjo është ajo që mësohet nga burimet diplomatike evropiane në samitin e BE-së, ku Shtetet Anëtare nuk kanë arritur një marrëveshje për hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, shkruan “Ansa”, por mediat maqedonase nuk e konfirmojnë lajmin.
Kryeministri Zoran Zaev kishte deklaruar se do të jepte dorëheqjen nëse liderët e BE-së nuk vendosin të japin dritën jeshile për nisjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut. Pas ndryshimit të emrit, shpresa e anëtarësimit në BE-së është cilësuar si shtylla që po mban në këmbë qeverinë e tij.
Hahn: Refuzimi do të destabilizojë Ballkanin
Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn, përmes një postimi në “Twitter” paralajmëron se refuzimi për çeljen e negociatave mund të sjellë një destabilizim në Ballkan. “Ky nuk është një moment lavdie për BE. Refuzimi i njohjes së përparimeve do të ketë pasoja negative, përfshirë rrezikun e destabilizimit të Ballkanit Perëndimor, me ndikim të plotë në BE”, theksoi Hahn. Franca dëbon shqiptarët, Gjermania u lehtëson vizat e punës
Në kohën që Franca është trembur aq fort nga azilantët shqiptarë, saqë me këtë arsye ka vendosur të bllokojë hapjen e negociatave, Gjermania do të shtojë kapacitetet dhe lehtësojë procedurat për viza pune në ambasadat e saj në Tiranë dhe Prishtinë. Nga 1 janari i 2020-ës në Gjermani hyn në fuqi ligji i ri i fuqisë punëtore. Ligji i ri parashikon lehtësi thelbësore për emigrantët nga vendet jashtë Bashkimit Europian që duan të jetojnë dhe punojnë në Gjermani. Kjo pritet që në fillim të vitit të ardhshëm të shkaktojë fluks nëpër ambasadat gjermane në Tiranë dhe Prishtinë, të cilat që tani kanë një dyndje aplikuesish. Dojçe Vele thotë se Ministria e Jashtme gjermane do të shtojë kapacitetet dhe reduktojë procedurat për të përballuar fluksin.
Të gjithë kundër Macron!
Qëndrimi refuzues i Emmanuel Macron për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut po e izolon gjithnjë e më shumë Presidentin francez. Pas socialistëve edhe grupimet e tjera politike të Parlamentit Europian i kanë dalë kundër. Të djathtët e Partive Popullore Europiane deklarojnë se qëndrimi i Macron nuk dëmton vetëm Ballkanin Perëndimor, por edhe Bashkimin Europian. Ky është qëndrimi zyrtar i Partive Popullore Europiane, që së bashku me socialistët mbeten ende dy grupimet më të mëdha në Parlamentin Europian edhe pas zgjedhjeve të fundit për këtë parlament. Forcë e tretë u renditen liberalët, që janë në koalicion me grupin e Macron të quajtur “Europa e Re”.
Parlamenti vë kusht: Kryeprokurori e SPAK brenda vitit
Mazhoranca kërkon që kryeprokurori dhe zgjedhja e anëtarëve të Prokurorisë së Posaçme, SPAK të realizohet brenda këtij viti. Kërkesa u bë nga ana e deputetit socialist, Ulsi Manja në adresë të kreut të Këshillit të Lartë Prokurorisë, Gent Ibrahimi gjatë raportimit në komisionit të Ligjeve.
Sipas tij duhet dhe KLP duhet të shfrytëzojë të gjitha hapësirat ligjore për ngritjen e SPAK, ku deri më tani janë konfirmuar nga vetë 8 prokurorë. Ligji parashikon që strukturë e posaçme formohet edhe me 10 anëtarë. Ibrahimi gjatë raportimit në komision u shpreh se nga e hëna KLP do të realizojë intervistat për tre kandidatët për postin e prokurorit të Përgjithshëm, ku mes tyre është edhe ajo aktualja Arta Marku
Nuk u dekretua nga Meta, por Gjinushi nis punën në krye të Akademisë së Shkencave
Emri i Skënder Gjinushit është rrëzuar nga presidenti Meta për t’u emëruar në krye të Akademisë së Shkencave.
Ndërkohë, Gjinushi nis sot zyrtarisht punën si kryetar i Akademisë së Shkencave, vendim, i cili vjen pas mbledhjes së Asamblesë dhe Kryesisë së Akademikëve, pavarësisht se presidenti nuk e dekretoi.
Gjinushi në një dalje për mediat, e cilësoi politik mosdekretimin nga presidenti Meta.
Sa i përket zgjedhjes së tij në Krye të Akademisë me ligjin e vjetër, Gjinushi tha se ligjet nuk cenojnë mandatet e fituara dhe se edhe me ligjin e ri Presidenti bën vetëm emërimin, ndërsa vendimin e merr Asambleja.
“Në Shqipëri kur ndryshon ligji, ndryshon institucioni. Me ligjin e vjetër presidenti duhet të bëjë vetëm emërimin, ndërsa vendimin e merr Asambleja. Kundërshtimet nga faktorët e jashtëm, ka ndërhyrje politike, pasi mandatet janë të vlefshme edhe me ligjin e ri. Kjo është një përpjekje e dëshpëruar e presidentit”, u shpreh Gjinushi në një dalje për mediat.
U arrestua për shpërdorim detyre, Apeli liron kreun e Kadastrës në Durrës
Gjykata e Apelit në Durrës ka dhënë masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për kreun e Kadastrës në Durrës, Liridon Pula.
Vendimi për lirimin e tij u mor sot nga Gjykata e Apelit.
Liridon Pula u arrestua rreth dy javë më parë ku sipas Krimit Ekonomik, së bashku edhe me zyrtarë të tjerë, kanë tjetërsuar dhe abuzuar me pronat, kryesisht në bregdet.
Çështja e pronave në bregdet është një nga problem më të mëdha në vend, pasi ka pasur jo pak abuzime.
“Le Iene” gjen të miturin shqiptar në Siri, por babai nuk e merr dot në Itali
Emisioni italian “Le Iene” ka prezantuar mbrëmjen e djeshme historinë e një emigranti shqiptar në Itali. Afrim Berisha , prej kohësh kërkonte djalin e tij i cili mendohej se ishte në kampin Al Hol në Siri. Djaloshi i cili quhej Alvin kishte mbërritur atje falë nënës së tij, bashkëshortes së Afrimit e cila tashmë ka vdekur. Pas një sërë investigimesh Afrimi nisi të takohej me të birin por nuk mundi ta merrte mbrapsht në Itali, sepse sipas procedurave, duhej që nxjerrjen nga kampi ta kryente një diplomat shqiptar.
Gazetarët e emisionit iu drejtuan ambasadorit shqiptar në Turqi, por nuk morën asnjë përgjigje, duke e lënë vogëlushin 11-vjeçar nën kthetrat e bombardimeve të vazhdueshme të shtetit Turk ndaj Sirisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.